Miriam Cani, një nga trajneret e spektaklit ‘The Voice of Albania’, foli për fazën ku këngëtarët përballen me njëri-tjetrin dhe ku nesër skuadra e saj do të sfidojë konkurrentët e Elton Dedës.

Trainerja theksoi se gjatë kësaj eksperience ka pasur edhe pishmane për mospërzgjedhje të disa konkurrentëve.

“Kemi dëgjuar 150 këngëtarë dhe kam pasur pishmane për disa zëra që nuk i kam zgjedhur. Edhe pse më ka pëlqyer shumë dikush, nuk e kam shtypur butonin sepse kam pasur një timbër të ngjashëm në skuadër dhe nuk doja konkurrencë brenda skuadrës. Kështu kemi vepruar të gjithë, këto janë rregullat e lojës”, theksoi Cani në studion e ‘Pasdite në Top Channel’.

Përsa i përket marrëdhënies me trainerët e tjerë të show-t (Elton Deda, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri), Miriami u shpreh se e dëgjojnë njëri-tjetrin.
“Ne trajnerët flasim dhe këshillohemi. E keni parë që herë pas here i kemi thënë njëri-tjetrit që të shtypin butonin për të marrë një zë që mund të jetë i përshtatshëm për ta”, tha këngëtarja.

“Cdo ditë japim këshilla për konkurrentët, por gjëja më e rëndësishme është që të punojnë. Bëjmë çdo ditë prova dhe përqëndrohemi te secili nga ata”, shtoi Miriami.

Të premten në garë do të jenë skuadrat e Elton Dedës dhe Miriam Canit. Kjo do të jetë mbrëmja e dytë live e spektaklit. Janë edhe 7 javë të tjera (përfshi të premten e 23 dhjetorit) përgjatë të cilave konkurrentët do të garojnë për një vend në natën finale, në galanë e madhe ku vetëm njëri prej tyre do të ngrejë trofeun e ‘The Voice of Albania’.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here