Flaka KrelaniMenjëherë pas angazhimeve të shumta në emisionin e përjavshëm “Oksigjen”, ka nisur një aventurë drejt vendeve të ndryshme.

Për një muaj rresht ka shëtitur nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke shijuar natyrën dhe plazhet e bregdetit shqiptar. “Pushimet tashmë i kam mbaruar. Kam qëndruar një muaj në Shqipëri, dhe kam shëtitur nëpër vende të ndryshme. Isha në Dhërmi, Sarandë, Tiranë e vende tjera. Mund të them se kam kaluar pushime shumë të mira dhe i kam shijuar ato”, kështu pohon Flaka, për “Infopress”.

Në mëndje e kam të fiksuar se si do të duken këngët

Ndërsa ajo ende është duke përjetuar ndjenjën e pushimeve, angazhimet rreth muzikës sikur kanë filluar të ngrenë kokën. Dy këngë të reja dhe shumë më ndryshe, shumë shpejt do të zënë vend në raportuarin muzikor të këngëtares, njërës prej të cilave do t’i realizojë dhe klipin.

Sipas Flakës dy demo janë përfunduar dhe po presin që të plotësohen me tekstet e tyre, e të cilat do dallojnë nga shablloni i përditshmërisë. “Ndoshta është pak herët që të tregoj për të rejat rreth këtyre dy këngëve. Dy demo janë përfunduar, dhe në mendje kam fiksuar se si do të duken ato. Njëra nga këngët do të jetë pop-rok, ndërsa tjetra shumë alternative. Është shumë e sigurt që tekstet për ato dy këngë do të jenë më ndryshe dhe jo shabllon sikur po dëgjojmë çdo ditë. Ndonëse ende nuk e kam zgjedhur temën rreth teksteve, e di që njëra do të ketë tekst të dashurisë por pak më diplomatik, ndërsa për tjetrën mbetet të shihet. Pasi që të finalizoj gjithçka rreth këngëve do të vendosi se cilës t’i realizoj klipin”, thekson Flaka duke treguar se është duke biseduar me të vëllain me të cilin zakonisht i bënë tekstet për këngët e saj.

Zakonisht punoj shumë rreth projekteve

“Nuk kam ndonjë datë të caktuar se kur këngët do të jenë të gatshme për publikim dhe për adhuruesit e muzikës sime, por mund të them se jam duke u angazhuar mjaftë shumë rreth këtyre dy këngëve. Zakonisht punoj shumë rreth projekteve të mia. Për mua nuk është me rëndësi se sa vonohet një këngë, por është me rëndësi se si do të realizohet ajo. Dua që këngët që unë bëj të jenë të punuara mirë, dhe të kenë vlera”, thekson ajo.

Flaka tregon edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet një rok këngëtarë, gjatë përditshmërisë. Sipas saj deri sa sot po dominon muzika komerciale është e vështirë për të gjithë rokerat të realizojnë këngë. “Pa nënvlerësuar zhanret tjera të muzikës, mund të them se muzika rok është ajo lloj muzike e cila hynë në botën e artit si muzikë e zgjedhur dhe për njerëz të zgjedhur. Ata që kultivojnë rokun e kultivojnë me kokëfortësi atë. Është një numër jo i madh i artistëve që e kultivojnë këtë lloj muzike dhe e rëndësishme është që ky zhanër të hyjë në veshin e publikut, sa herë që bëhet diçka e re. Pra, po mundohemi me gjithë forcat tona që të kultivojmë muzikën rok në mënyrë që të mbijetojë ajo”, shprehet Flaka, duke ndjerë një dozë dëshpërimi për dominimin e muzikës komerciale në vend.

Nuk e shoh muzikën si biznes

Synimi i saj është që të lansojë vlera, pa devijuar nga zhanri i saj i zemrës. E duke qenë në dijeni se muzika rok nuk është komerciale, këngëtarja tashmë është regjistruar në Fakultetin Ekonomik, në mënyrë që në të ardhmen të vazhdojë me biznesin e saj. “Unë nuk e shoh muzikën biznes. Kjo është arsyeja pse jam regjistruar në Fakultetin Ekonomik, dhe pasi të përfundoj studimet do ta hapi biznesin tim dhe nga ai biznes do të mbijetojë edhe në muzikën që unë kultivoj”, potencon Flaka.

Këngëtarja, nga ana tjetër nuk lë pa e përmendur bashkëpunimin e fundit me rok këngëtarin Arbër Elezi, duke e vlerësuar si një bashkëpunim shumë të mirë. “Kam qenë shumë e lumtur për ftesën të cilën ma ka bërë Arbri. Atë e vlerësoj, fillimisht si njeri me vlera e më pas si këngëtar me vlera. Në momentin kur e kam dëgjuar këngën, më ka pëlqyer shumë dhe kemi vendosur rreth incizimeve. Edhe pse kënga për mua është shumë e mirë, e rëndësishme është që ajo të pëlqehet fillimisht nga publiku dhe adhuruesit e muzikës që ne bëjmë. Gjithsesi jam ndarë shumë e kënaqur nga ky bashkëpunim dhe për këtë e falënderoj përzemërsisht Arbrin”, thekson për fund Flaka. /InfoPress

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here