Është një këngëtar tejet i suksesshëm, ka emocionuar mijëra shqiptarë me zërin dhe këngët e tij, por kur e takon nga afër menjëherë kupton që është një djalë shumë i thjeshtë, dashamirës e gjithmonë i buzëqeshur.

Pa u shkëputur për asnjë moment nga muzika, Mentor Haziri vazhdon të punojë me dëshirë e përkushtim për adhuruesit e tij, dhe siç mësuam për këto të fundit do të sjellë shumë shpejt një surprizë.

Mentor ti ke kënduar në shumë skena. Si tu duk kjo e fundit? U emocionove kur këndove në skenën e “Dancing”?
(qesh) Unë gjithmonë emocionohem. Është e pamundur të mos emocionohesh në skenë sepse njerëzit e kanë të gjithë vëmendjen tek unë. Mendoj që është respekt ndaj publikut, nuk është dobësi për një këngëtar.
Po të të kërkonin të ishe konkurrent në vallëzim, do kishe pranuar?
(qesh) Vitin e kaluar më është bërë ftesa për të qenë pjesë e “Dancing” dhe unë e pranova me kënaqësi. Erdha në Tiranë dhe i bëra disa përgatitje administrative mirëpo më vonë m’u desh të udhëtoja për në Amerikë për një projekt që e kisha menduar disa muaj më herët. Kjo ka qenë arsyeja që unë nuk munda të jem konkurrent. Pastaj përgatitja fizike që të jep “Dancing” është një tjetër vlerë e këtij show, që të dhuron edhe një formë të bukur fizike (qesh). Tani më mbeti të rikthehem e ta nderoj spektaklin me një këngë.
Na trego pak, me çfarë po merresh për momentin? Cila do të jetë surpriza e radhës nga Mentori?
Puna që unë po bëj për momentin është muzika, nuk merrem me asgjë tjetër veç muzikës. Para shumë vitesh kam bërë një punë administrative në United Nation, e prej shumë vitesh tashmë merrem me muzikë. Tani jam duke punuar për një këngë të re me producentin tim Flori Mumajesi si dhe me studion e produksionit “Threedots” ku janë pjesë edhe Elvana Gjata, e Andy Gramm. Jemi një ekip shumë i mirë dhe po punojmë shumë për disa këngë të reja të cilat do të publikohen së shpejti. Këtë vit do vij disi më ndryshe, me hite më ‘electro’, kështu do të ketë më shumë muzikë për club-et e bukura të Tiranës e të Prishtinës.
Ndonjë duet do dëgjojmë?
Po. Në fakt është realizuar një duet dhe kënga ka përfunduar tashmë. Mbetet vetëm të bëhet videoklipi, xhirimet e të cilit pritet të fillojnë këto ditë, pastaj do të lançohet kënga. Po e zbuloj për herë të parë për ju që bashkëpunimi është midis meje dhe një prezantueseje të njohur, Albana Osmanit. Kënga flet për ‘dashninë’ (qesh). Më pas do të publikohet një singëll tjetër në të cilin jam vetëm, sigurisht i realizuar nga Flori Mumajesi dhe “ThreeDots” produksion.
Ti jeton në Kosovë. Na trego pak sa të pëlqen Tirana?
Më pëlqen realisht shumë. Në Tiranë kam kaluar momente të rëndësishme të karrierës sime, kujtoj këtu momentet kur kemi fituar çmimin e parë, çmime të tjera të shumta, kur kemi kënduar në manifestime të rëndësishme të mbushur deri me 20 000 vetë, kur me grupin “Kthjellu” kemi qenë ndoshta pika kryesore e shfaqjes. Pastaj më tërheqin shumë femrat e bukura.
Meqë flasim për femrat, na trego pak për jetën tënde private. Je i lidhur?
Jo, për momentin jam beqar (qesh). Do doja të gjeja një vajzë. (qesh)
Domethënë po kërkon nuse… Na thuaj si e do?
Natyrisht e dua shqiptare! Të mençur, të bukur dhe shumë femër. (qesh)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here