Ato janë rikthyer në “The Voice of Albania” edhe më energjike se më parë. Miriam Cani dhe Alma Bektashi janë në kërkim të talenteve.

Këtë e dëshmuan edhe në natën e parë të edicionit të dytë të “The Voice”. Ka vetëm një ndryshim te to: e zotërojnë situatën nga karriget e cepit. Në fakt duket se ka funksionuar.

Bashkëveprimi i Miriamit me Almen ka qenë përtej të pritshmes. Të dyja kanë një synim të qartë, të nxjerrin zërin më të mirë nga ky edicion i dytë. “Unë nuk nisem me idenë për të nxjerrë një fitues.

Rina mund të ishte te skuadra e Miriamit, Sidritit, Eltonit, por të gjithë kemi aprovuar vokalin e saj. Ne nuk luftojmë kush të marrë më të mirin, ne luftojmë që të nxjerrim më të mirin”, thotë Alma. Gara sapo ka filluar. Kanë zgjedhur vetëm të parët, por mbeten edhe katër javë të tjera nga audicionet e verbra.

“Audicioni i dytë sapo ka filluar dhe ne nuk e dimë ende se çfarë na pret, por ka shumë prurje. Pritshmëritë janë të larta dhe besojmë se do të ketë shumë talente. Nëse vjet kanë dominuar vokalet e fuqishme, shpresoj të kemi më shumë prurje në stil, shumë karaktere të veçanta, zëra me ngjyrë, personazhe më unike”, shprehet Miriami.

Të dyja i kemi parë që vjet të gjenden në situata të vështira. Të lidhura emocionalisht me konkurrentët e skuadrave të tyre, kanë bërë zgjedhje të vështira e madje edhe janë përlotur. Në fakt marrëdhënia me ta nuk ka përfunduar brenda këtij talent shou.

Veçanërisht Miriami i ka ndjekur ata edhe më pas. “Marrëdhëniet janë shumë të mira, jam në kontakt, realizuam me secilin nga një këngë dhe shpresojmë të realizojmë një të dytë. E rëndësishme është të ketë jetëgjatësi, të mos fillojë e mbarojë gjithçka aty. Pozicioni i trajnerit është shpesh i vështirë, por kemi mundësinë të bëjmë bashkëpunime frytdhënëse e të shohim një progres që zgjat katër-pesë muaj e që shfaqet në mënyrë të dukshme për publikun”, thotë Miriami, e cila edhe këtë radhë do të jetë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku vazhdojnë angazhimet artistike.

“‘Betejat’ ka qenë pjesa më e vështirë për mua. Kjo ndodh, sepse mbase unë ia lejoj vetes të lidhem shumë me konkurrentët. Në ‘audicionet e verbra’ gjykon me mendje të ftohtë, vendos ca kritere për zërin që kërkon, por me kalimin e kohës e sheh që bëhesh pjesë e tyre dhe ata bëhen pjesë e jotja. Ndarja pas disa javësh që i ke mësuar e i ke rritur në skenë, për mua personalisht është tepër e vështirë”, shprehet Alma. Të dyja trajneret i kanë idetë e qarta për atë që kërkojnë.

Së pari një zë e më pas edhe konkurrentë që dinë të përballen me skenën e dinë të përfshijnë edhe publikun. “Zëri ka rëndësi, por edhe performanca. Një këngëtar ka finesën, profesionalizmin, vokalin janë elemente që e bëjnë një këngëtar të jetë i suksesshëm”, thotë Alma. Ato janë jo vetëm trajnere, por protagoniste në “The Voice”, sepse përjetojnë dhe shijojnë çdo moment të këtij spektakli. Për më tepër nënvizojnë faktin se të rinjtë që dalin nga ky format nuk humbin në hiç. Ata janë të pranishëm në “Select”, “Top Show”, “Top Fest”, “Pasdite”, “E Diell”, një sërë programesh të “Top Channel”, por edhe më gjerë.

Për Almën, diskutimet që synojnë të ndajnë zërat sipas krahinave, nuk qëndrojnë në një spektakël të tillë. “Nuk më bëjnë përshtypje zërat e njerëzve që vihen të llogarisin se ku ka më shumë zëra, në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri. Përderisa flasim shqip, duhet të mendojmë që më i miri të ecë përpara. Ne kemi këngëtaren Rita Ora, e cila po përjeton sukses të madh këto kohë, por ajo thotë gjithnjë: ‘Jam krenare që jam shqiptare’. Ajo është nga Prishtina, por asnjëherë nuk tregon se cilës pjesë të pozitës gjeografike shqiptare i takon dhe kjo është për t’u vlerësuar”, thekson Alma. Këtë të premte, të tjerë konkurrentë do të ngjiten në skenë. Të tjerë zëra, të tjera zgjidhje dhe gjithnjë një talent shou plot emocione./tch/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here