E diela në “Top-Channel” pritet të jetë jo vetëm ndryshe, por edhe me moderatorë të rinj. Lajmet se prezantuesit e vjetër do të ishin sërish pjesë e formulës së re, kanë ndryshuar.

Kështu, Alban Dudushi nuk do të jetë më pjesë e emisioneve që do të jepen të dielave në “Top-Channel”.

Moderatori i njohur, i cili për një sezon bashkë me Xhemi Shehun ishte prezantues i “E diell”, tani do të ketë vetëm emisionin “Top-Show” në këtë ekran.

Ndryshime të reja kanë pasuar formulën e re pas shkrirjes së “E diell”, ku Xhemi Shehu do të drejtojë “I love my country”, një garë mes VIP-ash për kulturën e Shqipërisë.

Ndërsa për emisionin tjetër “Minute to win it” prezantuesi ka ndryshuar. Nuk do të jetë më Albani, por një tjetër femër. Bëhet fjalë për gazetaren e njohur Monika Stafa, e cila do të provojë këtë eksperiencë të re televizive. “Minute to win it” është i organizuar në formën e një spektakli, ndërthurur me lojëra televizive, por edhe të ftuar të ndryshëm.

Sa i përket të ftuarve, ata do të jenë emra të njohur që kanë bërë emër në botë dhe kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe flamurin shqiptar. Loja mësohet se është model i një shou amerikan, ku lojtarët marrin pjesë në seri 60-sekondëshe dhe që luajnë për të fituar paratë e vëna në dispozicion. Çdo gjë ndodh brenda 60 sekondave, ndaj edhe puna e moderatorit është mjaft delikate në këtë shou, për shkak të ritmit që kërkon. Do të jetë mjaft interesante për ta parë Monika Stafën, spikeren e lajmeve dhe gazetaren e shumë dokumentarëve, në një sipërmarrje të tillë në botën e spektaklit.

Alban Dudushi, veç “Top-Show”-t, do të vazhdojë edhe me emisionin e tij në radio. Ndërkohë vlen të theksohet se “E Diell”, qysh prej largimit të Krastës, ka pësuar një sërë transformimesh jo vetëm sa u takon rubrikave të reja dhe moderatorëve, por edhe autorëve të saj. Së fundi, ajo nuk do të ekzistojë më, por në vend të saj do të jenë dy emisionet e lartpërmendura. Cilat do të jenë risitë mbetet për t’u parë kur çdo gjë të marrë udhën e transmetimit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here