Mira Konci në Festivalin “Kënga Magjike”Nuk iu desh një tekst dashurie kësaj here, pasi me muzikën ka dashur të japë një mesazh për fëmijët e ngujuar, si nënë e dy fëmijëve që është. Mira Konçi në garë me shumë këngëtarë të rinj, nuk synon komercin dhe s’joshet nga ndërhyrjet plastike.

Jetën dhe planet që ka bërë në muzikë i tregon në këtë intervistë për “Panorama Plus”Merrni pjesë këtë vit në Festivalin “Kenga Magjike”, cili është synimi juaj për t’iu rikthyer një konkurrimi me emra të tjerë?
Synimi është kënaqësia për të kënduar në skenë që është gjithmonë e madhe, kjo e lidhur ngushtë me dashurinë për muzikën.

Ky festival më jep kënaqësi, sepse më duket dinjitoz, i krijon atmosferë shumë të mirë konkurruesve, ka shumë fitues dhe vetë organizimi i tij në shfaqjen e këngëve për disa javë rresht deri në natën e çmimeve, është një gjë mjaft pozitive sepse kjo sjell njohjen e këngëve, vlerat e tyre dhe vlerësimi bëhet gjithnjë e më real natën finale.
Një këngë për fëmijët e ngujuar, pse?
Po, iu kushtohet fëmijëve të ngujuar kënga me muzikë dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit, me vargjet e shkruara nga Turjan Hyska. Konkurroj me një këngë të tillë sepse jetojmë në zemër të Europës, në shekullin e 21-të dhe me anë të kësaj kënge duam të sensibilizojmë të gjithë ata që nuk e falin gjakun dhe bëjnë që fëmijët të jenë ata që e pësojnë këtë tragjedi të madhe duke qenë të burgosur qysh në moshë të vogël.

Këta fëmijë duhen marrë në konsideratë sepse duhet të gëzojnë të drejta si të gjithë fëmijët e tjerë.
Në garë janë shumë këngëtarë të rinj. E keni menduar dy herë pjesëmarrjen nisur nga ky fakt?
Absolutisht. Për mua është kënaqësi që marrin pjesë këngëtarë të rinj, çdo artist ka vlerat e tij dhe është bukur që skenës t’i shfaqen figura të reja, zëra të rinj sepse i japin freski muzikës dhe e bëjnë atë të ndiqet gjithmonë nga artdashësit.
Klipi i fundit juaji ishte “E pathëna fjalë”, një klip të ri kur do e realizoni?
Mbase kjo këngë mund të bëhet klip shumë i mirë që mesazhi të vijë dhe më i fortë, do të ishte më e prekshme për të gjithë.
Ju pamë një vit më parë të këndonit me vajzën tuaj, keni menduar për ndonjë duet?
Kam shumë dëshirë, është në planet tona.
Si ndiheni në këtë treg të ri muzikor, a e synoni komercin në vazhdimësinë e karrierës suaj?
Komercin nuk e kam qëllim në vetvete. Për mua rëndësi ka të kënaq veten dhe ata njerëz që kanë shije dhe ndjesi të njëjta me mua duke ruajtur një cilësi të lartë profesionale, pasi e kundërta nuk mund të ndodhë me mua.

Jemi po ashtu në prag të Festivalit të Këngës në RTSH, do i riktheheshit edhe njëherë?Nuk e di, nëse mund të ndryshojnë me kohë disa gjëra, pse jo….
Bashkëpunëtori juaj kryesor në muzikë është Shpëtim Saraçi, njëkohësisht bashkëshorti juaj. A mund të zbuloni sekrete të harmonisë suaj në çift?
Po, është vlerësimi i vlerave dhe i punës se secilit që ndikon në harmoninë e një familjeje. Po ashtu toleranca dhe mirëkuptimi kanë vlerën tyre.
Profesioni juaj është ekonomiste, si është një ditë e juaja e zakonshme në punë?
Eshtë një ditë e gjatë pune, shumë impenjative dhe që mbyllet me marrjen e fëmijëve nga shkolla.
I besoni ende bukurisë natyrale? Ju tundojnë ndërhyrjet plastike?
Nuk e mendoj fare sepse me pëlqen bukuria natyrale e çdo moshe. Njeriu mund të jetë i bukur dhe me kalimin e viteve. /Panorama Plus/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here