Muzika shqiptare do të vijë aty ku ka qenëKristi Popa për krijimin e tij ritmik ku jetojnë folku dhe danci, rroku dhe R&B, kompozitori Kristi Popa ka zgjedhur këngëtaren Kamela Islami, pjesëmarrëse për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH.

Ai tregon për gjendjen që e lindi muzikën e këngës, si i vishet ajo vokalit të këngëtares, dhe pse duhet të jetë një krijues në Festivalin e Dhjetorit.

Teksti i këngës “Kalimtar” akoma nuk është shkruar, por Kristi Popa ka çfarë të tregojë për muzikën dhe vokalin e Kamela Islamit të cilës i ka besuar krijimin e tij, konkurrent në Festivalin e RTSH-së.

Në muzikën e tij rrinë folku dhe danci, rroku dhe R&B, të cilat zëri i Islamit – pjesëmarrëse për herë të parë në skenën e festivalit – Kristi thotë se i përballon me sukses. Për këngëtaren, “Kalimtar” është një krijim që e nxjerr nga korniza e materialeve të kënduara deri më tani. Më tej, Kristi tregon rëndësinë e pjesëmarrjes “në festivalin e vetëm që arkivon vlerat dhe krijimet muzikore shqiptare”. Duke qenë optimist në rrugën që ky festival po bën drejt “live”-it, Popa shprehet: “Muzika shqiptare do të vijë aty ku ka qenë, tek ato profesionalizma që kemi dëgjuar herë pas here në këngët nostalgjike.”

Kristi, në ç’gjendje e krijove “Kalimtar”-in?

Kam krijuar një këngë ritmike, një bazë me ritëm të ngjeshur, ku natyrisht nuk mungon edhe prezenca simfonike e orkestrës dhe e linjave të saj karakteristike, të cilat e përfaqësojnë në një festival pothuajse “live”, siç është ai i këtij viti. Është një gjendje pak hapësirore. Ngaqë edhe vetë teksti akoma nuk po gjendet tamam, do të thotë që po “fluturon”, por sigurisht që do të ketë një moment ndalimi. Ka shumë liri si këngë.

Liri në ç’kuptim?

Ky lloj ritmi të jep liri të trajtosh edhe një temë sociale, edhe një temë dashurie, abstrakte apo konkrete, edhe një temë për luftën apo paqen, për ufot apo për Zotin.  Është një motiv që është kompozuar jo nga ndonjë ngjarje e veçantë, thjesht ka lindur nga një ritëm i bukur, është krijuar harmonia dhe më pas melodia. Është e qetë dhe ritmike.

Kush e ka shkruar tekstin e saj?

Unë kam bashkëpunëtorët e mi me të cilët punoj gjithmonë, Jorgo Papingjin, Florion Zykon, por akoma nuk jemi ndalur tek një tekst i saktë. Titulli i këngës është “Kalimtar” sepse lidhet me kalimin e gjendjeve emocionale. Nuk e kemi vendosur dhe nuk jemi tamam të sigurt për këtë tekst, për këtë titull. Kënga përsëri do të ripunohet.

Ndoshta jo nga e para në disa pika, por në disa të tjera po, siç është titulli i saj dhe brendia e tekstit, sepse e shoh që brenda saj ka një “thirrje” dhe derisa kënga të thërret, do të thotë që akoma nuk është përfunduar. Ndërsa muzika është ritmike, me melodi, me fuqi shprehëse dhe këngëtarja që kam zgjedhur Kamela Islami është e një përgatitjeje të lartë teknike, e përgjegjshme dhe shumë e aftë në të kënduar “live”.

Jam i sigurt në realizmin që ajo do të bëjë. Kam pasur përvoja të tjera edhe vjet me një këngë shumë të vështirë të titulluar “Dikush mungon” që e këndoi Erga Halilaj, e cila edhe pse në moshë aq të re, arriti ta interpretonte siç duhej. Të gjithë këngëtarët me të cilët kam bashkëpunuar, po ashtu edhe Mariza Ikonomi e Erion Korini, kanë nxjerrë vlerat e tyre vokale në këngët e mia. Për këtë u jam vërtet mirënjohës dhe ndihem me fat që kënga ka gjetur veten.

Çfarë merr parasysh kur zgjedh këngëtarin?

