Nexhmije Pagarusha i mbush 82 vjetArtistja e madhe shqiptare – Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, “Madam Butterfly”, Zëri i Kristaltë… apo, thjesht – Nexhmija, feston sot ditëlindjen e vet të 82-të.

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi, për 3 vjet, në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon.

Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtinë, ku në vitin 1948 u pranua si soliste.

Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984, në mënyrë që edhe një herë t’i rikthehet skenës, në vitin 2000, kur në Tiranë interpretoi këngën “Për ty”, në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili arriti ta bindë që edhe një herë të shkëlqejë para publikut.

Namin e muzikës popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me Ansamblin “Shota”.

Ndër rreth 150 këngët që ka interpretuar, mbetet e paharruar “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi dhe me tekst të Rifat Kukajt, por edhe, “Ani mori nuse”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam” dhe shumë të tjera.

Nexhmije Pagarusha mori shumë çmime, ndër të cilat “Këngëtare e Shekullit” në Kosovë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”, me të cilin e dekoroi presidenti shqiptar Bujar Nishani në vitin 2012. /KP/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here