Këngëtarja e bukur kosovare Nora Istrefi, e cila është shumë e njohur për publikun vjen në këtë intervistë duke na rrëfyer më shumë për këngën e saj më të re, por edhe për Robertin dhe planet për të ardhmen.

Nora tregon për problemet në muzikë, por njëkohësisht u përgjigjet edhe thashethemeve sipas të cilave shpesh ajo imiton këngëtare të tjera.

“Unë ende nuk kam bërë asnjë operacion plastik që të përpiqem t’i ngjaj dikujt tjetër, – thotë Nora, ndërsa shton se nëse do të përpiqej të krahasohej me këngëtare të tjera, kjo do të ishte e vërtetë vetëm me ato perëndimore dhe josllave.

Njëkohësisht Nora, e cila po jeton prej 6 vitesh një histori të lumtur me të fejuarin e saj Robertin, tregon se shumë shpejt do të vishet me fustan të bardhë, ndërsa pyetjes sonë nëse e sheh veten nënë së shpejti i përgjigjet “nuk i dihet kurrë”. Ndërkohë që kënga e saj e re “S’ke me ik” po korr mjaft sukses, Nora premton edhe shumë surpriza të tjera gjatë këtij viti.

Nora, si ka nisur për ju 2012-ta? Cilat janë projektet që kanë marrë start këtë vit?

Si fillim e nisa me një projekt të ri dhe sigurisht do të jenë edhe disa këngë të tjera që do të lançohen këtë vit. Do të ketë edhe një surprizë tjetër, të cilën nuk dua ta them pa u afruar momenti i duhur.

Së fundi, vetëm pak ditë para Shën Valentinit keni lançuar këngën tuaj më të re. Ishte kjo një zgjedhje e qëllimshme?

(Qesh). Jo, nuk ishte e qëllimshme. Në fakt u vështirësuan gjërat për shkak të motit të keq dhe u vonuam pak. Por ndoshta doli në kohën e duhur, kur njerëzit pushuan pak nga festat.

Me kë keni bashkëpunuar për këtë këngë?

Për këngën “S’ke me ik” kam bashkëpunuar me “Zzap & chriss”, të cilët kanë bërë muzikën, ndërsa teksti është një krijim i “Bim bimma”.

Në këtë klip shfaqeni me pamje të ndryshme. Ju pëlqen të eksperimentoni shumë me look-un tuaj?

Jam pro ndryshimeve, por deri në një masë. Nuk dua të eksperimentoj shumë, të dal shumë nga vetja…i dua ndryshimet sa për një freskim!

Kujt i thotë Nora “S’ke me ik”?

Robertit(qesh).

Sa e vështirë është të ruash famën dhe suksesin në një treg që duket se çdo ditë e më shumë po bëhet më i fortë?

Hmm, pyetje me vend. Më vjen mirë që tregu ynë po përparon dhe jemi më të mirët në Ballkan, për mendimin tim! Është mjaft e vështirë për ta ruajtur famën ose ta çosh edhe më lart. Duhet shumë, shumë punë. Të gjitha gjërat duhet të jenë në vendin e vet. Interpretimi: duhet të veçohesh patjetër, të dallosh nga të tjerat! Kënga dhe teksti duhet të zgjidhen me shumë kujdes, pastaj sigurisht t’i hapësh sytë mirë për gjërat e tjera me radhë, si klipi, kërcimi, stili etj. Duhet që të gjitha të jenë në nivelin e duhur. Dhe pothuajse të gjitha gjërat duhet t’i mendosh dhe t’i kryesh vetë.

Si ia keni dalë të menaxhoni famën deri tani?

Them se mirë. Jam munduar që çdo gjë ta mbaj nën kontroll. Gjithmonë kam punuar shumë për këtë gjë. Nuk kam përtuar për asnjë gjë. E kam dashur famën, por edhe kam jetuar jetën time. Nuk mendoj që më ka penguar.

Çfarë bëni kur dëgjoni thashetheme për veten tuaj? Si reagoni?

Varet. Ndonjëherë vërtet e teprojnë gojët e liga dhe shtypi, shkruajnë gjëra komplet të pavërteta. Të them të drejtën mjafton që unë të ndihem mirë, të kem ndërgjegje të pastër.

Nora, si e kaluat ditën e të dashuruarve me Robertin?

Nuk dua ta bëj bajat Shën Valentinin, por vërtet nuk e kam festuar asnjëherë. Me Robertin kemi gjashtë vjet bashkë dhe asnjëherë nuk na ka bashkuar kjo festë, për shkak të profesionit që kemi. Sa herë që këndoj për këtë rast dhe shoh çiftet të bashkuara se si kënaqen, unë i kam zili (qesh)

A e ka gjetur zemra juaj dashurinë e vërtetë, atë ‘të madhen’? Është Roberti mashkulli juaj ideal?

Them po, absolutisht. Në fillim përpara se të lidheshim nuk ka qenë mashkulli ideal. Kemi qenë shokë, pastaj filluan të ndryshojnë gjërat dhe nuk e ndërroj me askënd në botë. Është vërtet shumë, shumë i mirë.

Kur e shihni veten të veshur me fustan të bardhë, apo nënë? Është kjo në planet tuaja të afërta, krijimi i një familjeje?

Me fustan të bardhë nuk është shumë e largët, ndërsa kësaj të dytës nuk i dihet kurrë…

Nora, çfarë nuk dinë njerëzit nga jeta juaj? Si jeni në një ditë të zakonshme?

Kam një jetë shumë të thjeshtë, si të gjithë prishtinasit. Nuk dallon asgjë ndryshe.

Kujt ia dedikon famën, talentit apo punës?

Babait tim.

Shpeshherë ju kanë akuzuar se imitoni look-un e këngëtareve të tjera…..

Zakonisht njerëzit (ata që nuk ta duan të mirën, që xhelozojnë për arsye kot), gjithmonë kapen diku. Unë ende nuk kam asnjë operacion plastik që të mundohem t’i ngjasoj ndokujt. Jam kjo që më ka falur nëna natyrë. Sa i përket look-ut dua gjithmonë të vesh rroba të dizenjuesve të njohur. E dua modën, trendin…Edhe yjet e Hollivudit shpesh i shohim me gjëra të njëjta, të dizenjuesve që janë në trend. Ku ka më mirë që ne të mund të krahasohemi sadopak me ato, qoftë në muzikë apo edhe në look! Ne dihet se sa shqiptarë jemi të gjithë dhe me çfarë buxheti punojmë. Ata janë ‘peshq të mëdhenj’ për ne. Unë e kam thënë gjithmonë, që do të mundohem deri diku sigurisht, të krahasohem me këngëtaret amerikane apo europiane, por asnjëherë me ato sllave./mapo/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here