miriamPër më shumë se dy vite ata jetojnë një bashkëjetesë, duke e ndarë jetën mes  Gjermanisë dhe Shqipërisë. Pas 17 javësh në ekran, në spektaklin e “The Voice”, Miriam Cani i rikthehet punës për realizimin e klipit të saj më të ri, ndërsa  zbulon sekrete nga jeta në një shtëpi me Albanin: ceremonia e dasmës që kanë  ideuar dhe fëmija që i uron vetes së shpejti.

Sapo ke mbyllur “The  Voice”. Cilin do të veçoje si momentin më të bukur që kujton, po më i  trishtuari?

I gjithë “The Voice” si eksperiencë më ka dhuruar vetëm  momente te bukura dhe frytdhënëse në karrierën time. Kanë qenë dy vite plot  emocion, punë të madhe me shumë pasion dhe kënaqësi.

A do mund të  bëje ndonjë bashkëpunim me të preferuarin/ën tënd në “The Voice”, dhe cili do të  ishte?

Nëse do të bëja një bashkëpunim me një person të cilin e kam  shumë për zemër, mendoj që do ishte Vjosa nga “The Voice 1”. Unë vlerësoj mbi të  gjitha njeriun më shumë se gjithçka tjetër. Çdokush që ruan vlerat njerëzore te  vetja, për mua është një njeri me vlera maksimale.

Ndërkohë që i  dashuri yt, Alban Skënderaj, mund të konsiderohej rivali në “X Factor”. Cilët  ishin konkurrentët që kishit për zemër dhe që i përmendnit në bisedat tuaja në  shtëpi?

Çdo sukses i Albanit është edhe i imi. Ashtu edhe  anasjelltas. Në shtëpi ne diskutojmë për gjithçka, sidomos kur mblidhemi në  mbrëmje dhe flasim për ditën që kemi kaluar në punë. Nuk kemi pasur asnjëherë  emra konkrete në bisedat tona. Kemi folur për të gjithë dhe i japim gjithmonë  këshilla njëri-tjetrit për çdo hap që bëjmë.

Si do t’i përshkruaje  këto 17 javë spektakël në jetën tënde të Tiranë, si ka ndikuar ky intensitet në  jetën tuaj në çift?

Kanë qenë javë të mrekullueshme. Natyrisht të  ngjeshura plot punë, por aspak ndryshe nga jeta që bëjmë edhe në Gjermani.  Kështu që mund të them se kemi krijuar një farë rutine të përditshme në jetën  tonë si private, ashtu edhe profesionale. Kemi mësuar t’i menaxhojmë të dyja në  mënyrën më të mirë të mundur, duke mos neglizhuar asnjërën.

Gjendja  shpirtërore reflektohet dhe në pamje, por cilat do të ishin disa sekrete në  lidhje me look-n tënd?

Rëndësinë më të madhe unë ia kushtoj  ushqimit. Mundohem të jem gjithmonë e kujdesshme. Pi shumë ujë. Prej vitesh e  konsumoj edhe çajin çdo ditë. Përpiqem të bëj edhe gjumin e rregullt. Mendoj që  këto janë gjërat më të rëndësishme për të qenë në formë.

Pas këtij  show po përgatitesh për ndonjë këngë apo ndonjë klip, dhe ç’mund të thuash më  shumë për planet e të ardhmes?

Së shpejti do të dalë klipi i këngës  sime të re në Shqipëri. Në Gjermani vazhdoj me projektet e mia, siç janë  musical-i “Hair”, po ashtu edhe disa shfaqje të cilat unë do t’i prezantoj në  qytete të ndryshme gjermane. Po ashtu do kompozohen disa këngë të reja në  anglisht për tregun gjerman. Shumë projekte dhe mbi të gjitha shumë punë. Kjo  është me e rëndësishmja, të jesh aktive. Vetëm të rrit artistikisht dhe të  shërben për çdo gjë në jetë. Në momentin që punon shumë, e vlerëson punën e kur  vlerëson punën, vlerëson veten. Kur vlerëson veten dhe je në paqe me veten  tënde, respekton edhe të tjerët rreth teje.

Miriami: Në familjen tonë Viti që shkoi, mund të konsiderohej dhe  viti i Albanit në muzikë, i cili e mbylli 2012-n me kupën e “Këngës Magjike”. Ti  vetë je ndier ndonjëherë si në vargjet e këngës “Refuzoj”?

Varet si  e koncepton këngën. Diçka personale nuk më ka lidhur me të. Por jam e bindur që  shumë e shumë njerëz të tjerë, po. Kjo është e bukura e muzikës. Arrin të  prekësh shumë njerëz me fjalët që këndon. I ndihmon të kalojnë momente të  caktuara në jetën e tyre. Uroj që muzika që ne bëjmë, të shërbejë dhe vlejë  vetëm pozitivisht në jetën e çdokujt.

Diku, në një intervistë, ke  pohuar se personi që të ka prezantuar me Albanin ka qenë babai yt. Është e  vërtetë?

Është e vërtetë.

Çfarë mund të zbulosh për  fansat e tu nga bashkëjetesa me Albanin? Cila është e mira e tipit të tij, dhe  në ç’raste mendon që Albani ka tip të vështirë?

Për mua Albani është  mashkulli ideal. I vështirë në detaje të vogla, siç mund t’i ketë çdo mashkull.  Por asgjë që ndikon në lidhjen tonë.

Ju jeni një çift që grindeni për  gjithçka, apo kujdeseni të mos e lëndoni njëri-tjetrin?

Jemi një  çift që kemi gjetur gjuhën e përbashkët që në fillim. Kjo është shumë e  rëndësishme. Duke qenë se jemi në paqe me vetveten, jemi shumë mirë me  njëri-tjetrin. Respektojmë karakteret e njëri-tjetrit dhe mundohemi të jemi sa  më të drejtë. Gjithçka tjetër është krejt normale si te çdo çift tjetër.

Zakonisht artistët bëjnë planifikime në jetë. Ju kur do dëshironit ta  sillnit në jetë fëmijën tuaj të parë?

Uroj sa më shpejt.

Nëse do të imagjinonim dasmën tuaj, si do të mund ta organizonit  atë?

Ne faktikisht jemi adhurues të gjërave të thjeshta. Të thjeshta  në aspektin vizual, por me thelb. Një martesë me njerëzit tanë më të dashur,  diku në një vend të qetë me një band muzikor “live”, i cili luan muzikën që ne  duam. Pak jazz, pak soul dhe rnb. Mbase edhe duke i dedikuar njëri-tjetrit një  këngë. Ushqim të lehtë, por të veçantë, me një ndriçim të ngrohtë  etj.

KLOTILDA HARKA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here