Aktorja Mimoza Marjanaku është një emër që i ka sjellë shumë skenës teatrore. Me dhjetëra personazhe e kanë bërë një emër të dashur për publikun, i cili e ka vlerësuar aktoren për emocionet që i ka dhuruar.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Sot”, për jetën e saj artistike aktorja tregon se ka qenë më shumë në teatër dhe jo se ka qenë zgjedhja e saj, por nuk i është ofruar ndonjë shans për të qenë në kinema, duke theksuar se e shikon të vështirë zhvillimin e saj.

Për Mimoza Marjanakun nëse do të ishte një rol në film, ai duhej të përshtatej me moshën e saj, dhe ky do të ishte një bashkëpunim i mirë. Ndërsa së fundi ajo vjen me një rol interesant para publikut në komedinë “Jo vetëm shtrirë bëj diçka”, që mbrëmë pati natën e parë në skenën e Universitetit të Arteve. Vepra e cila këtë herë erdhi me regji të Kiço Londos u përcoll me vlerësime, ku pas skenës së Fierit ishte Tirana që priti këtë herë trupën e aktorëve. Mes aktorëve të veprës, Mimoza Marjanaku solli gruan e sekretarit të përgjithshëm të Ministrit të Rendit, një rol për të cilin tregon se është i bukur dhe se i ka dhuruar momente të veçanta. Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja tregon se kjo është një pjesë që është shkruar në vitet ’70 në Londër, ku në atë kohë lulëzonte prostitucioni, por sipas saj edhe pse është shkruar në këto vite është një fenomen shumë aktual dhe në ditët e sotme, dhe trajtimi që i ka bërë regjisori si një vepër pa atdhe e ka bërë atë aktuale. Aktorja Mimoza Marjanaku tregon se problematika e veprës u shpalos tek spektatori dhe u prit mirë nga ai, i cili e ndjeu veprën sa angleze aq dhe shqiptare. Pjesë e intervistës me aktoren janë dhe momentet që i kanë dhuruar më shumë emocione, ku aktorja tregon se ka provuar shumë role, mes tyre veçon rolin e gazetarit Vurko në komedinë “Pas vdekjes”, për të cilin pohon se edhe pse ishte një rol burri ajo diti ta sjellë bukur në skenë.
-Keni vite që jeni në skenën teatrore, por çfarë ju ka dhuruar deri më tani jeta artistike me teatrin?
Unë kam mbaruar për aktrim në vitin 1994 dhe pas shkollës jam kthyer për disa vite në Itali dhe jam rikthyer në vitin 2005 në Durrës, ku pas këtij viti nuk jam shkëputur nga skena dhe kam sjellë disa role para publikut. Roli im i parë ka qenë në një pjesë të Dario Fo, “Të jesh nënë” e vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, jam ndjerë mirë dhe kur kam lozur me Yllka Mujon në skenë, kam qenë në veprën “Hotel Piazza”, ku kemi qenë protagonistë me Hervin Çulin, kam qenë në pjesë të shkruar dhe të vëna në skenë nga Haxhi Rama, etj. Ka qenë e veçantë komedia “Pas vdekjes” e rivënë në skenë nga Hervin Çuli, ku mes katër personazheve ne femrat kemi lozur role burrash dhe unë bëra rolin e gazetarit Vurko. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Nuk ishte tendenca e regjisorit që ne të flisnim me zë të trashë, por u ndjeva shumë mirë në këtë rol. Kemi qenë dhe në Kosovë dhe atje është pritur shumë mirë. Këtij personazhi burri unë i futa forcën e gruas dhe prandaj doli bukur, sepse gratë janë më të forta se burrat. Ndërkohë që familja ime vazhdon të jetojë në Itali dhe unë gjej rastin dhe ti falënderoj fëmijët e mi, që më kanë kuptuar dhe unë vijoj të ushtroj profesionin tim.
-Jeni vlerësuar për atë që keni sjellë para publikut, por mes teatrit dhe kinemasë ku ndiheni më mirë?
Kam qenë më shumë në teatër dhe jo se ka qenë zgjedhja ime, por nuk më është ofruar ndonjë shans për të qenë në kinema, por di që kinemaja është e vështirë. Do të kisha qejf të kisha dhe një bashkëpunim në kinema.
-Nëse do të ishte një bashkëpunim në kinema, cili do të ishte roli?
Mendoj se duhet të ishte një rol i një gruaje në moshën time, dhe do të më pëlqente të ishte dhe një rol i një mamaje të re.
