Nuk besojmë se i ka munguar ndonjëherë admirimi. Ka një elegancë dhe feminilitet, që zor se shpëton pa rënë në sy.

Pakëkush e ka menduar, madje dhe ajo vetë, që një ditë do të ishte Zonja e Parë e vendit. Zonja Odeta Nishani e quan këtë një nga të papriturat e jetës: “që nuk kanë qenë të pakta këto vite….”-tregon ajo, duke mos na kursyer buzëqeshjen e saj.

Kënga e preferuar e çiftit Nishani? “Vivo per te” dhe… Zonja Odeta nuk e kishte menduar kurrë që do të jetonte me një President!

Ngjarje të tilla të ndryshojnë jetën, e megjithatë Zonja e Parë na rrëfen se jeta familjare nuk ka ndryshuar shumë, por sigurisht janë shtuar telefonatat dhe mesazhet. Në një rrëfim të sinqertë për rubrikën “Jetë” në “Shekulli”, zonja Nishani tregon ditët e para të të qenit një Zonjë e Parë, emocionet që përjetoi ajo dhe dy fëmijët e çiftit gjatë momentit të votimit, zgjedhja e veshjes për ditën e ceremonisë e shumë detaje të tjera. Por… çdo e ardhme e ka një të shkuar, ndaj ne nuk kishim si të mos e pyesnim zonjën Nishani për të shkuarën e saj. Njohja me zotin Nishani, ceremonia e martesës, shtëpia e parë dhe vështirësitë e të qenit një bashkëshorte, nënë, grua dhe amvisë. E kush mund ta njohë më mirë presidentin, z. Bujar Nishani, se sa bashkëshortja e tij?! Duke “përfituar” nga rasti, ne u përpoqëm të zbulonim disa të “fshehta” të Presidentit, si për shembull: ushqimin e preferuar, muzikën që dëgjon, vesin më të keq, apo edhe objektin më me vlerë në shtëpinë e tij. ‘Sekretet’ ia zbulon vetë bashkëshortja e tij, znj. Odeta.

Zonja Odeta, vetëm pak ditë kanë kaluar nga betimi i Presidentit dhe ju po përjetoni të qenit zonjë e parë. Si ka qenë kjo kohë për ju?

Në fakt është një periudhë shumë e shkurtër dhe ka qenë e mbushur me takime dhe urime të shumta nga miqtë dhe dashamirësit, brenda dhe jashtë vendit.

Kur merr një pozicion të tillë ndryshon dhe rrjedha e përditshme apo jo…

Jeta familjare nuk ka ndryshuar shumë, është pothuajse e njëjta. Bujari ka qenë disa vite ministër dhe ato fillime “po”, na ndryshoi rrjedha e jetës (mungesa e tij në shtëpi, shoqëruesit etj). Në jetën sociale, besoj do të ketë ndryshime, por akoma nuk mund të flas, është shpejt.

E kishit menduar dy muaj më parë që sot do të flisnit në këtë pozicion?

Sigurisht që nuk e kisha menduar, jeta ka të papriturat e saj dhe për ne nuk kanë qenë të pakta këto vite….
Besoni edhe ju në shprehjen e famshme që, ‘pas një burri të suksesshëm fshihet një grua e fortë’?

Jo gjithmonë, megjithëse varet çfarë kuptohet me “grua e fortë”.

Si e kanë pritur fëmijët tuaj babanë President?

Janë të gëzuar normalisht. Djali ishte në Austri ditën e votimit dhe e përjetoi me shumë emocione, ndërsa vajza më shoqëroi mua në ato momente të veçanta…

Zonja Odeta, kur u vendos që do ishit Zonjë e Parë, përveç gëzimit ndjetë siklet?

Isha shumë e emocionuar atë ditë dhe nuk mbaj mend asgjë, ishte fare pa pritur.

Cilat nga Zonjat e Para të Shqipërisë keni simpatizuar më shumë?

Secila prej tyre ka pasur profilin e saj, por zonja Berisha në gjykimin tim ka pasur dimension më të plotë dhe më aktiv.

Zonja Odeta, cili ka qenë angazhimi juaj dhe me çfarë merreshit më parë?

Kam vite që punoj si drejtuese në Departamentin e Statistikave në Ministrinë e Turizmit, ndërsa pjesën tjetër të kohës ia përkushtoj familjes, sidomos vajzës, e cila është akoma e vogël.

A e ndjeni tani që ju janë “larguar” njerëzit, ndoshta për shkak të statusit tuaj? E kanë më të vështirë t’ju thërrasin për kafe apo t’ju bëjnë vizita?

Jo aspak, ju siguroj që më janë shtuar telefonatat dhe mesazhet dhe vijoj të shpenzoj të njëjtën kohë me ta.

Sa kohë i keni kushtuar fëmijëve?

Jo aq sa duhet.

