Myfarete Lazen e takojmë te drejtoria e Burgjeve. Do të thoni ju çfarë bën një këngëtare në institucionin që merret me të burgosurit…

Ajo ka ditur të ndryshojë shumë gjëra për të gjitha ata që kanë një dënim për të vuajtur pas hekurave. Në detyrën e saj si monitoruese dhe organizatore aktivitetesh, ka arritur të shohë një botë tjetër dhe të njohë kategori njerëzish.

Por, përveç kësaj, më Lazen kemi biseduar mbi të gjitha për pjesëmarrjen e saj surprizë në festivalin e të rinjve “Top Fest”, ku Myfaretja është konkurrente. Kënga me titull “Më jep jetë” këndohet nga ajo dhe një djalë i ri, Denis Hasa.

Zonja Myfarete, pas disa vitesh mungesë ne skenat shqiptare ju shohim konkurrente në “Top Fest” që është etiketuar si festival i të rinjve, pse?

Nuk është se në festivale ka pas kufizime për moshën, por, ka një gjë, nuk është thjeshtë se nuk dua të marr pjesë, tani kam mbërritur në një stad tjetër, sa më shumë piqesh nga ana artistike aq më shumë kërkon prej vetes. Në qoftë se unë mendoj se nuk më njihet krijimtaria artistike unë nuk shkoj, nuk kam pse shkoj që të dal në televizor! Mua nuk më falet tashmë të bëj një zgjedhje të gabuar. Nuk më falet të dal kot, por, nga ana tjetër, mos harroni se kompozitorët e mirë janë më gishta, katër pesë veta që mbajnë peshën e artit në Shqipëri. Ata kanë dhe mbingarkesë pune, sepse duan të mbajnë dhe familjen edhe krijimtaria nuk qëllon gjithmonë. Mua nuk më ka thënë kush mos merr pjesë. Përkundrazi, kur bëhen këto lloj aktivitetesh, ne kemi kërkesa për pjesëmarrje, se sa qëllon te krijimtaria dhe sa e kënaqur jam është tjetër gjë.

Ju nuk jeni vetëm në këtë këngë, bashkë me ju është një djalë të ri, Denis Hasa, ju kërkoi ai apo ju?

Ne me Denisin këndojmë për qejf, zakonisht mbrëmjeve me ndonjë karaoke dhe më të më kombinon zëri. Unë kam bërë kombinime dhe me Aleksandër Gjokën dhe me Bashkim Alibalin. Edhe me Denisin më pëlqen.

Tani që je në “Top Fest”, mes gjithë të rinjve, si ndihesh?

Shumë mirë, gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë. Unë kam publikun tim. Pse duhet që të dal jashtë natyrës sime vokale, jashtë kërkesave të mia profesionale për t’ju përshtatur rinis, por njëkohësisht nuk kam pse të rri jashtë rinisë, pasi rrymat shkojnë e vijnë, dikush qëndron dikush jo.

E pate të vështirë të pranoje, u mendove dy herë?

Nuk është se nuk u mendova. Po mos të isha e bindur te krijimtaria, nuk do të kisha marrë pjesë.

I ke marrë komplimentet e parë për këtë prezantim?

Shumë, sidomos në FaceBook. Me sinqeritet e them që nuk e kam pritur këtë reagim të njerëzve.

Mos ndoshta e ke sjellë si surprizë këtë këngë, pasi publiku u mësua me idenë se Myfaretja na u tërhoq?

Unë me tepër këtë gjë e kam bërë që t’i them të gjitha këngëtareve të mrekullueshme që kemi që mos u tërhiqni. Duhet të jeni aty, sepse ik njëra, ik tjera, do të hyjë i paafti, do të hyjë antivlera. Mërzitesh për një çmim, po nuk ka gjë, ke kohë ta rregullosh.

Pret të marrësh çmim?

Jo. Unë kam qenë në shumë festivale, ndoshta nuk e kam marrë as çmim e parë e as të dytë. Çmimet janë me miq, janë me bërryla, çmimet janë që sot t’i diktojnë me telefon. Ajo këngë që mbetet është çmimi.

Të kujtohet vetja kur ke dalë për herë të parë? Ke qenë në moshën e atyre, ndërsa tani je pikërisht ti që konkurron me ta?

