Tanimë bezdiset kur dëgjon t’i thonë se “sa e bukur është”! Ndonëse kjo duket e vështirë për t’u shmangur, Valbona Selimmari është shumë më komode nëse në një bisedë, me të njohur a të panjohur, gazetarë gazetash apo televizionesh, të rrëfehet qetë-qetë për atë çka është përtej fytyrës së bukur. Megjithatë, sado që mundohet ta anashkalojë këtë bisedën e bukurisë, e një miss-i që edhe 20 vjet mbas titullit i thonë ende miss, është gati e pamundur të mos i admirosh linjat elegante dhe fytyrën ku mbretërojnë dy sy të mëdhenj e të butë, e ku asgjë nuk të thotë se që nga spektakli i bukurisë ku u shpall “Miss Albania” kanë kaluar pak më shumë se dy dekada.

Bona, ose Bobi, siç i flasin miqtë e afërt, ka pamjen e një çupëline. Pantallonat e lëkurës dhe çizmet e gjata, xhupi jeshil dhe shalli që i mbështjell bollshëm qafën, sado që nuk janë as ekstravagante e as të tendencës për të rënë në sy që larg, nuk i ia mbulojnë dot linjat e rregullta e të holla. Duket sikur koha ka ngelur në vend dhe qoftë në ekran, e qoftë në të përditshmen e saj, Bona nuk ndryshon kurrë. Krejt ndryshe nga shumë bukuroshe të tjera që erdhën pas saj, të cilave vështirë t’u mbahet mend fytyra e aq më pak emri, Bona ka ditur t’a ruajë për bukuri edhe imazhin. Nuk ka rendur kurrë mbas lajmeve të para, scoop-ve, kopertinave dhe as mediumeve të çdo lloji qofshin. Përkundrazi. T’i mbushësh mendjen për një intervistë, çdoherë ka qenë paksa e vështirë. I duket se ka dalë mjaftueshëm nëpër media dhe sidomos duhet patjetër të ketë diçka të re, diçka që sipas saj të ketë interes për çdokënd, pa ta japë atë intervistë. Përndryshe nuk bëhet.

Por sidomos këto javët e fundit është “detyruar” të takohet pak si shpesh me gazetarë. Së pari sepse ky sezon i dytë i emisionit të përjavshëm “Nga e para” ka tërhequr akoma më shumë vëmendjen e publikut. Rastet e familjeve që grupi i bashkëpunëtorëve u ka ndryshuar jetën kanë qenë nga ato të dhimshmet dhe jo vetëm brenda Tiranës. Emisioni tanimë është një nga më të ndjekurit dhe meritë për këtë ka edhe prezantuesja e tij. Është njësoj i ndjeshëm edhe efekti që shkakton ish miss-i, natyra e butë, mjekra që dridhet dhe lotët që shumicën e herëve nuk i mban dot. Pastaj, jo shumë javë të shkuara ishte “Miss dhe Mister Albania” në televizionin Klan dhe Valbona Selimllari ishte një prej anëtarëve të jurisë këtë vit. Staf i hershëm i Vera Grabockës, mikeshë e saj, adhuruese e përjetshme e televizionit, Bona, ka plot për të rrëfyer edhe për këtë eksperiencë me spektaklin e bukurisë, mbretëreshë e të cilit një herë e një kohë ka qenë ajo vetë. 20 vjet më vonë, nga poltrona e jurisë, por edhe e ish-konkurentes që i njeh mirë emocionet e spektakleve të tilla, Bona mundet të bëjë diferencën. “Mundësitë janë krijuar tashmë për këdo”, thotë ndërsa ka pranuar jo fort e bindur nëse duhet apo jo të shfaqet në kopertinën e revistës Klan. “Spektakli këtë vit solli modë dhe kjo ishtë risi. Por nga ana tjetër moda është më pak e rrethuar nga inteligjenca dhe kjo tek “Miss Albania” nuk ndodh. Vajzat vlerësohen me patjetër pas pyetjesh dhe në fund zgjidhet më e mira, jo vetëm më e bukura. Për mua kështu ka qenë gjithmnë. Po, kanë ndryshuar shumë gjëra që nga koha kur unë u shpalla miss, megjithatë titullin tim nduk do ta ndryshoja me asnjë tjetër. Është e vërtetë që miss-et e sotme kanë më shumë mundësi, por sërish nuk do ta ndryshoja”. Me të drejtë sepse Valbona ishte më me fat se çdo tjetër pasardhëse e saj. Ajo nisi të shkruante historinë e “Miss Albania”-s dhe sot e gjithë ditën ky spektakël, në njëfarë mënyre, identifikohet me të.

