Kanë prekur një ëndërr. Ëndrra e çdo muzikanti që të prezantohet në televizionin më të madh muzikor në botë, siç është ai MTV. “Grupi “Kthjellu” dhe lideri i tyre, Mentor Haziri po përjetojnë triumfin e kësaj ëndrre.

Pas pjesëmarrjeve në festivale të ndryshme të MTV-së, tashmë ata janë me një video të tyre në këtë kanal. Javës që shkoi kanë bërë promovimin e këngës “Tonight is your Night” (një këngë e realizuar për fushatën kundër trafikimit të qenive njerëzore) dhe aktualisht kënga është prezantuar edhe në faqen kryesore të sitit të këtij kanali.

Në këtë rrëfim ekskluziv për “Bluetooth”, lideri Haziri rrëfen emocionet e premierës, kur në Prishtinë mbërriti dhe drejtori i përgjithshëm i MTV-së e ndërkaq nuk mohon edhe xhelozinë që kanë ndjerë shumë kolegë të tij në atë natë. Për më tepër, le të ndajmë së bashku këtë gëzim jo vetëm të Mentorit, por edhe të muzikës shqiptare!

Mentor, si shkoi promovimi i këngës së re “Tonight is your Night”?
Promovimi shkoi më mirë se sa e kam paramenduar. Shumë mysafirë, gjithë kolegët, mediat, dhe më e rëndësishmja, drejtorët e MTV-së.

Kjo këngë ka një synim shumë të fortë, po prezantohet në MTV. Çfarë do të thotë për ju kjo?
Kjo është arritja më e madhe e imja deri tani në karrierën muzikore, duke pasur parasysh që po lançohet në MTV, ku dje ishte premiera në “IRA 12” dhe kur dihet se ka fushatën ‘MTV exit’, dhe që pason videot e “Radiohead”, “The Killers” dhe Angelina Jolie, e jemi zgjedhur në mes të miliona bendeve në botë për ta bërë këngën e kësaj kampanje!!! Arritje yeeeaahh!!!

Cili është mesazhi i kësaj kënge?
Mesazhi i këngës është kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ku historia flet për një vajzë, e cila mbahet në dhomë ku dhe shfrytëzohet, por ajo vendos të ikë nga aty për të gjetur paqe dhe komfort diku nga nëntoka në parajsë. Ky është rrugëtimi i saj.

Si ndiheni tashmë që keni arritur një ëndërr të çdo këngëtari shqiptar?
Perfekt! Është ndjenjë që nuk përshkruhet lehtë, mirëpo edhe më është shpërblyer puna ime që kam bërë që nga viti 2006 me MTV, ku unë kam performuar në disa festivale të MTV!

Si kanë qenë komentet për këngën?
Kënga i ka befasuar të pranishmit, duke pasur parasysh faktin se është në anglisht dhe se është e gjitha live e regjistruar. Gjithashtu edhe videoja është shumë artistike dhe kualitative në fotografi.

Po kolegët tuaj si e kanë pritur?
Me shumë befasi mund të them. Kur dola në skenë me drejtorin gjeneral të MTV-së, ishte një befasi me logon e madhe të MTV mbrapa në projektor, pasi nuk u prit një gjë e tillë. Ka pasur shumë prej atyre që kanë kërcyer në skenë dhe më kanë përkrahur. Ka pasur edhe nga ata që kanë shikuar nga larg!!!

Mund të na thoni të vërtetën, keni ndjerë xhelozi për këtë arritje tuajën?
Kjo arritje është shumë e madhe, pasi tashmë jemi ne në ballinën e faqes zyrtare të ‘MTV exit’, si dhe ishim në ‘MTV news’ për premierën (www.mtvexit.org)

Si do ta quani këtë moment të karrierës suaj?
Është moment kulminant i karrierës sime, mirëpo ky është fillimi i njohjes ndërkombëtare i Mentorit dhe se tashmë do t’i përvishem punës shumë e më shumë!

Kë do të falenderonit tashmë që arritët këtu?
Do falenderoj shumë MTV-në që kanë insistuar të më promovojnë, domethënë edhe vetë eventi në Prishtinë ka qenë i organizuar nga MTV. Patjetër, falenderoj familjen dhe këdo që më ka mbështetur!/BLUETOOTH/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here