Ka mërzitur shumë njerëz eliminimi i Niada Saliasit nga spektakli “Dancing With The Stars”. Edhe ajo vetë është mërzitur, por nuk është surprizuar sepse duke e ditur rrezikun gjatë gjithë javës, e priste eliminimin.

Megjithëkëtë ajo punoi fort dhe e shijoi këtë eksperiencë deri në momentin e fundit. Aktorja bukuroshe, por edhe e talentuar pati një paraqitje tejet dinjitoze në këtë show në të gjitha kuptimet.

Jo vetëm performancat e saj në skenë, por edhe sjellja e përkushtimi i Niadës, shoqëruar me qetësinë që e karakterizon, ra në sy të të gjithëve. Edhe ata që ndoshta nuk e njihnin kuptuan shumë nga kjo vajzë dhe u prezantuan me një artiste të re dhe të vërtetë.

Niada e prisje eliminimin?
E prisja sepse isha e rrezikuar. Nuk e prisja nga mënyra se si kërceva. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë të tjerë. Njerëzit që më kanë ndjekur, kolegët e mi, vetë juria e ‘Dancing’ dhe balerini profesionist me të cilin punova.
Atëherë pse ike ti, e jo dikush tjetër?
Për mua ky është një skenar i madh ku secili ka rolin e vet dhe me kalimin e çdo jave të gjithë do të futen në rol. Është e gjitha një lojë, po një lojë e bukur ama.
Për çfarë do të të marrë më shumë malli?
Do më marrë malli për çdo gjë që më jepte ‘Dancing’, për provat, për kohën që unë i përkushtoja, për skenën, për njerëzit që njoha aty e pas të cilëve u afeksionova. Sigurisht jo me të gjithë, po me pjesën më të madhe.
Po për Endrin?
Unë e konsideroj veten vërtetë me fat që punova me të. Dua të flas me superlativa për këtë djalë që përveçse një profesionist i vërtetë është edhe një njeri shumë i mirë, gjithmonë i edukuar e i respektuar. E vlerësoj shumë!
Po sipas Endrit, çfarë kishte që nuk shkonte tek ti?
E vetmja gjë për të cilën Endrin i vjen keq është që jam treguar e tërhequr. Sipas tij, unë mund të jepja shumë më tepër në skenë duke qenë se në sallën e provave isha gjithmonë më mirë (qesh). Unë e di dhe vetë që në skenë nuk arrija dot të jepja maksimumin tim, ndoshta nga vetë emocioni që të jep skena, nuk e di. Por, di që me siguri mund të kisha bërë shumë më tepër.
E kemi parë që fillove ta bësh pjesë tënden kërcimin. Do vazhdosh të kërcesh, ndoshta duke ndjekur ndonjë kurs vallëzimi?
(qesh) Jo nuk do vazhdoj. Qëllimin tim unë e arrita. Doja të merrja një kulturë të përgjithshme sa i përket baletit dhe i plotësova vetes një dëshirë që e kam pasur që në vegjëli. Mirë do kishte qenë që të vazhdonte më gjatë, që unë të provoja edhe disiplina të tjera të baletit, por edhe me kaq jam e kënaqur.
Kujt prej atyre që janë akoma në garë do ia uroje fitoren?
Nëse do nisesha nga ana afektive, do thoja emrin e Ornela Bregut. Nga djemtë vlerësoj shumë Vedat Ademin për seriozitetin dhe preçizionin e rrallë që ka treguar gjithë kohës qoftë në prova apo në skenë. Pastaj si e shoh unë, mendoj që për kërcimin meriton të fitojë Adelina Tahiri ose Elvana Gjata.
Mendon që pjesëmarrja në ‘Dancing’ do të të ndihmojë në karrierën tënde?
Unë jam shumë e lumtur që nga një kontigjent aktorësh të rinj producentja Holta Dulaku më zgjodhi mua dhe për këtë e falenderoj. Dua gjithashtu të falenderoj jurinë për vërejtjet e tyre profesionale dhe aspak tendencioze. Me daljen time në ‘Dancing’ më njohën edhe ata që deri tani ndoshta nuk më njihnin, e të tjerët njohën një tjetër pjesë të Niadës. Kjo është pozitive për karrierën time.
Po tani pas ‘Dancing’ ku do të të shohim? Cilat janë projektet e tua më të afërta?
Së shpejti i rikthehem skenës së teatrit, por këtë herë në Kosovë. Puna ime do të përqendrohet vetëm tek aktrimi pavarësisht se tani më pyesin: “Po ti çfarë je, modele, balerinë apo aktore?” (qesh)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here