“Por bezdisem kur thonë sa e bukur është Valbona. Me kohën rritet edhe personaliteti i njeriut dhe duhet të vlerësohesh për atë që ke dhe që je. Marrëdhënien njerëzore nuk e mban vetëm fytyra e bukur, duhet të dish ta mbash”. Megjithatë gjithë këto vite i kanë mësuar se bukuria tek e fundit është fat për një femër. Është një e mirë e Perëndisë që të krijon vetëbesim, por të jep edhe mundësi. “Veçse nëse këtë vetëbesim nuk e menaxhon siç duhet, bëhet i dëmshëm. Njeriu duhet të jetë i zgjuar dhe të ndajë meritat që i takojnë”. Kështu ka bërë Bona, e cila sado që është shfaqur pak në publik përgjatë këtyre viteve, jo vetëm që nuk është harruar, por përkundrazi, qoftë edhe pa dashur, ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Në gjithçka ka bërë, qoftë si specialiste marketingu dhe imazh i City Park, Deka-s dhe Olim-it, qoftë si Valbona e e dashuruar kokë e këmbë pas televizionit. Asnjëherë me kushtin për të qenë prezantuese apo protagoniste ajo në të. I mjafton të jetë edhe në paskuinta, të tërhiqet herë pas here e të rikthehet kur bëhej fjalë për diçka të mirë. “Jam shkëputur me vetëdije”, thotë ajo. “Kam punuar mbas skene për shumë vite”.

Diskrete në profesion e sidomos në jetën e saj personale, të cilën sot e gjithë ditën e ruan me fanatizëm vetëm për vete. Por a do të thotë kjo edhe të humbasësh shumë raste? “Jam një natyrë që pres të më vijnë gjërat vetë”, thotë. “Nuk e kam ambicjen e duhur për këtë punë. Unë nuk i kërkoj gjërat, pres të m’i ofrojnë. Mendoj se kështu kam humbur shumë shanse, kam humbur edhe skenën pikërisht prej mungesës së kësaj ambicjeje. Madje shpesh pyesja veten se përse Vera (Grabocka), nuk kujdesej për mua?! Po, pse duhej ta bënte kur unë nuk kujdesem vetë për veten. Kështu jam unë, e kam të vështirë të kërkoj favore”.

Një miss me nota më të larta se ç’duhet, modestie. Një femër që megjithatë është e drejtpërdrejtë në çdo lloj marrëdhënieje që ka krijuar në jetë. “Kur kam një mendim, e shpreh ashtu siç e ndjej dhe ata që më njohin e dinë këtë. Dua të jem e ndershme në marrëdhënien me të tjerët, lajkat nuk i dua dhe nuk i duroj dot”. Por e pranon se do të kishte dashur të ishte pak më ambicioze nga ç’është, më e guximshme për t’i kërkuar gjërat se besonte se i meritonte dhe që kishte kapacitet t’i përballonte. “Jam një vajzë që i takoj asaj përqindjes së njerëzve të mirë”.

Ndoshta pse këtë e reflekton në çdo qelizë të qenies së saj, Bona është ajo që është: një personazh që e duan kudo që shkon, qofshin bashkëpunëtorë apo njerëz që i takon vetëm një herë në jetë. Por edhe një femër që jetës publike nuk ia ka ndjerë ndonjëherë nevojën e as shfaqjes punë e pa punë nëpër faqe gazetash apo ekrane e as mundimit për të qenë kudo ku ndihet aromë fame. Është nga ato që të ndenjurit në shtëpi i jep kënaqësi më shumë se darka në ndonjë restorant të modës, apo shoqëria e njerëzve që janë në trend për momentin. Asnjë prej këtyre nuk bën pjesë në të preferuarat e saj, ndaj u rri e, siç thotë, do t’u qëndrojë gjithmonë larg.

