Bukuroshja Miriam Cani rrëfen për veten, marrëdhënien me Alban Skënderajn, projektet profesionale dhe angazhimet e saj për Ditën e Pavarësisë, e cila do ta gjejë në qytetin e Vlorës… 

Imcake, e qeshur, tejet e sjellshme, mbërrin në një bar të vogël, diku pranë apartamentit ku banon, në zonën e kopshtit zoologjik. Nuk ishte edhe aq e lehtë gjetja e kohës së përshtatshme për këtë takim. Sepse, Miriam Cani, të paktën sa herë është në Shqipëri, është tejet e ngarkuar me projekte pune. Edhe kësaj here, “The Voice” është një angazhim jo i paktë. Dhe pastaj, nuk është i vetmi: bashkë me gjysmën tjetër të saj (siç shprehet për Alban Skënderajn) janë duke u marrë me një projekt që ka të bëjë me 100-vjetorin e Pavarësisë. Një projekt që veçse ia ka gërvishtur dhe nxjerrë në pah ndjenjën atdhetare, dashurinë për vendin e vet, përveçse ka të bëjë me një ngjarje të madhe siç është festa e Pavarësisë tashmë njëshekullore, ka edhe më: projekti artistik do ta çojë në Vlorë. Epo… është qyteti i të dashurit, që ia ka “marrë zemrën” dhe e ka bërë për vete… Dhe për të gjitha këto, jo vetëm e ka mirëpritur propozimin për këtë aktivitet, por është angazhuar me mish e me shpirt duke u përfshirë (edhe një herë në çift) në një rol profesional shumëplanësh…
Kur nis e flet, ngadalë dhe me zë të qetë, kupton se është e njëjta me vajzën e ëmbël të ekranit, pikërisht “trajneren” e “The voice” që të gjithë e shohin të premteve mbrëma, pa falsitete dhe imazhe të ndërtuara enkas për publikun. S’ka gjë se veshja sport, me atlete, e ditës së takimit tonë nuk përkon me veshjen vezulluese të skenës; as me atë të vajzës që ndjek dhe përzgjedh pretendentët për këngëtarë e as me atë të këngëtares flokëverdhë krejt të fokusuar në tingujt e këngës së vet. Tek e fundit, siç thotë dhe vetë, e bën “për të shijuar diferencën mes punës dhe jetës së përditshme”. Pse jo fundja?
Po kush është Miriami, përtej pamjes së jashtme? Kush është vajza që qëndron mes dy imazheve, atij të flokartës së krehur me kujdes dhe atij të së “shkujdesurës” me flokë të kapura bisht? Përtej pra, duke hyrë në thellësi të qenies, Miriami flet për shumëçka rreth vetes së saj…

Burimi: revista psikologji.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here