Momente të jetës që e bëjnë të ndihet mirë në një vend që nuk e ka si vendlindje. Nada Zhiti, shqiptarja e cila tashmë është bërë e njohur në shtetin italian si modele, ka një eksperiencë tjetër pasi vitin e kaluar ka qenë pjesë e konkursit të bukurisë ‘’Miss Universe’’ për të përfaqësuar Italinë në këtë event të bukurisë. Në mesin e 40 bukurosheve nga mbarë Italia, Nada ka arritur që të radhitet e teta në listë si më e bukura e vendit, në këtë event kombëtar që mbahet në Sicili. Ndonëse nuk arriti të fitojë ndonjë vend më lart, ajo mori çmimin ‘’Miss Cinema’’.

‘’Jam shumë e lumtur dhe krenare për rezultatin që kam arritur në garat në të cilat kam marrë pjesë deri më tani, sepse gjithmonë këtë punë e kam menduar vetëm si lojë dhe asnjëherë nuk e kam marrë me seriozitet. Por në momentin që njerëz me eksperiencë në këtë fushë më janë drejtuar për projekte të rëndësishme, duke besuar se unë mund ta bëj këtë punë, atëherë nga pasioni i madh kam ndryshuar mendje duke e marrë me më shumë seriozitet këtë punë.

Përveç kësaj, është dhe një argëtim i madh në momente të veçanta në rrugën e modelimit, një sfidë që kërkon shumë sakrificë në skenë deri në sekondën e fundit. Gjërat duken të lehta në pamje, por mua për shembull më duhen orë të tëra për të vënë një shfaqje ashtu si duhet. Përvoja në “Miss Universe Italia” më mësoi shumë gjëra, duke më treguar se për një javë mund të bëhen 8 ditë pune e jo shtatë (qesh), ecje pa fund, koreografi në diell me orë të tëra e në fund ndoshta edhe të paarsyeshme.

Në të njëjtën kohë kam pasur shumë momente të vështira si fizikisht ashtu edhe psiqikisht, por edhe njerëz të cilët më kanë mbështetur pa masë për të dalë nga këto situata. Fitova “Miss Cinema”, një çmim që përfshin përveç bukurisë edhe fotozheninë, duke përfshirë këtu fotosesionet dhe imazhin tim, gjë që më dha mundësinë të tregoj veten nëpër fotosesione pa fund”, -thekson bukuroshja Zhiti.  PanoramaPlus

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here