Pikërisht prej këtij imazhi, ujë e sapun nga fytyra, e mbarë dhe familjare si natyrë, përzgjedhja e Valbona Selimllarit për emisionin “Nga e para”, u quajt zgjedhja e duhur që kur nisi për herë të parë në Vizion Plus, sezonin e kaluar televiziv. Misioni real, sa social aq edhe njerëzor, që synon të zbehë problemet jetike të një kategorie të caktuar familjesh shqiptare, e tundoi që në krye të herës Bonën ta pranonte ofertën e “Anima Pictures”. Ky ishte më shumë sesa thjesht një prezantim publik. Emisioni vetë më shumë se një prezantuese, të bukur e të zonjën në të folur, kishte nevojë për imazhin e një njeriu që i vinte për shtat misionit të tij. U vërtetua që pas puntatës së parë sezonin e kaluar. I shkonte ky format Bonës, ndërsa shfaqej duke përqafuar fëmijë të hutuar nga surprizat, duke luajtur e folur gjuhën e tyre, duke shoqëruar nevojtarë të mbërthyer pa fjalë nga emocionet. “Prezantimi i këtij emisioni ishte rastësi, por mua më bëri një favor të madh. Prej këti emisioni, njerëzit, publiku, njohu Bonën e vërtetë”. Atë që ajo ngul këmbë që në fillim të bisedës, Valbonën përtej fytyrës së bukur, atë njerëzoren që do të donte të ndryshonte botën, të bënte veçse mirë, të krijonte mundësi e t’i falte shpresë çdokujt në nevojë. “Këtë vit ka pasur shumë raste dhe e mira është se kemi dalë jashtë Tiranës”, thotë ajo. “Është një program që të mbush me emocione. Kam parë fëmijë të vegjël që jetojnë në lagështirë, në varfëri të plotë. Kam në shtëpi një pikturë që një vajzë e vogël, me aftësi të kufizuara, nuk di se si e kishte bërë, por e kishte vizatuar vetëm për mua. Kam qarë shumë kur e kam marrë atë dhuratë. Ka kaq shumë vuajtje në këtë vend. Ky është një emision, i cili falë sponsorve të shumtë, ka ndihmuar shumë njerëz, por prapë është pak. Duhen struktura shtetërore që gjëndja të ndryshojë me të vërtetë”. I ndodh të përfshihet shumë në çdo rast që stafi i “Nga e para” është marrë për çdo javë. Përjeton çdo emocion a ankth të tyre dhe jo gjithmonë është e suksesshme në përmbajtjen para kamerave. “Oh veç ta dish sa shumë duroj para kamerave, por jo gjithmonë mundem. Janë raste dhe njerëz që të prekin shpirtin”. Ndaj dhe përfshihet në çdo histori që rrëfen në ekran dhe përjeton çdo sekondë deri kur e nesërmja, e përditshmja e saj e merr dhe e nxjerr sërish prej atij realiteti. “Jemi vetëm disa njerëz me shpirt të madh që japim shumë mesazhe”, shton. “Përjeton çdo vuajtje, çdo ëndërr të vrarë fëmije, edhe pse shumë të vegjël dhe gjithmonë do të bësh më shumë. Por vetëm me këta njerëz është e pamundur. Për këtë arsye them se duhet dora e shtetit”. Deri në fund të këtij sezoni ka edhe shumë histori të tjera për të treguar, familje në gjendje të vështirë ekonomike që brenda vetëm katër ditësh bëhen, të paktën me shtëpi, të re dhe të bukur, të ndërtuar nga e para. Për Valbonën secili rast është dyfish i vështirë: përjeton ditët e fillimit kur sheh mure gjysmë të rëna brenda të cilëve jetojnë prindër e fëmijë, por edhe të fundit, kur secili prej tyre nuk di se si ta shprehë mirënjohjen. Qan e lutet bashkë me ta dhe është mirënjohëse që, ndonëse pa e kuptuar, i erdhi edhe ky rast: të shfaqet në ekran jo më si miss-i që nuk ndryshoi kurrë, por si Bona, e mirë dhe e mençur.  Alida Cenaj Revista Klan

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here