Ju apo zoti President është i përkushtuar më shumë ndaj fëmijëve?

Unë më shumë. U benë vite që Bujari ka qenë i angazhuar me detyra të rëndësishme në politikë dhe sigurisht, koha për ta ka qenë e kufizuar, por në momente të veçanta përkushtimi i tij ka qenë i rëndësishëm.

Ndërsa flasim për familjen tuaj, na tregoni pak si u krijua kjo familje? Si jeni njohur ju me bashkëshortin tuaj?

Bashkë për herë të parë jemi takuar në Durrës në verën e vitit 1992. Unë në atë kohë isha në vitin e katërt të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ndërsa Bujari ishte pedagog në Akademinë Ushtarake. U martuam në tetor të vitit 1994.

Keni bërë dasmë? Ka qenë tradicionale apo…?

Po, dasma ka qenë tradicionale, domethënë zgjati dy net. Atëherë ishte vështirë për ambiente dhe veshje (kam parasysh fustanin e nuses). Mbaj mend që për gatimet u angazhuan shumë gra të pallatit, por çdo gjë shkoi shumë mirë.

Cila ka qenë shtëpia juaj e parë?

Pasi u martuam ne kemi jetuar për pak vite në një shtëpi 1-katëshe përballë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila na u kthye si pronë ato vite.

Si i përballuat vështirësitë e një familjareje të re?

Çdo familje e re ka vështirësitë e saj, po i riu si veriu thotë populli (qesh).

Të qenit Zonjë e Parë ka edhe kosto të tjera. A do ndryshoj gardëroba juaj?

Po, gardëroba ka filluar të ndryshojë.

Fustani që veshët ditën e betimit, ishte i blerë apo i porositur?

Fustani ishte “Valentino” i blerë në Itali. Mendova që ngjyra e zezë është ideale për ceremoni dhe pse jo, me zhapone, derisa emra me famë në botën e modës e kanë stiluar!

Do vazhdoni të kujdesni vetë për veshjet, apo do të merrni stilist personal?

Unë tashmë po konsultohem me një stilist në Tiranë.

Vlerësimi

“Teuta Topi Zonjë e nderuar. Liri Berisha nënë dhe grua perfekte”

Cilat janë raportet tuaja me ish-zonjën e parë Teuta Topi?

Me zonjën Topi jam takuar disa herë në aktivitete të ndryshme. Është një zonjë e nderuar, e cila më dhuroi një tufë me lule ditën e ndërrimit të presidentëve.

Po me bashkëshorten e kryeministrit Zonjën Liri Berisha?

Me zonjën Berisha kam pasur raste të takohem me shpesh. Është modeli i një gruaje të suksesshme, jo vetëm në familje si nënë dhe grua perfekte, por edhe në karrierën e saj si mjeke. Unë e respektoj shumë edhe për kontributin e saj në aspektin humanitar.

Zonjat e Para, pasi marrin këtë status, angazhohen në bamirësi. Ju do të vazhdoni të bëni punën që bëni, apo do të angazhoheni me çështje sociale e me shoqata bamirësie?

Unë do të vazhdoj punën duke dhënë kontributin tim në zhvillimin e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e mjedisit, tani edhe më shumë me statusin e ri. Por sigurisht edhe me çështjet sociale do të angazhohem.

Cilat nga Zonjat e Para të Amerikës do të doni të ndiqnit si model?

Michelle Obama më pëlqen për tipin sportiv, karakterin e fortë dhe sigurisht ngjyrat që vesh.

Gatimi i preferuar i Presidentit? Peshku në zgare.

Jeni ju një amvisë e mirë, sa kohë kaloni në kuzhinë?

Tani jo shumë, megjithëse ne na pëlqen të dyve të gatuajmë.

Cili është gatimi i preferuar i Zotit Nishani?

Peshku në zgarë, spageti me domate.

Është ai një burrë romantik, apo reflekton sjelljen prej “ushtaraku”?

Bujari ka qenë gjithmonë i afërt me familjen. Ai asnjëherë nuk ka përcjellë ngarkesën e punës në marrëdhëniet me ne.

Cili është vesi më i keq i bashkëshortit tuaj?

Neglizhon vazhdimisht pushimet, ose asnjëherë nuk bëjmë pushime të rregullta. Gjithmonë ka ndonjë ditë shkëputje, telefonata punë, lajme, gazeta, etj.

Çfarë vlerësoni më shumë të bashkëshorti juaj?

Sinqeritetin dhe karakterin e tij.

Çfarë muzike dëgjon Bujar Nishani?

Klasike dhe italiane të viteve 80-90.

Keni një këngë tuajën të përbashkët, cila është ajo?

Po kënga e tenorit italian Andrea Boçeli “ VIVO PER TE”.

Cili është shkrimtari i tij i preferuar?

