MPB : Blero s’ka leje për alltiKëngëtari Blero Muharremi nuk ka leje për të mbajtur armë. Kështu kanë bërë të ditur për Express në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për alltinë, që u zbulua dy ditë më parë, gjatë një emisioni televiziv, sipas Kodit Penal të Kosovës, ai mund të dënohet me burg.

Rroksana Qarri, Drejtore e Zyrës për Informim, në Ministrin e Punëve të Brendshme, ka thënë për Gazetën Express, se këngëtari Blero nuk ka bërë asnjë herë kërkesë për të marrë leje për armë në këtë Ministri.

“ Mund të konfirmojmë se Blero nuk ka bërë asnjë kërkesë për t’u pajisur me leje për armë. Në Ministrinë tonë nuk figuron një kërkesë e tillë. Derisa nuk ka kërkesa për këtë, kjo do të thotë se ai nuk ka leje për revolen që mbanë”, ka thënë ajo.

Kurse, Blero gjatë ditës se djeshme ka thënë për Express se ka lejen për armën që e mbanë. “Po kam leje për armë” ka thënë Blero për Express, derisa vlerëson se mbajtja e një arme është diçka shumë normale.

E, në Policinë e Kosovës kanë thënë dje se do të konsultohen me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tek e cila do ta vërtetojnë nëse këto pohime të këngëtarit janë të sakta. “Policia e Kosovës e posedon si informacion dhe të njëjtin është duke e trajtuar në aspektin policor”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës për Express.

Këngëtari Blero, në bazë të Kodit Penal të Kosovës, mund të dënohet me burg ose gjobë. Neni 374 “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, e sqaron fare mirë këtë gjë.

Pika një e këtij neni thotë: “1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. 2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. 3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet./Gazeta Express/.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here