(Foto: Petrit Rrahmani)

Këngëtarja Eneida Tarifa, e njohur edhe si prezantuese e “Portokallisë”, tha në një intervistë për Express se pas spektaklit po përgatitet për këngë të reja. Hitet ajo i ka rezervuar për në verë.

Express: Si po kalon në Kosovë?
Eneida:
Mirë shumë! Të them të drejtën meqë ishte ky organizim me tepih të kuq, u përkushtova pak të gjej veshjen e duhur dhe look-un e duhur.

Express: Është hera e parë që jeni në Videofest?
Enida:
Po, është hera e parë që vij në Videofest. 

Express: Ti tashmë je duke moderuar te Portokalli, sa po ju sfidon kjo?
Eneida:
Po më tërheq pa masë, e kam bërë këtë profesion edhe më parë nën zë nëpër aktivitete të vogla, bile meqë jemi në Kosovë, këtu kam prezantuar Swiss Loton më herët, pastaj kam udhëhequr një nga netët e Polifestit. Por, kjo e Portokallisë është vërtet impenjuese.

Express: A po ju pengon kjo?
Eneida:
Është një pengim shumë i ëmbël dhe shumë i domosdoshëm. Më ka hapur dyer të reja, më ka bërë të mendoj që artisti duhet të jetë shumëdimensional. Jam tip që dua të zbuloj dhe të marr sfida dhe Portokallia është një sfidë e rëndësishme për mua.

Express: A je e kontraktuar të vazhdosh me Portokalli?
Eneida:
Tani jemi në dy puntatat e fundit në Portokalli dhe do i futem fort muzikës, sepse i kam ndenjur mangu. Nuk jam marrë shumë me të dhe kjo po më bën të ndihem fajtore.

Express: Do jetë kënga baladë, apo?
Eneida:
Është këngë ritmike. Nuk jam lodhur me balada, janë shumë të bukura, por nuk dua të karakterizohem këngëtare baladash dhe kam kohë që dua të dal nga ky përcaktim.

Express: Kush e ka punuar këngën?
Eneida:
Është punuar nga Erjon Zaloshnja, nuk po e them titullin. Ndoshta do i bëj një promovim në Kosovë. Dua që të dalë një gjë e mirë, e realizuar artistikisht.

Express: Ku e gjen relaksimin?
Eneida:
Nuk e di ku e gjej…në gjëra shumë të thjeshta , të rri të lexoj një libër, të shoh një film ose të rri e të dëgjoj muzikë me kufje… Relaksi ndodh në mendje, ngase në fizik jam e bindur që s’kam për të qenë kurrë e relaksuar, por më pëlqen lodhja , shkoj në palestër e heq mendjen dhe mbaj peshën nën kontroll.

Express: Kohën e lirë?
Eneida:
Unë në fakt nuk kam pasur kohë të lirë fare, sepse përnjëherë me Portokallinë filloi edhe jeta ime bashkëshortore në një shpi. Kështu që tash kam edhe obligime të tjera, përveç faktit që jam e angazhuar.

Express: Sa ia arrin të punosh në kaq shumë kahe?
Eneida:
Unë jam një natyrë e palodhur, nuk dua të them tash se po bëj heroizma dhe gjera të tilla, thjesht në fund të ditës e di që kam bërë shumë gjëra dhe kjo më bën të lumtur.

Express: Jeta bashkë me dikë, në çfarë kuptimi?
Eneida:
Në kuptimin e bashkëjetesës më të ngushtë.

Express: Me një person të gjinisë së kundërt?
Eneida:
Po mund të jetë dhe gjini e njëjtë hahaha…Jo, jo, është kurorëzuar historia ime tashmë prej shumë vitesh ndoshta e panjohur për shumë, sepse nuk paraflitet shumë për jetën personale të Eneidës dhe këtë kam dashur unë ta mbaj jashtë vëmendjes, sepse jeta ime është jeta ime. Por, me krenari e them se kam një histori shumë serioze dhe këtë vit ne kemi vendosur diçka shumë të mirë për të ardhmen tonë.

Express: Keni planifikuar të krijoni familje?
Eneida:
Patjetër, por ja që këto planet e Portokallisë s’po na lënë.

Express: Portokalli po ju pengon?
Eneida:
Kjo puna e Portokallisë ndodhi shumë shpejt, na pengoi ca plane të vogla në familje, por do ta rikuperojmë kohën e humbur. Ka kohë për çdo gjë, akoma nuk është vonë.

Express: A keni në plan të merrni pjesë në ndonjë festival, pos Top Fest?
Eneida:
Festivali i RTSh ka një magji të bukur sepse sensi i garës është i madh për hir të europianit. Por, nuk e di pse, unë nuk e kam këtë dëshirë të fortë të marr pjesë në festival shqiptar në RTSh, për shumë arsye. Njëra prej tyre është që mendoj se europiani fryhet shumë si aktivitet në Shqipëri, ndërkohë që vendet e tjera e kanë neglizhuar dhe çojnë madje edhe artistë të rinj. Është një përvojë shumë e bukur, por nuk do më pëlqente të merrja përsipër një ndërmarrje kaq të madhe ta përfaqësoj muzikën shqipe.

Express: Ku do ju shohim gjatë verës?
Eneida:
Gjatë verës pushimet e mia i kaloj në jug të Shqipërisë gjithmonë, por jemi lodhur paksa nga jugu. Do kishim dëshirë të ndërrojmë vend, nuk e di ndoshta në Egjipt apo Turqi. Kurse aktivitetet nuk do lë asgjë që mund të bëj, me muzikën, me të kënduarit live, me grupin tip që e kam lënë pas dorë pak, është koha të rikuperohem…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here