Ka disa, shqiptarë dhe të huaj…

Po objekti më me vlerë që ka në shtëpi, e që e ruan si “sytë e ballit”?

Është një kalë i bardhë i bukur…

Do të qëndroni në apartamentin tuaj, apo do të zhvendoseni në Pallatin e Brigadave?

Presidenti i Shqipërisë me familjen nuk jeton në Pallatin e Brigadave. Nuk e di pse të gjithë këtë pyetje ma bëjnë kështu. Është një rezidencë qeveritare, e cila po rikonstruktohet. Me pas ne do të zhvendosemi atje.

Ku i kaloi pushimet familja presidenciale?

Pak ditë në Pogradec dhe një javë në Dhërmi.

Ndoshta një pyetje që mund t’ju bezdisë, por jam e detyruar t’jua drejtoj. Përveç të tjerash, Zoti President është komentuar këto kohë edhe për sëmundjen e tij, që sipas komentuesve e pengon në punën e tij. Ju si i gjykoni këto komente dhe për më tepër, si e keni kaluar periudhën kur Zoti Nishani ka kaluar sikletin e sëmundjes?

Sigurisht dhe ato që flasin për sëmundjen e tij e kanë të qartë që nuk e pengon aspak në punë. Jemi në demokraci dhe zërat dashakeqës janë të lirë të flasin. Ajo tashmë është e kaluar dhe unë i lutem Zotit që ta ndihmojë në detyrën fisnike të kreut te shtetit.

E bija e një tregtari nga Kosova dhe e mbesa e një prej firmëtarëve të aktit të Pavarësisë

Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani është nëna e dy fëmijëve Fiona dhe Ersi, si edhe vajza e Shegushe dhe Ali Kosovës. Babai i saj vjen nga një familje tregtarësh nga Kosova, të vendosur në qytetin e Durrësit në vitin 1905, ndërsa nëna vjen nga familja Karaosmani, gjyshi i së cilës ishte një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, si dhe Ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Ismail Qemalit. Elbasani është vendi, në të cilin Znj. Nishani u rrit dhe kreu arsimin e mesëm të përgjithshëm në shkollën “Dhaskal Todri”. Më pas Zonja e Parë, Odeta Nishani u diplomua në Universitetin Politeknik të Tiranës si “Inxhiniere për Ndërtime Civile dhe Industriale” në vitin 1993. U martua me zotin Bujar Nishani në vitin 1994. Znj. Nishani e nisi karrierën e saj profesionale në Akademinë Ushtarake si Drejtuese Investimesh, duke vijuar më tej në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve, si Inxhiniere Ndërtimi dhe Konstruktore për një periudhë 10-vjeçare.

Profesionalisht statusi i Zonjës së Parë e gjen Znj. Nishani në fushën e Zhvillimit të Turizmit, në detyrën Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë fushë, Zonja e Parë e vendit mban titullin “Master në Menaxhim Turizmi”, fushë në të cilën kontribuon gjatë këtyre 7 viteve. Karriera akademike e Znj. Odeta Nishani është shoqëruar gjithashtu nga një sërë trajnimesh në fushën e saj profesionale, të kryera nga Institucione/Organizma Ndërkombëtarë kryesisht jashtë vendit, si në SHBA, Europë dhe Azi.

Bio

Emri: Odeta

Mbiemri: Nishani

Vendlindja: Elbasan

Profesioni: Inxhiniere ndërtimi

Gjendja civile: E martuar me Bujar Nishanin

Fëmijët: Dy, Ersi dhe Fiona

Arsimimi: Në vitin 1992 mbaron studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në degën Ndërtim

Eksperienca e punës: Shefe ndërtimesh në Akademinë Ushtarake. Për 10 vjet ka punuar në Institutin e Projektimeve Ushtarake.

Drejtoresh e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinis dhe Sporteve.

Ndryshon statusi, por jo njeriu

“Jeta familjare, nuk ka ndryshuar shumë, është pothuaj e njëjta. Bujari ka qenë disa vite ministër dhe ato fillime po, na ndryshoi rrjedha e jetës, mungesa e tij në shtëpi, shoqëruesit etj”- kështu i përgjigjet Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë kuriozitetit tonë nëse ka ndryshuar diçka në përditshmërinë e saj. Ajo del çdo mëngjes në të njëjtën orar nga shtëpia dhe po më të njëjtën buzëqeshje dashamirëse që e karakterizon. Përshëndet çdo kënd që ka përballë, pa kurrfarë kompleksi. Teksa na tregon rrugëtimin e saj deri në këtë pozicion, kujton me nostalgji njohjen me Presidentin në plazhin e Durrësit. E më pas kalojmë në ditën e dasmës, ku për gatim ishin angazhuar të gjitha gratë e pallatit. Vitet e para të martesës? I riu si veriu- shprehet zonja Nishani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here