Konkurrimi është i bukur. Gjithsekush ka shijet e veta. Edhe kënga është si puna e veshjeve gjithsekush ka shijet dhe preferencat e veta.

Ju vetë me çfarë kënge keni dal për herë të parë?

Unë për herë të parë kam kënduar; ec makina çanë përpara tyy, ndër male e ara e tyy (qesh). Pesë makina kalonin gjithsej në qytet. E druve, zjarrfiksia, ambulanca, gazi i degës dhe sekretari i parë.

Çfarë ju ka bërë të veçantë?

Këngëtaret e brezit tonë kanë qenë të gjithë të veçantë, e lemë Vaçen se është ekzemplare. Ema ka pasur karakter vokal tjetër, Lindita gjithashtu, Liliana, Afërdita, Parashqivija. Nuk ishin zërat e përsëritur njësoj. Ishte shkolla që i formonte. Ne të gjitha kemi mbaruar shkollën e muzikës. Dhe unë kam pas një karakter zëri të veçantë. Po të dëgjoje një këngë në radio e kuptoje direkt se kush po e këndonte. Ndërsa tani vështirë të dallosh një zë nga tjetri.

Keni pasur ju në atë kohë konkurrencë me njeri-tjetrin?

Shumë. Festivali kombëtar kishte prurjet më të mira të rretheve, nuk ishte kot, ndërsa tani në festival kombëtar çon prurje kush të dojë.

Por, më pas kur keni ndal në festivalin e Radio Televizionit?

Në atë kohë për të ardhur në festivalin e RTSH-së bëhej konkurs. Çdo rreth organizonte konkursin dhe kush e fitonte shkonte në festival të dimrit. Jo gjithkush mund të hynte. Në vitin 1979 unë kam fituar konkursin me këngën “Nëntori i lirisë” të Limoz Dizdarit.
Kishte përzgjedhje në atë kohë, çdo gjë kalonte në shoshë.

Ju i keni përjetuar mënyrat e organizimit të festivaleve si në atë kohë dhe tani, çfarë ndryshimi ka?

E parë njëherë “Top Festi” ka bërë një gjë të mirë që ka sjellë orkestrën live, kjo kufizon shumë pseudo-këngëtarë.

Ke nostalgji për ato këngë, duke parë se kanë qenë dhe të politizuara?

Edhe pse të politizuar të gjithë ka thënë atë që kanë dashur të thonë. Por boshti ideologjik do të futej se pastaj mund ta kishe punën keq. E megjithatë, ata kanë krijuar tekste të bukura. Duhej të bëje këngë për punëtorët, për transportin, për fshatin, për brigadierin, karrocierin. Duhet të ishte karakteri popullor i këngës. Ata që kanë drejtuar festivalin kanë qenë të mençëm, duke filluar nga Robert Radoja, Alqi Kareco, Tish Daia, Agim Prodani, Agim Krajka. Kanë qenë shumë të kujdesshëm. E mos harroni se është mbaruar festivali dhe ne kemi qenë duke u dridhur. Prite tani kush po përfundon në komitet qendror.

Ju e keni ndjerë ndonjëherë veten keq se mos ju kapte boshti ideologjik?

Kur kam pas këngën “Pragu i vegjëlisë” orkestrimin e këngës e ka pas Gaspër Çuçia dhe Gaspëri një javë parë festivalit arrestohet. Burgoset dhe ne na detyruan të ndërrojmë orkestracion. Mirëpo, kur mësohesh në me një orkestracion është e vështirë, ai ishte mjeshtër. U ndryshua orkestracioni, nga Gaspër Çucia e shkruam Alqi Kareco dhe ne me shumë marifet e kemi ruajtur orkestrimin, po ta merrte vesh kush se ai orkestracion kishte, qoftë edhe një masë të Çucis, Alqi Kareco, Flamur Shehu, Myfaretja dhe Zhuljana, e di si shkonin…

Jeni cilësuar si këngëtare prej Shkodre por, më shumë i keni dhënë apo i keni marrë Shkodrës?

