Regjisori i filmit “Million Dollar Baby” mund të ndihet më mirë pas debaklit që pësoi nga mbivlerësimi në vitin 2005 kur kishte marrë “Oscar” për filmin më të mirë.

Përpos kësaj, ky film që nuk ka qenë më shumë sesa një “operë filmike e dobët” do të mbetet në histori edhe për diçka tjetër.

Nga atëherë “Academy of Motion Picture Arts and Scienes” ka bërë edhe zyrtarisht publike se është përplot me “pleq tekanjozë” që për çdo vit na dalin me disa nominime të cilat as vetë ata nuk e dinë se për çfarë i nominojnë.

Ata në këto shtatë vjetët e fundit na dalin çdo janar duke na dhënë disa filma si të nominuar për më të mirin e vitit. Por shumica e tyre zakonisht janë parë vetëm nga një pjesë e vogël e publikut pasi që koha kur ata janë dhënë premierë është ose dhjetori i vonë ose fillimi i janarit.

Megjithatë në vitet që pasuan nga 2005, publiku shpeshherë çliroi veten duke u dhënë votën filmave si “The Departed” ose “No Country for Old Men”, të cilët megjithatë kishin marrë çmime të merituara. Të paktën këta filma ende po i qëndrojnë kohës.

Por për fat të keq këta filma janë një përjashtim në listën e fituesve “Oscar” për më të mirin e vitit. Për çdo “No Country for Old Men”, ka edhe një “The Hurt Locker” ose “The King’s Speech”. Këtë vit ka ende refleksion në të njëjtin mentalitet të lodhur, megjithëse duket se është zmadhuar sesa çdo vit tjetër. Merrni shembull “The Artist”: një film i dashur e fin, por një klasik i tillë është i njohur për Academy e prapë duket origjinal megjithëse duket se nuk është. E njëjta vlen edhe për “The Help”, që sa i përket temës është i stërmbushur me gjëra që tashmë janë “gëlltitur”. E çka të themi për Demian Bichir, i cili është një aktor i madh në mënyrën e vet, por duket se ka ardhur nga “asgjëkund” për të vjedhur çmimin për aktorin më të mirë nga yje si Ryan Gosling dhe Michael Fassbender, dy aktorë që tashmë kanë shkëlqyer me performancat e tyre në dy filmat më të mirë të vitit përkatësisht nga filmi “Drive” dhe “Shame”. Asnjë nga këta filma nuk është nominuar për “Oscar” këtë vit.

Në tentim për të parë në mënyrë korrekte atë se ku kanë gabuar “akademikët” shohim se si për çdo vit po shkohet ka një degradim ani pse vitin e kaluar në njëfarë mënyre ishte bërë një tentim për ta larë veten. Një dështim i vitit të kaluar ishte nominimi i tepërt i filmit “The Fighter”, për të cilin edhe kritika me tonin më të lehtë e kishte përkufizuar filmin si “një dremitje” dhe asgjë më shumë.

E këtë vit “Drive” njëri prej filmave më origjinal unik e me një kritikë super të vlerësuar është lënë shumë anash. Në katër sajtet të cilat janë më të famshmet në botë filmi ka një sukses të jashtëzakonshëm. Aktualisht në “Rotten Tomatoes” ka vlerësim prej 93 për qind, ndërsa në “IMDB” është në mesin e 250 filmave më të mirë të të gjitha kohërave. E “pleqtë” e Akademisë nuk i kanë dhënë asnjë nominim këtij filmi të mrekullueshëm. E në vend të këtij filmi është nominuar një melodramë e cilësisë së dorës së dytë që rrëfen për një djalë që përpiqet të lidhet me babin e tij që vdes në sulmin e 11 shtatorit. Duke parë këtë nominim e kupton se përse filmi “Extremely Loud and Incredibly Close” është i lidhur me anëtarët e akademisë mosha e të cilëve është rreth të 60-ve. Duke marrë parasysh këtë, ka qenë një mrekulli e madhe kur ata kanë nominuar “The Social Network” apo “There Will be Blood”.

Teksa akademia është shprehur gjithmonë se është e sigurt për zgjidhjet që bëjnë duke i dhënë çmimin “Dances With Wolves” përpara “Goodfellas” ose “Shkaespeare in Love” përpara “Saving Private Ryan”, zgjidhjet e tyre janë tashmë të vërtetuara si të shkollës së  vjetruar. Kësisoj prestigji i të marrit një “Oscar” tashmë nuk do të ndihmojë askënd. Ka disa vite që “Oscar” nuk po merret si shembull për t’i bërë publicitet filmit.

Krejt çka mund të shpresohet në një kthim në rrugën e drejtë të çmimeve “Oscar” është një kthesë e detyruar duke u dhënë rëndësi filmave të cilët meritojnë statuja ari e jo vetëm shkëlqim “aroma” e të cilit do të qëndrojë vetëm një javë pas ceremonisë e cila këtë vit do të mbahet më 26 shkurt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here