-Mendimi juaj sot për teatrin shqiptar?
Teatri për shumë vite ka qenë në krizë dhe nga eksperienca ime që kam pasur në Durrës kam parë që publiku për shumë kohë i ishte larguar teatrit. Nuk di të gjej arsyen e vërtetë, ndoshta dhe për arsyen e nivelit jo të kënaqshëm të veprave, por po shikoj që po rikthehet publiku. Më vjen mirë që po shikoj që nuk po bëhet jetë dhe art vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. Durrësi ka pasur një bum shfaqjesh dhe janë pritur mirë dhe këtë po e shikoj dhe në Fier.
-Vini këtë herë me shfaqjen “Jo vetëm shtrirë bëj diçka” edhe në skenën teatrore të Universitetit të Arteve, por si erdhi bashkëpunimi me regjisorin Kiço Londo?
Është hera e parë që unë bashkëpunoj me teatrin “Bylis” dhe me regjisorin Kiço Londo. Është dalja ime e parë nga Durrësi në këtë teatër, dhe për mua ishte një gjë e re, ishte risi dhe të rikthehem në qytetin tim ku unë jam lindur dhe rritur dhe kam pasur ëndrrat e mia për tu bërë aktore. Rikthehem si aktore dhe jo më si publik që kam qenë dikur. Ishte shumë frytdhënëse të punoja krah aktorëve të njohur Luftar Paja dhe Arqile Lipes, dhe duke ndenjur afër tij kam ndjerë dhe emocionet e tij pas 18 vitesh në skenë. Ishte një bashkëpunim shumë i mirë dhe ishte e bukur, sepse krahas punës që ne bënim me komedinë paralelisht vazhdonte dhe rikonstruksioni i teatrit “Bylis”, i cili u tërhoq nga regjisori Londo me mbështetjen e fuqishme të kryetarit të bashkisë së qytetit.
-Këtë herë jeni me një rol interesant në skenën teatrore. Si ndiheni me këtë personazh?
Në këtë vepër unë kam rolin e Xhen Fedo dhe jam bashkëshortja e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Rendit, të cilin për të diskretituar qeverinë e rrëmbejnë dhe e fusin një orgji me qëllim që ti bënin foto dhe publikimi i tyre do të sillte dorëheqjen e ministrit dhe rënien e menjëhershme të qeverisë. Veç inspektorit Ruf që luhet nga Luftar Paja dhe është një figurë e ndershme, të gjithë të tjerët bëhen pjesë e pisllëqeve, makinacioneve, situatave të vështira. Duke qenë e futur thellë në jetën politike të bashkëshortit tim jam e detyruar që ta mbuloj. Në fillim e mora si një rol të një gruaje të ndershme, por dhe unë bëhem pjesë e lojës dhe më duhet që në një moment të joshja dhe kryetarin e opozitës, i cili kishte ardhur aty për të hetuar dhe unë duhej ta largoja nga vendi i ngjarjes. Kjo është një pjesë që është shkruar në vitet ’70 në Londër, ku në atë kohë lulëzonte prostitucioni. Por edhe pse është shkruar në vitet ’70 është një fenomen shumë aktual dhe në ditët e sotme, dhe trajtimi që i ka bërë regjisori duke e trajtuar si një vepër pa atdhe, e ka bërë atë aktuale. Pra të duken gjëra të njohura, mund ti shikosh këtu, në Itali, Gjermani etj, dhe sërish mendon se çfarë po ndodh. Kjo gjë u shpalos dhe u prit mirë nga spektatori, i cili e ndjeu veprën sa angleze aq dhe shqiptare, megjithëse ne u munduam që në vepër të sillnim humorin anglez.
-Ishte e vështirë puna për këtë personazh, i cili vjen në vijim të jetës suaj artistike?
Unë këtu bëhem palë me të gjithë femrat e tjera, që çfarë nuk bëjnë për të arritur qëllimet e tyre dhe unë me dhimbje bëhem palë. Është një rol i vështirë, sepse duhet të kisha marrëdhënie me shumë personazhe, duhej të ndaja marrëdhëniet që kisha me inspektorin, marrëdhëniet me ministrin, shefin e opozitës, por ne kemi punuar non stop për rreth dy muaj dhe them se ia dolëm. Meqë deri tani shfaqja është pritur shumë mirë mendoj se çdo personazh ka qenë në vendin e tij. Sa i takon rolit tim, çdo grua do të bënte të njëjtën gjë, si gruaja e ministrit, sekretarit të ministrisë apo dhe një punëtori.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here