Miriam Cani, trainerja e “The Voice” rrëfen për “Bluetooth” bashkëjetesën me Albanin dhe avantazhet e të dashuruarit të një njeriu me të njëjtin profesion.

Dashuria dhe xhelozia. Angazhimet profesionale që këto kohë po e mbysin, jeta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ku po mban një musical. Rrëfehet Miriami!

Miriam bashkë me Albanin jeni në dy formate televizivë që mund të quhen konkurrente me njëri-tjetrin? A ka konkurrencë mes teje dhe Albanit?
Absolutisht jo. Unë dhe Albani jemi si të ishim një njeri në dy trupa. Nuk mund të ndiejmë konkurrencë për njëri-tjetrin. Përkundrazi e ndihmojmë shumë njëri-tjetrin. Për shembull Albani, duke qenë se program im ka filluar më parë më ndjek me vëmendje dhe më këshillon për gjithçka.

Ju bëni një jetë të mbushur me udhëtime pune. Si ia bëni të kaloni sa më shumë kohë bashkë?
Në Gjermani ku kalojmë pjesën më të madhe të kohës dhe ku kemi projektet, unë dhe Albani jetojmë në një shtëpi. Por, edhe kur ndodh që angazhohemi me projekte afatgjata, për të cilat duhet të lëvizim nga njëri qytet në tjetrin, atëherë mundohemi që të pranojmë projekte dhe oferta që na japin mundësinë të jemi sa më pranë njëri-tjetrit. Siç ndodhi për shembull me rastin e dy ofertave që morëm respektivisht unë nga “The voice of Albania” dhe Albani nga “X Factor”.
Domethënë edhe tani që “X Factor” nuk ka filluar ende, Albani ka vendosur të rrijë me ju?
Në fakt, “X Factor” ka filluar me audicionet që organizohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndaj normalisht Albani ka qenë këtu për arsye pune. Por edhe sikur të mos ishte kështu, përsëri ai do të ishte këtu që të më shoqëronte mua.

A ka ndonjë gjë që nuk të pëlqen te Albani?
Shiko, çdo çift ka uljet dhe ngritjet e veta. Ne në fillim kemi pasur më shumë debate duke qenë se jemi të dy njësoj. Mund të themi që jemi identikë si tipa, sikur të na kishte lindur e njëjta nënë. Ndaj, edhe kur debatojmë, debatojmë të dy në të njëjtën mënyrë. Sa kokëfortë mund të duket Albani aq mund të jem edhe unë. Por, nuk mund të them se kjo është diçka e cila nuk më pëlqen te Albani, sepse edhe unë vuaj nga të njëjtat anë që po i quaj “negative”, por të cilat janë thjesht pjesë e karakterit të gjithsecilit.

Albani përveçse është një këngëtar i suksesshëm është edhe një djalë shumë simpatik. A je bërë ndonjëherë xheloze për të?
Xhelozia është pjesë e një marrëdhënie dashurie, mirëpo unë besoj se njerëzit nuk bëhen asnjëherë xhelozë pa arsye. Ne kemi arritur një lloj besimi te njëri-tjetri dhe kemi krijuar një raport të tillë që nuk i lëmë kurrë njëri-tjetrit arsye për të qenë xhelozë.

Miriam ti nuk vjen nga një familje artistësh. Por a të kanë ndihmuar prindërit për të ndërtuar karrierën?
Jo, unë nuk vij nga një familje artistësh. Prindërit e mi kanë punuar në një hotel në Gjermani. Sot nëna ime vazhdon të punojë aty, kurse babai është kthyer për të jetuar në Shqipëri. Prindërit e mi, megjithëse nuk kanë qenë vetë artistë, më kanë dhënë të gjithë mbështetjen morale dhe të gjithë dashurinë e nevojshme që një fëmijë ka nevojë për të ecur përpara në çdo lloj karriere e jo vetëm në atë të këngëtares.

Ti ndërkohë je e përfshirë edhe në një musical që po shfaqet në teatrot gjermane dhe je e angazhuar edhe me projektin “The voice of Albania”. Si ia bën me të gjitha? Qoftë edhe fizikisht a nuk është e lodhshme kjo gjë?
Është shumë e lodhshme. Mendo që unë çdo javë udhëtoj drejt Gjermanisë për të dhënë shfaqjen e muzikalit. Ngrihem shumë herët në mëngjes për të kapur avionin, pastaj udhëtoj me kilometra me tren për të arritur në qytetin ku shfaqet musical-i. Pra është një lodhje e jashtëzakonshme që të konsumon shumë jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Por, pastaj e marr kënaqësinë dhjetëfish e kjo më rekuperon investimin mendor. Sa i përket konsumimit fizik unë bëj një jetë jashtëzakonisht të shëndetshme. Nuk kam mbajtur kurrë dietë në jetën time, ha shëndetshëm, nuk pi duhan as alkol.

Në fakt edhe në pamje ti je fiks ajo vajza që mund të quhet “ujë e sapun”?
(qesh) Po është e vërtetë. Gjatë jetës sime të përdishme, unë nuk përdor make-up dhe vishem shumë sportive. Jam gjithë kohës në nxitim e nuk kam kohë të eci në majë të takave apo t’i kushtoj vëmendje make up-it. Skena pastaj është tjetër gjë dhe skena duhet respektuar. Për këtë arsye, mund të ndodhë që gjatë ditës, njerëzit të më shohin e të njohin një Miriam tjetër, shumë më të thjeshtë nga ajo që shfaqem në televizor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here