Miriam CamËshtë një nga personazhet më të veçantë, me një thjeshtësi dhe pozitivitet që e reflekton sapo e takon. Ka një zë të veçantë dhe një karrierë për t’u admiruar në Shqipëri dhe Gjermani.

Fitoi mjaft pikë në edicionin e parë të “The Voice”, ku tregoi profesionalitetin e saj, por edhe një përkushtim të madh për talentet e rinj. Miriam Cani vjen në këtë intervistë duke treguar pak më shumë për projektet  e kësaj vere, ku veç disa pushimeve që mezi i prêt, sërish skena dhe muzika do të jenë të parat në listën e angazhimeve të saj.

Tani ajo e ndan jetën e saj mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe thotë se të dy vendet janë të rëndësishëm si për të ashtu edhe për Albanin.

Një jetë që shpesh të lodh, po ka edhe kënaqësitë e saj, siç shprehet ajo “Udhëtimet dhe pritjet nëpër aeroporte dhe stacioneve të trenit, është gjëja e lodhshme. Kënaqësia më pas është gjithmonë pjesa e programit në skenë… Shpërblimi dhe kuptimi i të gjithë punës”. Këtë verë në projekt është edhe një këngë me Alban Skënderajn, partnerin e saj. Është thënë shumë për lidhjen e të dyve, por ajo që ka mbetur pa u finalizuar është një dasmë për të kurorëzuar dashurinë dhe lidhjen gati 5-vjeçare të tyre. Edhe pse Albani dhe Miriam, bashkëjetojnë prej disa kohësh, ajo beson se martesa është kurorëzimi më i bukur i një dashurie, pavarësisht çdo gjëje. “Momentalisht ne jemi duke shijuar dhe ndërtuar gjëra shumë më të mëdha për jetën dhe të ardhmen tonë. Ai moment do jetë thjeshtë “qershia mbi tortë”, shprehet Miriam.

Miriam, pas mbarimit të “The Voice”, keni lançuar klipin e këngës suaj “Përgjithmonë”. A do të pasojnë projekte të reja për këtë verë?

Këtë verë do jem më shumë në Gjermani me angazhimet e mia andej, siç është musicali. Po ashtu, kam dhe disa projekte të reja në fushën e prezantimit. Për disa muaj do jem po ashtu sërish pjesë e “Film Harmonic Night” në Gjermani, si vitin e kaluar, ku do të këndoj kolonat zanore më të famshme të filmave të mëdhenj, të shoqëruar me orkestrën prej rreth 45 vetave  të “Vogtland Orkester”.

Është një verë që ka nisur me shumë punë, apo tani keni nevojë për pak pushime?

Kemi si gjithmonë shumë angazhime, por dy javët e ardhshme do ikim të pushojmë, pasi kemi patur vërtet një vit plot punë dhe projekte. Sidomos faza me “The Voice of Albania” dhe shfaqjet e muzikalit në Gjermani, që më bënin të udhëtoja gati çdo 10 ditë nga Tirana në Cologne.

Jeni përherë e më shumë mes Tiranës dhe Gjermanisë. Cilat janë kënaqësitë, por ndoshta edhe gjërat e lodhshme, e të qenit mes dy vendeve?

Udhëtimet dhe pritjet nëpër aeroporte dhe stacioneve të trenit, është gjëja e lodhshme. Kënaqësia më pas është gjithmonë pjesa e programit në skenë… Shpërblimi dhe kuptimi i të gjithë punës.

Të dy me Albanin duket se keni shumë gjëra për të bërë këtu. Sa të kënaqur jeni me feedback-un që keni marrë deri tani?

Jemi shumë të lumtur dhe shumë të kënaqur me çdo rezultat të punës që kemi bërë. Feedback-u pozitiv është shpërblimi më i madh dhe shtytësi më i fortë për të ecur përpara me gjëra gjithmonë dhe më të mëdha.

Do të thotë kjo se në një të ardhme mund të vendosni përfundimisht të jetoni në Shqipëri?

Shqipëria do të jetë gjithmonë një pjesë shumë e rëndësishme në jetën tonë. Po ashtu edhe Gjermania. Mendoj që do jemi gjithmonë midis të dy vendeve.

Miriam, keni mbështetur vazhdimisht punën e ish-konkurrentëve tuaj në The Voice. Si ka qenë kjo pjesa pas mbarimit të shout?

Ka qenë një fazë shumë e bukur, pasi i gjithë programi nuk do kishte patur kuptim nëse do të ishte ndryshe. Unë i kam mbështetur me gjithë zemër dhe do vazhdoj ta bëj edhe në të ardhmen, pasi besoj në talentin e tyre.

A të kanë bërë krenare ata që morën pjesë në “Top-Fest” me këngë, me të cilat ti vetë ke punuar?

Jam ndjerë shume krenare, por mbi të gjitha e lumtur për ta, që ëndrra e tyre u realizua dhe ata krijuan një bazë për të ecur dhe jetuar ëndrrën e tyre.

Mendon se ata do të zënë një vend të rëndësishëm në muzikën shqiptare?