S’më kishte shkuar në mendje kjo pyetje se nuk kam ditur ta ndaj, i dhashë apo më dha. Unë ndoshta për vetë natyrën i jam shumë mirënjohëse Shkodrës e ndoshta e kam parë veten me këtë sy. Po kjo dhe për rrethanat familjare, pasi në vitin 1972 e kam pasur babanë të pushuar nga çdo punë shtetërore. Ishte 42 vjeç, edhe deri në 85 dhe përveç këtyre unë kam kënduar në Shkodër. Kjo pra është Shkodra dhe qytetaria shkodrane. Artisti nuk njeh kufizime politike dhe i kam dhënë dhe më ka dhënë.

Në dimë që punon në një punë shteti që ka lidhje me burgjet, por nuk e dimë se çfarë. Mund të na e shpjegoni?

Unë punoj në Drejtorin e Burgjeve, në zyrën e specialistëve dhe monitoroj aktivitetet që bëhen në burgje. Në këtë pozicion u bë gati më shumë se një vit.

Si është kjo punë për ty, të shohësh dhe jetën e qindra të burgosurve që kalojnë ditët pas hekurave?

Çdo punë ka të mirat dhe të këqijat. Me vjen keq që investohet kaq shumë për të burgosurit, nuk dua të ma marrin për keq këtë fjalë, por e kam në kuptim që, një njeri që ka vrarë, një njeri që të vjedh të mirat materiale, një njeri që i ka tharë zemrën e një nëne dhe ka lënë disa fëmijë jetim çfarë mund të meritojë. Pse të mos i punësojmë ata të burgosur, dhe kur punon është më mirë për ta. Se kur rri gjithë ditën do ta kesh mendjen veç te poshtërsitë.

Aty ka fëmijë 18, 21 vjeç që nuk kanë asnjë klasë shkollë, dhe prej vajzave të sektorit tonë janë hapur shkollat brenda në burg. Ka disa të burgosur, djem të rinj që vazhdojnë universitetet me korrespodencë. Sikur të bëheshin këto investime dhe për azilet e pëlqeve, për shtëpitë e fëmijëve do kishte qenë shumë mirë. Ata janë me televizor, më sharp, me frigorifer, me mikrovalë, janë me salla biblioteke. Janë mbi 11 burgje që kanë kompjuter. Kanë ushqim shumë të të mirë dhe vetëm që mos të ndihen të braktisur kërkojnë që t’u vijnë familjarët se iu duket sikur i harrojnë. Dha ata të shkretët që këputen me çanta kush e di që nga vijnë.

Je e kënaqur më këtë punë?

Po, unë e kam zgjedh vetë këtë punë, t’i aktivizosh ato nuk është pak. Kemi vënë 5 pjesë teatrali te burgu i grave te 325. Ne Lezhë ka grup artistik. Ka djem që i bien firzamonikës dhe kitarës. Dhe unë, ca nga këta i marr dhe i çoj të bëjnë koncert në gjithë burgjet. Kemi organizuar gjithashtu konkurs letrar në Teatrin Popullor.

Kur shkon atje të njohin?

Po, dy tre ditë ato merrem me mua një herë. Pastaj qetësohen.

“Na mbytën antivlerat”

“Mua më vjen keq për një gjë, që i kushtojnë kaq shumë vëmendje pamjes së jashtme sa lënë të tjerat pas dore. Nuk them se po vendose të merresh me artin duhet të jesh e mirë kuruar nga pamja e jashtme, më modën e kohës. Po më vjen keq që gjithë këtë investim nuk e bëjnë për formimin e tyre muzikor. Më vjen keq gjithashtu se, në qoftë se në kohën tonë ka pas kufizime, jo gjithkush ka mundur të hyjë në art, në të gjitha fushat tani këto zëra të bukur, i kanë mbuluar antivlerat.

Ne kemi zëra të mrekullueshëm, që nuk po marrin vlerat e veta. Në një aktivitet duhet të përballen vlerat me antivlerat. Është gjynah, se me play-back kush nuk këndon, edhe ata që bëjnë prova para pasqyrës. Me duket se këto mediat e ndryshme, këto 20 vjet kanë bërë një politikë antivlerash, se duke u dhënë përditë këto gjëra, janë kthyer në shije”./Gazeta Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here