I ka futur në sirtar pentagramet e muzikës klasike. Jo se i mungon dëshira, por muzika i lehtë i jep më shumë dorë, e bën më të njohur, por edhe … më të pasur.

Të paktën për momentin. Vitin e kaluar Ertila Koka përfundoi shkëlqyer studimet në Akademinë e Arteve për kanto. Sot ajo mban titullin soprano.

Edhe pse me këtë titull, ndoshta nuk do ta besoni, por prej 5 vitesh këndon në lokalet e natës në Tiranë. Ndërsa mësimet e kantos i vazhdon duke i dedikuar disa orë në ditë. Pas një karriere si këngëtare nate në lokalet e kryeqytet, vetëm disa muaj më parë është shfaqur në ekranet e muzikore me një klip.

Kënga është verore, titullohet “Ndieje ritmin”. Ertila aty shfaqet e “zbathur” nga çdo kompleks që do t’i vishte petku i sopranos duke krijuar një tjetër imazh, duke treguar se: “Di të bëj edhe ndryshe!”. Biseda me të fillon herët në fëmijëri. Na tregon se ka lindur në qytetin e Mirditës dhe ka ardhur në Tiranë kur ishte 5 vjeçe. Dashuria për artin ka mbizotëruar gjithmonë. Dilemat e saj kanë qenë tre: piktura, kërcimi dhe muzika. Zgjodhi këtë të fundit falë fjalëve bindëse të mësueses së saj, Zina Zdrava. E kështu ka nisur rrugën e notave që e quan profesion. Kur ishte 18 vjeçe trokiti në dyert e festivalit “Top Fest”, në edicionin e tretë të tij, këndoi këngën “Mos Prit të kthehem” një kompozim të Edmond Mancakut. Edhe pse askush nuk e mban mend këngën e Ertilës tashmë, ajo nuk hoqi dorë, mori përsëri pjesë në të një vit më vonë me një rock-balad, të Valton Prodanit. As tek hera e dytë nuk pati shans. Tentoi tek e treta me një tekst të vetin dhe kompozim të Klajdi Bahit me këngën “Nuk mund ta harroj”, e ndoshta festivali nuk kishte qenë i shkuar për të. Nisi të këndonte atje ku ndihej më mirë.

Ndryshe nga festivalet, të kënduarit live nëpër restorante qëlloi të ishte një punë jo vetëm fitimprurëse, por edhe me mundësi që ndoshta në fillimet e veta Ertila nuk i kishte menduar. Nga një, u bënë dy të tillë dhe më vonë, zgjerimi i njohjeve dhe mbi të gjitha fama e zërit të saj i shtoi edhe ofertat e punës, edhe skenat në të cilat ftohej të këndonte.

23-vjeçarja në orët e mbrëmjes vesh kordat e saj zanore me muzikë të lehtë dhe niset për të kënduar në restorantin ku është rezervuar. Prej 5 vjetësh jo vetëm ka fituar siguri në vete, por edhe ka kaluar mbrëmje të bukura nën shoqërinë e admiruesve të muzikës. “Sa hyj në lokal, harroj e lë mbrapa çdo pakënaqësi që më është mbledhur me ditën. Aty jam Ertila këngëtare dhe duhet të bëj sa më mirë punën time.

“U bënë pesë vjet tashmë dhe besoj se kjo është koha e duhur për të hedhur hapin e radhës”, thotë ajo. “Këto vite kanë qenë një përvojë shumë e mirë. Jam mësuar me skenën, me spektatorin, me të kënduarit live dhe improvizimin në momentet kur publiku e do. Është e lodhshme, por edhe kënaqësi shumë e madhe. Sidomos për mua që muzikën e lehtë e kam dashur dhe ëndërruar qysh fëmijë. Madje mbaj mend, pasi mbarova tetë vitet e para të shkollës, nuk doja të konkurroja në Liceun Artistik. E doja aq shumë muzikën e lehtë sa më dukej se po të filloja studimet për kanto do të prishja punë, nuk do të mund t’i këndoja të dyja. Më vonë kuptova se po të ushtrohesha siç duhej, mund t’ia dilja”. Siç edhe ndodhi pas viteve të Liceut dhe Akademisë së Arteve. Në netët e saj të punës këndon muzikë të huaj “gold”, por nuk mungojnë serenatat korçare e jaret shkodrane. Këngëtaret e preferuar janë Maria Keri, Selin Dion… Sot ajo është një nga zërat e natës, më të dëgjuar, e gjen te “Il gusto” dhe “Kaon”.

 

Ertila, një kotele si Zerelina 

Dhjetorin e kaluar regjisori Nikolin Gurakuqi e përzgjodhi ndër studentët e brezit të saj për rolin e Zerelinës në opera “Don Giovanni”, vënë në skenën e Akademisë së Arteve. Tregon se është ndier mirë në atë rol dhe se i është futur në brendësi personazhit, duke e quajtur Zerelinën në rol një vajzë “kotele”. Skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nuk e ka prekur akoma dhe është e përgatitur t’i qëndrojë larg, mbase edhe për shumë kohë të tjera. Ëndrrat nuk i ka lejuar të fluturojnë as përtej kufirit, në shpresë të ndonjë mundësie nga jashtë. Pas një kompromisi me veten Ertila ka vendosur që sopranon që fle brenda saj, ta lërë të qetë për disa kohë. Për të mos e humbur edhe sot ndjek me rregull mësimet e kantos, ushtron zërin dhe këndon për orë të tëra me partitura përpara. Pjesën tjetër vrapon për në punën e përditshme që nuk ka fare lidhje me Moxartin, Verdin apo ndonjë të ngjashëm të tyre. Është vajzë e bukur dhe këndon bukur. Prandaj atë që skena e operas nuk ia jep dot, Ertila po kërkon t’ia marrë muzikës klasike. Duke luajtur sipas rregullave të lojës.

 

Ertila Koka

Jeni kurioz për emrin!. Ju kujton dikë tjetër (Nertila Kokën). Ngjashmëria e emrit dhe mbiemri i njëjtë me një prej këngëtareve të njohura të muzikës së lehtë, Nertila Koka, të shtyn në ngasje të besosh se në mos bëhet fjalë për një lidhje familjare, fisnore, ndoshta është frymëzuar prej saj. I takon merita e emrit me të cilin prezantohet në çdo skenë që këndon. “Por nuk kam asnjë lidhje me Nertilën në fakt. Mbase im atë kur më quajti kështu, kishte simpati për Nertilën, por më shumë është një rastësi”. /shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here