Këtë e ka çdokush vetë në dorë. Nëse do punojnë gjithmonë edhe më shumë dhe t’i qëndrojnë besnik asaj gjëje që ata dinë të bëjnë më mirë, jam e bindur që një ditë ata do bëjnë dallimin. Secili në stilin e vet.

Çfarë e bën të veçantë punën me këta të rinj?

E veçanta është që ata janë ende në fillim dhe japin realisht maksimumin e tyre dhe kanë një lloj “pastërtie” në mënyrën e të bërit art, që mua më pëlqen jashtëzakonisht. T’i qëndrosh besnik vetes edhe mbas shumë viteve karrierë dhe mos të influencohesh nga rrethanat, është për mua arritja më e madhe.

Cilin prej tyre do të zgjidhje për një duet?

Nuk do të veçoja asnjërin. Të gjithë finalistët në grupin tim  fituan besimin tim të plotë.

Në edicionin e dytë të “The Voice” do të jeni sërish. Si ndiheni për këtë fakt?

Ndihem shumë mirë dhe falenderoj produksionin për këtë vlerësim dhe besim që më dhuruan sërish.

A mund t’ju quajmë tani zbuluesen, por ndoshta edhe shoqen më të mirë të talenteve të rinj?

Pse jo… Kur ata do kenë nevojë për mua, unë gjithmonë do t’u gjendem…

Ju pëlqen të jepni mësime rreth muzikës? Do të pranonit një ditë të jepnit leksione në një shkollë?

Në një shkollë mbase jo, sepse do të më duhej të isha e diplomuar në këtë fushë. Të paktën kështu e konceptoj unë. Mendoj që është shumë mirë kështu siç është.

Mendon se në Shqipëri ka shumë talente po pak hapësira, nisur edhe nga spektaklet e shumta për zbulimin e talenteve?

Spektakle, mendoj që ka mëse mjaftueshëm. Nuk duhen gjithmonë spektakle televizive për të shfaqur talentin. Mjafton edhe t’i hedhësh vetë hapat e parë duke marrë iniciativa. Thjesht duhet të kesh pak durim dhe jo të pretendosh të bëhesh i famshëm brenda ditës, sepse në këto formate rrezikon të biesh aq shpejt sa u ngrite. Gjithmonë e kam thënë dhe e them: puna e vërtetë herët apo vonë vlerësohet. Duhet të kesh besimin e fortë, vullnetin dhe të jesh i fokusuar në atë që bën dhe atë që do.

Mendon se këtë edicion të dytë fituesi do të jetë nga skuadra jote?

Faktikisht unë nuk i jap shumë rëndësi nga cila skuadër është fituesi. Rëndësi për mua ka që formati televiziv të nxjerrë në fund, bashkë me ne, talentin e tij më të madh.

Miriam, do të keni ndonjë këngë së bashku me Albanin këtë vit?

Me siguri (qesh).

Jeni të dy, si ti dhe Albani, shumë të impenjuar me punë dhe projekte vazhdimisht. Sa kohë ju ngelet për veten?

Kemi gjetur një balancë perfekte midis punës dhe jetës private. Mbas rreth 10 viteve eksperiencë në këtë fushë, mendoj që ia kemi marrë dorën të gjejmë edhe lumturi dhe paqe midis punës që bëjmë. Kemi arritur pikën që ndajmë dhe shijojmë çdo moment dhe çdo sukses bashkë.

A keni frikë ndonjëherë se koha për të bërë atë që duhej në një moment të caktuar, ka ikur?

Asnjëherë. Asgjë nuk ka një kohë të paracaktuar. Gjithçka duhet të vijë dhe të bëhet kur njeriu ndihet gati. Vetëm kështu çdo individ mund të gjejë lumturinë e tij absolute.

Cilat janë gjërat që të trembin më shumë?

Asgjë, përveç shëndetit. Është më e rëndësishmja në jetë. Pa të, asgjë nuk ka më vlerë.

Cili nga ju të dy, ti apo Albani, është më kurajoz në projektet që ju paraqiten?

Në fushën e artit kemi gjetur një balancë perfekte dhe plotësojmë njëri-tjetrin. Kështu që nuk mund të them njëri ose tjetri.

Kush i merr gjërat më lehtë, të themi?

Kjo është me faza, herë Albani, herë unë.

Albani, para disa kohësh ka thënë që dasmën tuaj e sheh në një të ardhme jo shumë të largët. Mendon se martesa mbetet ende sot në këto kohë moderne kurorëzimi më i bukur i një dashurie?

Absolutisht po, por bukuria e gjithë kësaj gjëje për mua është kur vjen në mënyrën më të natyrshme. Kur ti e ndien që je gati dhe je realizuar në gjithçka tjetër. Momentalisht ne jemi duke shijuar dhe ndërtuar gjëra shumë më të mëdha për jetën dhe të ardhmen tonë. Ai moment do jetë thjeshtë “qershia mbi tortë” (qesh).  Jonida Hitoveizi Gazeta Mapo

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here