Për momentin është aktorja më e angazhuar kosovare si në teatër ashtu edhe në ekranin televiziv.

Bëhet fjalë për Yllka Gashin, një femër shumë energjike e cila profesionin po e kryen siç është më së miri. Martesa nuk i pengon aspak që të jetë e suksesshme.

Je duke aktruar rolin kryesor në shfaqen “Vdekja dhe Vasha”, repriza e të cilës vazhdon të jepet në Teatrin Kombëtar. Na fol diçka më shumë rreth kësaj shfaqje?

“Vdekja dhe Vasha” është dramë psikologjike e autorit kilian Ariel Dorfman e cila është punuar në shumë teatro nëpër botë, madje është bërë edhe film nga regjisori i njohur Roman Polanski në vitin 1994, në të cilin luajnë aktorët e njohur, Sigourney Weaver, sir Ben Kingsley dhe Stuart Wilson. Në verzionin tonë të “Vdekja dhe Vasha” regjinë e ka bërë Fatos Berisha dhe unë luaj përkrah dy aktorëve të mirënjohur kosovar Shkumbin Istrefi e Luan Jaha.

Shafqja është kamertale dhe publiku është i vendosur në skenë dhe si e tillë kërkon më tepër lojë natyrale, gjë që për aktorin është punë më e vështirë nga që publikun e ke shumë afër dhe gjithmonë duhet të jesh shumë i koncentruar dhe i sinqertë në lojën që e bënë. Tema e kësaj shafqje është shumë e ndieshme dhe e rëndë sepse në qendër ka një grua me një të kaluar shumë të dhimbshme. Për mos ta zgjatur shumë, mund të them që tema e kësaj shfaqje është nevoja e viktimave për t’u rrëfyer dhe për ta vënë drejtësinë në vend dhe kjo gjë në njëfarë mënyre lidhet me luftën e fundit që ka ndodhur në Kosovë ku shumë gra janë dhunuar e keqtrajtuar dhe fajtorët nuk janë vënë para drejtësisë asnjëherë, prandaj si e tillë shfaqja “Vdekja dhe Vasha” komunikon shumë mirë me publikun kosovar.

Është vështirë të jesh bartës kryesor?

Për mua nuk ka role bartëse dhe role të vogla ose të parëndësishme. Sepse, secili rol e bart me vete një mesazh dhe ka një funksion brenda një vepre. Megjithatë, të luash një personazh kompleks si “Paulina” e cila është një ish e burgosur politike, një grua që ka pasur shumë ëndërra e ambicie në të kaluarën dhe asnjë nga ato nuk i ka realizuar ngaqë është kidnapuar e burgosur nga regjimi i kaluar i shtetit dhe është keqtrajtuar, dhunuar e torturuar në mënyrat më mizore të mundshme dhe prapëseprapë është rimëkëmbur dhe ka vazhduar jetën, PO është vështirë. Është vështirë të luash Paulinën sepse ky personazh kërkon shumë punë, koncentrim, energji dhe lotë. Mirëpo, pas tërë atyre provave e diskutimeve gjatë kohës sa e kemi punuar shfaqjen, besoj dhe shpresoj që kam arritur ta ndërtoj një Paulinë të besueshme dhe të gjitha këto që i përmenda më herët t’i luaj bindshëm dhe t’i plasoj te audienca.

Paraqitesh së bashku me aktorët Shkumbin Istrefi dhe Luan Jaha, si shkojnë punët, ke vështirësi?

Fillimisht kur regjisori Fatos Berisha më pat ofruar këtë rol, kam pasur shumë druajtje ta pranoj ngaqë është roli më i vështirë dhe më kompleks që kam luajtur deri tash, megjithatë pikërisht kolegët e mi Shkumbini e Luani ishin ata që më inkurajuan për ta pranuar këtë rol për çfarë u jam shumë mirënjohëse. Pos tjerash, me Shkumbinin, Luanin e Fatosin kam punuar në shumë projekte të mëhershme dhe njihemi mirë si shokë e kolegë, prandaj puna me ta gjithmonë është satisfaksion për mua.

Ndërkohë je një nga aktoret më të preferuara për momentin nga publiku shqiptar, si e ndjen veten?

