Ai është njëri prej artistëve të rrallë, dhe artisti që ka ditur t’i mahnitë shqiptarët dhe botën me tingujt e violinës së tij.

Shkëlzen Doli është muzikanti i parë dhe i vetëm në Filarmoninë e Vjenës, këtij qyteti me një traditë kaq të vjetër muzikore. Thotë se muzikën e ka dashur dhe e ka kërkuar vetë, dhe se rruga e tij deri këtu ishte e vështirë…

– Zoti Doli, keni arritur majat e suksesit në muzikën klasike, që pos se është e veçantë, është dhe goxha e vështirë. Më thoni cila ka qenë rruga juaj deri këtu?

– Shumë e vështirë, duke e pasur parasysh që muzika klasike në atë kohë (por edhe tashti) nuk kishte ndonje perspektivë të qartë apo rëndësinë e duhur në shtresat e popullit kosovar. Për të vazhduar më tutje muzikën klasike duhej të ishe shumë i guximshëm dhe të kishe një vetëbesim të hekurt. Aq më shumë duke e ditur që në këtë rrugëtim – o do të arrija maksimumin që mund të arrijë një muzikant klasik (në atë kohë ishte më shumë ëndërr se sa mundësi për t’u realizuar), ose pastaj do isha detyruar të bëhesha “ahengxhi” për të nxjerrë bukën e gojës në Kosovë. Sot unë bukën e ha nga muzika klasike, kurse muzikën popullore apo ahengun e vërtetë (që sot në trojet shqiptare është gjithmonë e më shumë duke u shuar) në radhë të parë e luaj për ta mbushur Libidon dhe për t’u inspiruar, kurse detyrimi im moral është prezantimin e saj në gjithë botën.

– Keni fituar disa çmime rajonale në fillim të karrierës suaj, derisa akoma ishit në Kosovë, ç’mund të na thoni për atë kohë?

– Unë violinën e kam filluar relativisht vonë, si 9-vjeçar. Ideja e prindërve të mi ishte më shumë për të pasur një kulturë muzikore sesa të bëhesha një “Wunderkind” siç ishte atëherë dhe është akoma në modë. Pra kam pasur një fëmijëri normale, nuk më mbyllnin në dhomë për të studiuar nga 8 orë në ditë. Këtë e bëja me dëshirën dhe vullnetin tim, aq shumë që ca fëmijë të lagjes në Gjakovë që e quanin veten “Hajgarexhi” kur më shihnin në rrugë gjithmonë me violinë thoshin: “U qy ky që kalon me violinën”. Edhe sot e asaj dite gruaja ime e parë që më dëgjon shumë është violina -:), rezultati i kësaj pune u pa shumë shpejt me sukseset e mia në garat rajonale të Kosovës. Kisha fatin që përpos profesorit tim të parë në Gjakovë – Sefedin Lleshit (që ishte shumë pedant dhe punëtor) punoja në violinë edhe me profesor Menan Kiserin në Prizren. Nga ai kam mësuar gjithashtu shumë.

– Kush ju ka nxitur në zgjedhjen tuaj muzikore, ose më saktë kush ka ndikuar në këtë zgjedhje, dhe a keni pasur ndonjë figurë që e keni pëlqyer më shumë?

– Padyshim që nxitjen apo përkrahjen kryesore e kam pasur nga prindërit. Edukimi nga ana e mamit ishte më shumë për rregullin, organizimin dhe disiplinën për mësim (aq sa mund të ketë një artist), kurse nga babi anën kreative dhe artistike. Gjithashtu të rritesh në një qytet siç është Gjakova – Djep i Artit dhe Kulturës Kosovare – dhe të mos lind dëshira për t’u marrë me të është gati e pamundur. Gjakovarët siç e dinë të gjithë mund të rrinë pa bukë, por jo pa ushqimin e shpirtit -muzikën, kaq shumë e duan dhe e çmojnë muzikën dhe artin gjakovarët. Mundësia për të parë TV Shqiptare në Gjakovë, që nuk arrihej të pengohej dot nga Serbia në kohën e ish- Jugosllavisë ishte shumë domethënësë për ne. E mbaj mend si sot sa emocion më zgjonte kur prezantohej Ansambli i Këngëve dhe i Valleve në televizor, po ashtu artistët e vërtetë si këngëtarja Vaçe Zela, Avni Mula, instrumentistët si Hekuran Xhamballi, Ethem Qerimi, këngëtarja e mirënjohur Hafsa Zyber, apo dueti i paharuar Zena, për t’i veçuar disa nga shumë të tjerë. Këto udhërrëfyes apo nga këto ikona të muzikës shqiptare jam edukuar dhe mu këtu merr zanafilla e rrugës time artistike.

