Nostalgji për Silvana Braçen, ikonën e ekranit shqiptar. Ja çfarë na rrëfen ajo Silvana Braçe, nuk e ka humbur kurrë ëmbëlsinë për të cilën e mbajmë mend, edhe pse, me vitet dhe ndryshimet e rrufeshme, krejt padashur, u ka humbur syve tanë.

Në vitet ’90, ekrani i RTSH-së ishte dritarja jonë, por dhe e saj.
Prej aty, prezantuesja e parë e spektaklit në Shqipëri përcillte mesazhe që sot i përcjell në një intervistë për “RevistaWho.com”.

Ndonëse ekranet janë të shumta dhe prezantueset po ashtu, imazhi i saj, nuk ka gjetur ende zëvendësuese, as elokuenca, as intonacioni, as përkëdhelja e frazës, madje as kumti që përcillte.

Kjo mungesë e saj në ekran u dëshmua nga paraqitja në dhjetor në Festivalin e RTSH-së. Impakti qe i jashtëzakonshëm – të gjithë e duan ende, e duan me shumë se dikur, sepse mungesa dhe malli ia kanë shtuar dashurisë peshën. Rikthimi i ikonës në skenën e magjishme dhe në ekranin ku për vite të tëra përshëndeste bashkatdhetarët, nostalgjia për të shkuarën e pakthyeshme, bashkoi njëherësh dhjetra ndjesi. Sot, kur të tërë rendim pas konsumit dhe vrapojmë e veprojmë pothuaj me ‘shpejtësinë e mendimit’, ajo na kujton se kanë rëndësi të gjithë hapat, më shumë se finishi, se duhet shijuar rruga dhe jo përfundimi, e se ne udhëtojmë për të shijuar vetë udhëtimin më shumë se vendmbërritjen.

Në të gjithë botën 8 marsi është ditë proteste për të drejtat e grave… Po për Silvën çfarë kuptimi merr kjo ditë? Si e kalove?

Është e vërtetë se kjo ditë, 8 Marsi, u vendos një shekull më parë të jetë kujtesë dhe protestë për të drejtat e grave, të cilat atëherë luftonin për ditën 8 oreshë të punës, për pagë të barabartë me burrat, për të drejtën e votës, kërkesa fondamentale për një shoqëri të civilizuar. Tashmë këto janë tejkaluar dhe sot vëmendja në Ditën Ndërkombëtare të Gruas është përqëndruar tek një plagë tjetër që kohët nuk po e shërojnë, tek dhuna ndaj grave si dhe tek rritja e përqindjeve të pjesëmarrjes së tyre në jetën politiko-shoqërore. 8 marsin e kalova në Shkodër ku pata rolin e moderatores në një organizim të Fondacionit “Ana, zëri i shpresës”. E veçanta në këtë takim ishte pjesëmarrja e rreth 70 grave bashkatdhetare që kishin ardhur nga Greqia, të cilat emocionuan me mallin e viteve larg vendlindjes dhe me mesazhet e solidaritetit mes tyre, forcës, vitalitetit dhe sukseseve edhe pse në vend te huaj. Falenderimi për këtë event me rreth 500 gra të fushave dhe profesioneve të ndryshme, me humor e muzikë, me drekë e dhurata shkoi për Diela Ana Preka që mundësoi falas gjithçka, për këtë grua të rrallë, tepër e sukseseshme në biznes dhe humaniste e shquar.

Për çfarë do të protestoje ti?

Në një ditë si kjo unë do të protestoja për të parën, kundër çdo lloj dhune ndaj grave. Në fakt do të protestoja për dhunën në përgjithësi në mbrojtje të dinjitetit njerëzor që do të thotë: kundër injorancës, padijes dhe mungesës së ndërgjegjes.

A është më e vështirë për një femër të punojë në botën e televizionit? Për ty si ka qenë?

Është e vështirë të punosh në botën e televizionit, sepse nuk është një punë e zakonshme. Do njerëz të përkushtuar dhe shumë sakrifica. Femrat janë më të prirura për këto, por ekspozimi dhe qënia person publik ka kosto të lartë për to. Megjithatë, për mua jeta në ekran ka qenë sa e vështirë dhe e bukur. E kam shijuar.

Mendon se femrat gabojnë, apo gabimet e tyre vijnë gjithmonë si pasojë e sjelljes së një mashkulli?

Patjetër që femrat gabojnë, sikurse dhe meshkujt mund t’i çojnë ato rrugë e pa rrugë. Në të dyja rastet të shpresojmë, të njohin përgjegjësitë dhe të mësojnë nga gabimet.

Po urimet që more në ditën e gruas si ishin? Çfarë të tha bashkëshorti? Po djali?

Në familjen tonë nuk kanë rëndësi këto datat me të kuqe në kalendar, madje as të tjerat, thjesht të familjes. Jetojmë pa këtë kushtëzim.

Si janë ditët e tua? Me çfarë je e angazhuar momentalisht?

Ditët e mia janë shumë të ngarkuara me komunikime të panumërta meqenëse jam një natyrë shumë miqësore dhe aktive në profesion. Pjesëmarrja në koncerte brenda dhe jashtë vendit më merr shumë kohë. Gjithsesi familja është kryefjala e çdo dite.

Të mungon ekrani? Po ti a i mungon njerëzve në ekran, si mendon?

Ekrani më mungon, por mendoj dhe njerëzve që më duan ju mungoj, sepse me këmbëngulje më kërkojnë dhe me pyesin çdo ditë: “Pse nuk del në televizor? Kur do të shohim në televizor?”.

Cila është figura televizive që vlerëson më së shumti sot?

Pëlqej shumë figura të ekranit saqë nuk mund të veçoj. Por a e dini? Mua më tërheq pa masë humori, ndaj dhe shumë të preferuar i kam aty. (Revista Who)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here