Oh, të falemnderit, ngaqë këtë po e marr si kompliment! Ajo çka është shumë me rëndësi është fakti që unë e dua profesionin tim dhe kjo gjë reflektohet. Secilit projekt i qasem me shumë përkushtim, sinqeritet dhe pasion dhe këtë gjë publiku e nuhat dhe fatmirësisht në shumicën e rasteve e çmon dhe natyrisht kjo më bën të ndjehem shkëlqyeshëm.

Paraqitjet tek seriali “Familja moderne” akoma vazhdojnë, derisa ju jeni gjithnjë e më shumë aktive në serial. Si po ecin gjërat, do ketë ndryshime, freski të tjera?

Të them të drejtën befasohem kur bëhet kjo pyetje, ngaqë për këto tetë vite “Familja Moderne” ka thyer rekord të shikueshmërisë jo vetëm në trojet shqiptare por edhe në rajon. A nuk mjafton ky fakt për të treguar freskitë që ka pasur ky projekt?!

Deri kur do vazhdoni të jeni pjesë e këtij seriali?

Personazhi që unë e luaj, Zana është vajza e vogël e familjes dhe është personazh i pëlqyer nga publiku prandaj besoj që do të jem pjesë e “Familjes Moderne” deri në përfundimin final të saj.

Yllka nuk ka të ndalur. Je pjesë edhe e komedisë “Dejzilend”, na thuaj diçka më shumë rreth kësaj komedie?

“Dejzilend” është komedi që jo vetëm të bën të qeshësh por edhe të bën të mendosh, ngaqë në qendër ka një temë shumë të vecantë/rritjen e fëmijës, nga dy prindër që nuk janë të gatshëm ta bëjnë atë punë. Në “Dejzilend” unë luaj tre personazhe të ndryshme Dadon, Kejtin (një grua në park), dhe drejtoreshën e shkollës. Të tre personazhet që i interepretoj e kanë veçantinë dhe magjinë e vet dhe nuk di t’i dalloj cila më pëlqen më tepër. Dado është një tip energjik, me plot fantazi e ide dhe me çmendurinë e saj sjell shumë të qeshura në publik. Kejti është një nënë llafazane në park e cila “kujdeset” për të birin, Billin nga distanca dhe Drejtoresha e shkollës/zonja Willobi është simbolizim i “pushtetit”, një grua me shumë probleme personale, e papërcaktuar seksualisht e cila frustrimin e saj e shpreh në çdo gjë që bën pa i menduar pasojat që u shkakton të tjerëve. Sipas sondazhit të bërë për shfaqjet e vitit të kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Dejzilend” është shpalluar “shfaqja më e shikuar e vitit 2009”.

Të kalojmë pak tek jeta private. Tashmë je e martuar, si kanë ndryshuar gjërat tek Yllka pas martesës?

E kam thënë shpesh, martesa ime ka ardhur si rrjedhë e një lidhje tetë vjeçare. Gjërat në parim nuk kanë ndryshuar rrënjësisht sepse ne njihemi shumë mirë me njëri tjetrin. Megjithatë ajo që ka ndryshuar është kënaqësia e cila është shtuar!

Bashkëshorti juaj është përkrahës në të gjitha projektet që realizoni?

Po, gjithmonë. Albiani është përkrahësi dhe kritiku më i sinqertë që e kam.

Xhelozon ndonjëherë?

(Qesh), po ndonjëherë, mirëpo e tejkalon shpejtë!

Planifikoni në zgjerimin e familjes?

Natyrisht, në të ardhmen.

Së fundi ke pranuar një ofertë për të luajtur në një film të metrazhit të shkurtë në New York. Diçka më konkrete nga kjo ofertë?

Po, në dhjetor isha në New York ku kam xhiruar filmin e metrazhit të shkurtë “Lena & Me” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit. Filmi është xhiruar në shirit filmik 16 mm kurse unë kam interpretuar rolin e Lenës. Ishte një eksperience shumë e këndshme dhe mezi pres të shoh finalen e filmit.

Përveç këtyre punëve, çka tjetër bën Yllka?

Hmmm…Varet nga disponimi. Mundohem të lexoj dhe të shikoj sa më shumë filma, sepse të dyja këto gjëra janë pjesë e pandashme e profesionit tim dhe janë relaksuese për mua.

Si qetësohesh nga gjithë ky stres. Si kalon një ditë e juaj pa obligime?

Një ditë e imja pa obligime fillon me një paradite të vonuar dhe një dush të ngrohtë, pastaj vjen një lugë mjaltë dhe një kafe turke… e të tjerat rrjedhin vetë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here