Suada SherifSuada Sherifi, vajza vlonjate shtatlartë, fituese e kurorës së spektaklit “Miss Albania 2005”, duket se po jeton një periudhë të arta sa i takon karrierës profesionale. Një dëmtim serioz në ligamentet e kaviljes, gjatë lojës në fushën e basketbollit me ekipin e Tiranës, ku ajo është lojtare, bëri që të shkëputej herët nga sfidat sportive të këtij sezoni. Por, jo çdo e keqe, vjen për keq… Një takim i rastësishëm në ambientet e “Digitalb”-it shërbeu si një ogur i mirë, drejt perspektivës televizive për vajzën bukuroshe. Ftesa i erdhi në vend.

Një format televiziv i konceptuar si shorte sportiv me dhurata për telefonuesit, është vetëm fillimi i rrugëtimit në botën e ekranit. Pas pushimit të zgjatur në kohë, me përvojën e dikurshme në “Vizion Plus”, një emision në bashkëprezantim me Turjan Hyskën, loja “Mos u nxeh”, është koha që ta rishihni Suadën nën siglën e një formati të ri televiziv, ku ajo thotë se ndihet mjaftueshëm komode. Duket si një format “i qepur” enkas për të, sepse ka lidhje kryekëput me sportin.

“Super Shorti” i Miss-it
Është formulë e njohur tashmë që producentët televizivë të “gjuajnë” femrat e bukura, për t’i bërë prezantuese programesh televizive. Suada Sherifi qëlloi me fat sepse, përveçse një miss, është edhe një sportiste, kështu që formati që po i ofrohej nga “Digitalb” nuk mund të refuzohej. Bëhet fjalë për “Super Shortin”. E përzgjedhur për të qenë drejtuesja e këtij shorteu, jo pa arsye, ideatorët e programit e pikasën lidhjen e hershme dhe profesionale të Suadës me botën e sportit, faktor parësor ky, e mandej vjen bukuria. “Bukuria është një komponent, që nuk bën dot pa komunikimin e mirë dhe gjestikulacionin. Sidomos në botën e ekranit, këto detaje janë të evidentueshme. Natyrisht, të jesh e bukur e bën më të lehtë suksesin, sidomos në ekran, por për mua kjo nuk ka rëndësi. Puna është ajo që në fund dëshmon suksesin”, shprehet Suada. I konceptuar në formën e një shorteu, ku përmes telefonatave, individët kanë mundësi të japin përgjigjen e saktë për tri kategori: lojtarin më të mirë; golin më të bukur; dhe super-gafën javore. Ata që kanë votuar më shumë për çdo kategori, futen në shorte, nga ku dalin edhe fituesit e dhuratave. Çdo të diel të javës, ajo është pranë teleshikuesve për t’u kthyer buzëqeshjen me shumë dhurata. Ajo i njeh mirë terrenet sportive, jo vetëm kategorinë e basketbollit, ku bën pjesë si lojtare profesioniste në ekipin e Tiranës. Prandaj, nuk pati ngurrim në momentin që iu propozua ftesa për bashkëpunim, në pozicionin e drejtueses së shorteut “Super Shorti”.

Përpjekjet drejt lajmit sportiv
Objektivat profesionale të ish-missit janë edhe më largpamëse. Ajo shkon më tej, kur thotë se ky është rasti i artë për të promovuar veten mediatikisht në Sport News, sepse aty Suada Sherifi ka shkuar me synime të qarta. Të bëjë karrierë edhe në sferën e lajmit sportiv, brenda stafeve redaksionale duke punuar më shumë me informacionin e gazetarinë sportive. “Sporti është një nga fushat e preferuara të miat. Sepse, jo vetëm angazhimi personal në të, por edhe nevoja ime e përhershme për të lexuar më shumë mbi sportin, volejbollin, basketbollin, lojtarët, trajnerët, ekipet, gjithçka ka lidhje me sportin, ka bërë që të jem e informuar në çdo moment mbi ndeshjet e radhës, rezultatet finale, etj.”, ka thene ajo per “Panorama”, duke shtuar: |Dua që të përfshihem seriozisht në botën e lajmit sportiv, sepse është një fushë që e njoh mirë, e që jam e bindur se mund të jap shumë më tepër se të prezantuarit, nga vendi i drejtueses së emisionit”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here