Ato janë në kulmin e punës. Janë të veshura sport, me kapele, atlete, ndryshe nga ç’i shohim në televizor. Po zhvillohen provat e Top Fest 9. Motrat, Marina dhe Luana Vjollca, në këto kohë po shijojnë ndoshta kulmin e karrierës së tyre.

Në shkurt të këtij viti, ato nisën së bashku aventurat e prezantimit të Top Fest 9, ndërsa këto ditë janë në fundin e tij. Mbrëmjen e së premtes, është zhvilluar gjysmë finalja e këtij festivali.

“Ky është edicioni i 9 i Top Fest e për ne është viti i dytë që na u besua serish drejtimi e këtij festivali, – thotë fillimisht Luana në këtë takim me rubrikën Jetë të Shekullit. Motra e saj shton: “Është një festival që ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës moderne shqiptare, prandaj është një përgjegjësi e madhe të jesh pjesë e kësaj”.

Çfarë ndodh këtu në prapaskenë?

Luana: Janë gjithmonë të bukura sepse ka gjëra që nuk shfaqen në televizor. Unë për shembull kërcej me çdo këngë (qesh)

Tani dilni nëpër kopertina mediesh, jeni në atë fazën kur vendoseni në qendër të vëmendjes pak a shumë. A është jeta juaj ashtu si duket në faqet e para të revistave?

Luana: Ne mundohemi te jemi sa më reale në të tilla dalje mediatike. Por nuk do të thoja që jeta është si në revista.

Marina: Ne në revista kemi pasqyruar atë që jemi realisht. Por kopertina është thjesht një imazh që bëhet në formë të atillë për të tërhequr syrin e publikut.

Do donit një jetë më të lirshme apo është kjo jeta që ju doni?

Marina: Televizioni është bërë tashmë pjesë e pandarë e jona. Aktiviteti i ngjeshur është bërë tani ritual i përditshëm, mua nuk më pengon.

Luana: Normalisht që fama të privon shumë gjëra por kënaqësia që të fal përballja me publikun nuk mund të krahasohet e të ndërrohet me asgjë.

Ju ka ndihmuar të qënit e bukur të ecni përpara në jetë, në drejtime që ndoshta nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pamjen fizike?

Luana: Në këtë moment të jetës nuk mund të them që më ndihmon pamja e jashtme, ka rëndësinë e vet pa diskutim, por vetëm me të nuk mund të ecësh kurrë në jetë e jo më të arrish objektivat e tua.

Marina: Një pyetje që ka shumë debat e është diskutuar prej shumëkujt andaj e evitoj si përgjigje.

Por të qenit personazh publik i ka disa kosto. Ju keni humbur diçka nga të qenit person i thjeshtë? Përshembull të dilni të argëtoheni për qejfin tuaj, pa tërhequr vështrimet e gjithë të tjerëve mbi vete?

Luana: Ne e kemi nisur punën shumë të vogla edhe gjithmonë ka ekzistuar kurioziteti se çfarë kemi lenë pas dore për t’ju përkushtuar punës. Dihet që të gjitha nuk mund të bëhen. Kemi pasur paralelisht edhe vazhdojmë akoma të kemi shkollën edhe punën. Në fakt, pas gjithë kësaj ngarkese nuk mbetet shumë vend për pjesën e argëtimit.

Dmth arrini ta ruani privatësinë tuaj edhe pse jeni personazhe publike?

Luana: Në fakt është vështirë për ta ruajtur, sidomos nëse bëhesh objektiv i dikujt. Shumë shpesh ndodh të bëhen edhe padrejtësi në këtë pjesë duke na cenuar. Kjo është një pjesë që ne gjithmonë gjithkujt i kemi thënë Stop! Stop se kjo është vetëm e jona!

Marina: Jeta jonë private do ruhet me kthetra prej nesh. Jemi ne ato që kemi zgjedhur të jemi persona publik jo ata që na rrethojnë, ndaj duhet respekt në këtë pikë.

Velinat-Avokate

Është e njohur tashmë lidhja e dy motrave Vjollca, njëra shndërruar në bionde për shkak të emisionit të parë ku u pranuan të performonin së bashku: “Fiks Fare”. E kanë rrëfyer shumë herë se në familjen e tyre femërore ekziston një lidhje e ngushtë dhe se Luana është shoqja e ngushtë e Marinës dhe anasjelltas. Nuk është çudi që të kërkosh Luanën dhe t’i biesh telefonit të Marinës, ashtu siç nuk përbën më lajm fakti se dy vajzat kanë ndjekur të njëjtë shkollë – degën juridike – vetëm që të mos ndaheshin nga njëra-tjetra.
Luana është 11 muaj më e vogël se Marina. “Ne jemi të pandashme”, – shprehet Luana me një ton bindës. Të dyja kanë vendosur të studiojnë Drejtësi, nëse dikur mund të thoshim “motrat velina”, në një të ardhme mund të themi “motrat avokate”.

Jeta private

Luana Vjollca ka zgjedhur të qëndrojë në hije, larg interesit të gazetarëve, të cilët e kanë gjëmuar jo pak këto ditë për t’i marrë ndonjë fjalë, e mbi të gjitha e palëkundur në një vendim që ka marrë këtu e shumë vite me parë, që kur shkeli në ekran, se do ta ruante me fanatizëm brenda mureve të shtëpisë jetën e saj personale. I është përmbajtur këtij betimi edhe e motra, Marina, e cila nuk nguron të shprehet se kur na cënohet jeta private, nxjerrim kthetrat…

Vajza e motit

Pas edicionit të lajmeve në Top Channel, shfaqet Luana, përballë një harte ku na jep një informacion të rëndësishëm: si do jetë moti, sot dhe nesër. E për këtë nuk i vjen keq kur i thonë “vajza e motit”, e aq më pak kur e identifikojnë me atë program. Mbase sepse prej tij kaloi, në fillim tek “E diell” dhe më pas në Top Fest 8 e tek ky i sivjetshmi Top Fest 9, një festival i muzikës moderne.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here