Këngëtari i bendit “Bee Gees”, Robin Gibb, ka ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare, pas luftës së gjatë me kancerin.

“Familja e Robin Gibb njofton me pikëllim të madh se Robin ka ndërruar jetë pas luftës së gjatë me kancerin dhe operimit të zorrëve. Anëtarët e familjes do të ishin falënderues nëse në këto momente të vështira do të respektohej privatësia e tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga familja e këngëtarit.

Në vitin 2010, Robin anuloi disa koncerte për shkak të dhimbjeve në bark dhe u dërgua për operim urgjent për shkak të mbylljes së zorrëve. Edhe në vitin 2011, ai anuloi disa koncerte në Brazil, ndërsa më pas u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë. Më vonë, u diagnostikua edhe me kancer të mëlçisë dhe vazhdimisht ka qenë nën mbikëqyrje të mjekëve deri në momentin e vdekjes.

Britaniku e filloi karrierën muzikore në vitin 1958, kur me vëllanë e tij e formoi grupin “Bee Gees”. Nga vitet e gjashtëdhjeta, grupi ka shitur mbi 200 milionë albume.

Disa nga këngët e tyre më të njohura janë “Stayin’ Alive”, “How Deep Is Your Love”, “Massachusetts” e “Night Fever”.

Vëllezërit Gibb kanë shkruar këngë edhe për yjet tjera, mes tyre Barbra Streisand, Diana Ross, Dionne Warwick, Celine Dion, “Destiny’s Child”, Dolly Parton, Kenny Rogers e shumë të tjerë..

Edhe vëllai dhe partneri i tij, Maurice, ka ndërruar jetë si pasojë e sëmundjes së zorrëve në vitin 2003.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here