Në këtë rast çiftëzimi i këngës sime me atë të Kamelës është nëpërmjet “kumbarit”, drejtorit artistik, Selim Ishmaku, sepse ai ka bërë edhe propozimin konkret për t’u bërë një bashkëpunim i tillë, krijoi mundësinë e lidhjes nëpërmjet meje dhe Kamelës dhe besoi i pari tek pjesëmarrja e saj në Festivalin e Dhjetorit. Ajo është një zë i ri për festivalin, një prurje e re. Falënderimin e kam për të gjithë stafin e RTSH-së, të cilët karshi meje kanë treguar një dashamirësi që më ka ngrohur artistikisht.

Veç vokalit…

Vokali është i pari dhe aty përqendrohet më shumë vëmendja e kompozitorit. Paraqitja skenike, mënyra sesi sillet ky këngëtar me zë të mirë në skenë, është edhe kjo një pjesë tjetër. Kamela është një këngëtare stabël në mikrofon. Më duket pak i vështirë për t’u kapur si karakter, për të gjetur një këngë që t’i shkojë vërtet, por unë nuk e kam pasur. Edhe ajo vetë e ka ndjerë që kjo këngë rrjedh, i rri mirë, përndryshe nuk do t’i kishim hyrë fare këtij bashkëpunimi. Skena ku ka kënduar Kamela është krejt ndryshe nga skena konkurruese dhe prestigjioze e Pallatit të Kongreseve dhe për më tepër, Festivali i Këngës në Radio-Televizion. Pra, ka ngarkesa të larta emocionale, ka trysni, sepse janë një mori këngëtarësh të mirënjohur që konkurrojnë.

Kënga është brenda asaj rryme muzikore që jemi mësuar të dëgjojmë nga Kristi?

Është diçka ndryshe, por jo e dalë nga përmasat e gjithçkaje që kam krijuar deri më sot. Është ndryshe nga stili im, të cilin përpiqem gjithmonë ta ripunoj, ta kem në vëmendje për risi.

Është një rrymë e përzier. Ka pak folk brenda, dance, R&B, rrok.

Përse është e rëndësishme pjesëmarrja në Festivalin e Dhjetorit?

Pjesëmarrja në çdo festival është e rëndësishme sepse paraqet veten, kontribuon në muzikën shqiptare dhe duke kompozuar pastron veten, pastron muzikën në një farë mënyre. Është fat të marrësh pjesë me një krijim, se nuk ka shumë krijues. Jo të gjithë krijuesit e kanë shansin, fatin, apo mundësinë profesionale që të konkurrojnë në një festival. Mund ta krijohet mundësia për të dalë nëpër festivale edhe nëpërmjet rrugësh të tjera, por kur del në atë skenë duhet të jesh i ndershëm me veten dhe duhet të kesh bërë diçka të sinqertë. Gjithshtu, është e rëndësishme sepse je në një historik vitesh, je në një festival ku të gjithë kompozitorët dinjitozë kanë shkuar dhe ai ka krijuar atë background-in e vet të fuqishëm, që tërheq vëmendjen. Është një festival serioz. Por nuk duhet të biem në kurthin e kësaj fjale. Duhet të jesh vetvetja gjithsesi.

Po “live”-i, çfarë përgjegjësish i ngarkon kompozitorit?

Kënga duhet riparë mirë, orkestrimi duhet të tingëllojë bukur drejtpërsëdrejti. Ka shumë ndryshim nga një orkestrim që është bërë në studio. Këtë vit do t’i shtohen elemente të tjera live-it, siç janë piano, vokalet shoqëruese, ndoshta ndonjë instrument i veçantë. Nuk është e thjeshtë të shkosh drejt një një “live”-i të vërtetë. Nuk është e lehtë, por unë jam optimist që muzika shqiptare do të vijë aty ku ka qenë, tek ato profesionalizma që kemi dëgjuar herë pas here në këngët nostalgjike. Jo se jam nostalgjik, por atëherë vërtet çdo gjë ishte “live” dhe ishte bukur. Besoj se do të vijë shumë shpejt koha që edhe këtu të mos ketë më dyshime që kemi apo jo teknikë të duhur, teknikë që suporton “live-in” apo jo. Do zgjidhen këto probleme dhe shyqyr jemi në një rrugë të mirë. /Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here