Arritja ime deri në Filarmoni të Vjenës nuk mendohej dot pa bazën – shkollën e mesme të muzikës të Novi Sadit. Kjo shkollë ishte njëra ndër më të fortat e asaj kohe. Aty kam mësuar zanatin e violinës (te profesorët hungarezë) dhe teorinë e muzikës. Isha i përgatitur për çdo universitet të muzikës në botë. Për fat të mirë arrita të regjistrohem në Universitetin Shtetëror të Austrisë në Vjenë. Pak vite më vonë jeta ime artistike mori një shtytje akoma më të madhe, fillova të luaj më orkestrën më prestigjioze të arenave internacionale – Filarmoninë e Vjenës.

– Jeni muzikanti i parë shqiptar në Filarmoninë e Vjenës…

– Ashtu është, unë jam muzikanti i parë dhe i vetëm në Filarmoni të Vjenës. Vjena si kryeqytet i muzikës klasike tërheq shumë muzikantë nga gjithe viset e botës, për të studiuar apo për ta joshur jetën artistike që është shumë intenzive në Vjenë. Për këtë arsye është synim i shumë studentëve shqiptarë për të studiuar këtu. Jo të gjithë arrijnë të kenë sukses dhe të jetojnë nga ky profesion. Të vetmit artistë që e kanë arritur këtë deri tani janë: valltari Eno Peci (anëtar i Operas së Vjenës) dhe Edison Pashko (violonçelist, po ashtu antar i Operas së Vjenës, për të cilin shpresoj se së shpejti ta kemi anëtar edhe të Filarmonisë). Unë jam vazhdimisht duke u përpjekur t’i ndihmoj artistët shqiptarë, për të cilët mendoj që ia vlen dhe mund të kenë sukses. Kam sjellë në Universitetin e muzikës në Vjenë kitaristin nga Shqipëria Elger Asllani, së shpejti shpresoj ta dëgjojmë në Operan e Vjenës edhe mezosopranën Flaka Goranci (mbas sugjerimit tim për të specializuar Kanton në Izrael), dy pianistet e shkëlqyera si Anda Kryeziu dhe Mrika Sefa etj. Kosova ka shumë talentë dhe artistë të cilët duhet ndihmuar patjetër si nga ana e shtetit ashtu edhe nga individuale të cilët e kanë këtë mundësi.

– Si solist dhe muzikant sigurisht se ju bie të udhëtoni shumë, por më thoni si është Shkëlzeni atje, muzika, jeta, familja

5. Të them të drejtën, unë jam aq shumë i zhytur në punë sa që nuk më del shumë kohë për jetë private. Duke e ditur që orkestra jonë bën dy punë, është Orkestra e Operas së Shtetit Austriak dhe njëkohësisht edhe Orkestër Simfonike – që quhet Filarmonia e Vjenës. Pastaj janë turnet tona të gjata me orkestër nëpër gjithë botën. Gati çdo ditë në një qytet tjetër dhe ka momente në mëngjes kur zgjohem, më duhet një kohe derisa ta kuptoj se në cilin qytet ndodhem. Gjithashtu aktivitetet e mia me muzikë kamertale, solo koncerte dhe incizime, e bëjnë gati të pamundur gjetjen e kohes për aktivitete tjera që nuk kanë të bëjnë me muzikën. Jam i lumtur që aty-këtu gjej kohë për ta vizituar Kosovën, sidomos familjen time dhe shokët e fëmijërisë në Gjakovë.

– Në fund, duke e ditur rëndësinë që i japim kulturës në përgjithësi, dhe muzikës në veçanti, sa mendoni se mund të bëjë vendi juaj për ju, ose ju për të…

– Siç ju thash më parë, une punoj natë e ditë për ta prezantuar kulturën dhe artin shqiptar sa më mirë dhe në mënyrë të denjë. Ky duhet të jetë detyrim moral i çdo shqiptari të ndërgjegjshëm të punojë për rritjen e imazhit të mirë të shqiptarëve në sy të botës. Kurse sa i përket pyetjes: sa mund të bëjë vendi im për mua, vlen thënia: “Më ndihmoni që të kem mundësi t´ju ndihmoj”./zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here