Mima Kastrati, këngëtarja që po korr mjaft suksese në skenën muzikore. Ajo sapo ka lansuar albumin e saj më të ri, të titulluar “E deshta për jetë”, i cili përmban gjithsej 16 këngë.

Mima ka punuar bukur gjatë në këtë album dhe ka përshtypjen se është njëri nga albumet më të mira verore që ka realizuar ndonjëherë.

“Besoj se ky album hyn në listën e albumeve më të mira të kësaj vere dhe kam punuar mjaft shumë me më shumë krijues dhe kemi arritur ta lansojmë një album të mirë”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Në këtë album Mima ka bashkëpunuar me Aida Barakun, Armend Rexhepagiqi, Reshat dhe Andin Randobrava, Avni Qaili, Florent Boshnjaku, Artan Kastrati, Ejup Shabani Hazbi Ahmeti, Jetoni dhe Shpendi.

Ndërkaq sa u përket zhanreve, Mima është munduar që në këtë album të ketë sa më shumë zhanre të ndryshme në mënyrë që dëgjuesit të gjejnë këngën e tyre e cila u pëlqen më së shumti.

“Këngët e albumit janë me zhanre nga më të ndryshmet duke filluar nga baladat, muzika argëtuese, popullore, folklorike e deri te zhanret e muzikës moderne. Kemi për të gjithë nga pak e në veçanti për më të dashurit tanë fëmijët, të cilëve u kam sjellë si dhuratë këngën ‘Çokollata’, këngë e dëgjuar më parë por shumë e pëlqyer nga fëmijët”, shton ajo.

Në këtë album ndodhet edhe kënga “Të kërkova ty gjithë jetën” të cilën Mima ia ka kushtuar nënës së saj, të cilën nuk e ka njohur për 35 vite, mbase tani e disa muaj ajo tashmë është e ndjerë.

“Në këtë këngë përfshihet e gjithë e kaluara ime e dhimbshme dhe dashtë Zoti që askush të mos e përjetojë një gjë të tillë, se është vërtetë shumë e vështirë”, theksoi ajo.

Mima ka të realizuar edhe një këngë kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe pikërisht për këtë festë është e ftuar të marrë pjesë në festivalin e Sarandës kushtuar kësaj dite. Ajo na bën të ditur se së shpejti do të lansojë edhe videoklipin e këngës “Të kërkova ty gjithë jetën”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here