Qendra e Bashkimit Europian vjen me një tur koncertesh për këtë sezon veror, përmes të cilave synon promovimin e ideve dhe vlerave të BE-së e për këtë ka zgjedhur një emër të njohur të muzikës shqiptare në botë, violinistin Olen Çezari.

Në një konferencë për shtyp, ambasadori i BE-së i akredituar në Tiranë, Ettore Sequi, foli rreth këtij turi koncertesh, ndërsa theksoi se kjo nismë kulturore do të promovojë idenë që populli shqiptar mund t’i afrohet Europës.

Paganini i ri, siç e quajnë ekspertët e violinës, ishte shumë i emocionuar përballë mediave. Siç e pohoi dhe vetë, ai është mësuar të flasë përmes muzikës së tij.

“Jam i sigurt se ju do të kënaqeni me muzikën e Olen Çezarit”, – tha ambasadori Sequi. Ndërsa violinisti shprehu kënaqësinë që iu dha mundësia të zhvillojë një tur në gjithë Shqipërinë, bashkë me Orkestrën Ndërkombëtare Klandestine.

“Jam shumë i lumtur që m’u dha mundësia të organizoj këtë tur nëpër sheshet e Shqipërisë, ku njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të afrohen dhe të shijojnë këtë moment bashkë me mua.

Nga ana tjetër jam i lumtur që me muzikën time t’iu jap këtyre njerëzve një vizion lirie pa kufi, që të gjithë të afrohen e ta ndjejnë veten të barabartë me çdo europian. Unë nuk jam mësuar të mbaj konferenca shtypi, jam mësuar më tepër të bëj muzikë”, – tha Çezari.

Turi i koncerteve nën logon “Muzikë pa kufij” filloi mbrëmë në Tiranë në zonën e ish-Bllokut, për të vijuar në qytete të tjera të Shqipërisë si në Durrës, Vlorë, Sarandë e Shkodër.

Ky tur zhvillohet në kuadër të promovimit të muzikës si një element që kontribuon në integrimin e popujve dhe bashkimin e tyre përtej kufijve.

Ky koncert sjell në Tiranë muzikën që shkon përtej kufijve përmes tingujve të muzikës klasike dhe asaj bashkëkohore të luajtur me virtuozitet edhe nga artistë të mirënjohur në nivel botëror si: Shama Milan, Raul Scebba, Michael Rodi, Paolo Cozzolino dhe Gabriele Gagliarini.

Olen Çezari është violinisti gjenial që ka shpënë emrin e Shqipërisë në skenat më prestigjioze të muzikës klasike dhe në çmimet më të lakmuara të muzikës botërore.

I lindur në Durrës nga një familje artistësh, Çezari ka mahnitur Shqipërinë duke filluar debutimin e tij në moshën 5-vjeçare, ndërsa kurorëzimet e suksesit erdhën njëra pas tjetrës në kohë rekord me çmimin më të lartë të muzikës klasike në Shqipëri, e më pas një bursë studimi në Konservatorin e Romës, “Santa Cecilia”.

Rekordet vazhduan të karakterizojnë karrierën e tij prej të riu fenomenal e madje në moshën 17-vjeçare Çezari përfundoi konservatorin “Santa Cecilia” me notën maksimale, duke u bërë kështu i diplomuari më i ri në moshë në historinë e shkollës prestigjioze të muzikës.

Më pas kërkimi muzikor e ka çuar edhe më lart e në shtigje të reja muzikore duke e shndërruar ‘Paganinin e ri’ në një muzikant eklektik që lëviz lirshëm mes muzikës klasike, jazz-it, pop-it e muzikës tradicionale të botës.

Ndërsa në Itali, vendi ku jeton ndërmjet koncerteve të panumërta, është i famshëm jo vetëm për artdashësit më të rafinuar që i njohin ri-aranzhimet e kolosëve klasikë të violinës apo ekzekutimet e tij që i vlejtën emrin ‘Paganini i ri’, por edhe për bashkëpunimet e suksesshme me këngëtarë si Daniele Silvestri, Max Gazzé, apo Carmen Consoli. Ndërsa shpeshherë ka debutuar me emrat më të njohur të muzikës së lehtë italiane në skenën e San Remos.

Është pa dyshim një artist me një jetë kozmopolite, po aq sa edhe profil eklektik i violinës është rikthyer në Shqipëri me një tur koncertesh. “Sepse ka ardhur koha të promovojmë kulturën shqiptare e të tregojmë se kush jemi në të vërtetë”, – thotë Çezari.

Nga ana tjetër, ambasadori Sequi duke bërë një krahasim mes zhurmave dhe muzikës, tha se ndryshimi mes tyre është harmonia, një tipar ky që e karakterizon ndërlidhjen dhe marrëdhëniet mes vendeve të BE-së, por nuk la jashtë vëmendjes dhe dialogun, tjetër element ky jo më pak i rëndësishëm.

“Dialogu është një nga vlerat kryesore të BE-së. Ndryshimi mes muzikës e zhurmës është harmonia. Nëpërmjet këtij turi koncertesh ne dëshirojmë të promovojmë idenë që ju mund t’i afroheni Europës”. A.Tuci Gazeta Mapo

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here