Për të tretin sezon zgjidhet si prezantuese e spektaklit. Shikuesit i është mësuar syri me imazhin e Enedës këngëtare, por këngëtarja di edhe të surprizojë.

Nuk nguroi t’i thotë “Po” ofertës së regjisorit të kësaj varieteje.

Ndihet mirë mes tyre. Deri më tani e sheh si eksperiencë të vyer. Nga ana tjetër, nuk lë pas dore edhe muzikën. Nëse nuk është vonuar të nxjerrë një këngë të re, kjo nuk do të thotë që nuk e ka menduar!

Është duke punuar për tre këngë. Pret vetëm një shtysën e realizimit të një videoklipi.

Për momentin është duke shijuar të qenit pjesë e spektaklit të së dielës.

Biseda me Tarifën u fokusua jo vetëm te jeta profesionale, por edhe te ajo personale. Ajo tregon sesi ndihet “brenda” kopertinave dhe a është jeta ashtu siç faqet e para të revistave e ‘tregojnë’?.

Ajo vetë e ka gjetur zgjidhjen. Nuk ia mohon lumturinë vetes për asnjë çast!

Këto kohë po shijon bashkëjetesën. Ende nuk ka veshur fustanin e nusërisë. Përse? Ja rrëfimi i saj:

Çfarë pritet të sillni të re në këtë sezon të ri të ‘Portokallisë’?

Do të jem më e rritur profesionalisht (!). Kjo do të thotë që për këtë, do më duhet të provoj veten akoma në shumë fusha. Përshemull, në aktrim, kam përshtypjen se do të kem disa role të vogla. Kjo do të shihet nga mënyra sesi do të ecë i gjithë spektakli, të paktën dy tre shfaqjet e para, sa gjithçka të marrë formën e saj. Bashkë me Salsanon do të kemi një formë prezantimi pak më të çiltër, të hapur, interekative, duke komunikuar me njëri tjetrin por edhe me personazhet e tjerë në skenë.

Pse e zgjodhe sërish?

Ky do të jetë sezoni i tretë që marr pjesë. Nëse e kam bërë një zgjedhje, e kam bërë për jetëgjatësi e jo për një sezon të shkurtër.

Të konsumon ky spektakël?

Konceptet ndryshojnë. Nuk mendoj se të konsumon. Ka gjithmonë të reja, shfaqjet janë të tilla, por edhe po u konsumove është një kosto që të duhet ta marrësh përsipër. Ka edhe nga ata njerëz që nuk ngopen asnjëherë duke të parë. Kështu që ata do të kenë mundësi të më shohin. Për momentin, pse jo edhe të konsumohem(!). Gjithsesi edhe për këtë ka zgjidhje. Periudha e pushimit të Portokallisë është pushim total që edhe unë të mund të merrem me muzikën, të ndërtoj një sistem më të saktë. Portokallia është ende e re në jetën time të përditshme. Për momentin, nuk di ende ta koordinoj me muzikën. Gjithsesi është momenti që unë të kem këngë të reja e vidioklipe të rinj.

Çfarë fshihet pas kuintave të ‘Portokallisë’?

E bukura është dinamika në të cilën punojnë aktorët. Të bësh një spektakël në javë është një superprodhim. Ajo që më bën përshtypje pas kuntiave është sjellja e aktorëve me njeri- tjetrin. Ata frymëzohen duke bërë shakara dhe kështu funksionon për të bërë më të mirën e tyre në skenë. Gjithë kjo magji e rrëmujshme e momentit, kurorëzohet vetëm ditën e diel kur shikon që të gjithë janë rregulluar dhe çdo gjë është në rregull.

Je pjesë e një spektakël humori. Po si natyrë, a ‘shquesh’ për sens humori? A i bën të tjerët për të qeshur?

Po, di që e kam dhe këtë sens. Megjithatë, të merr rutina, kur nuk e ke profesion nuk e zhvillon shumë. Është e çuditshme sesi punon truri për të zhvilluar një prirje të caktuar në një moment të caktuar.

Të mbush portokallia?

Po. Përfiton hapësira të reja. Për mua është fat që të punoj me artistë të vërtetë në fushën e humorit e me një regjisor tashmë ‘kameleon’, që çdo projekt të marrë përsipër e realizon në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam fatin të punoj me Altin Bashën.

Çfarë merr nga jeta juaj profesionale, koha e qendrimit në shtëpi, jeta në çift?

Merr shumë, por njeriu duhet të di të vendos disa prioritet në jetë, e të miat për momentin janë dy: familja dhe ‘Portokallia’. Mundohem t’i bëjë mirë që mos i ngelem borxh askujt, por di që po të duash të bësh diçka, ia del pavarësisht vështirësive. Dita është shumë e gjatë. E kam provuar edhe që t’i nxjerr fundin asaj. Ka kohë për të gjithë, ka kohë për koncerte, për punët personale e për çdo gjë. Fakti që unë jetoj me Portokallinë edhe në shtëpi, kjo nuk do të thotë se nuk i kryej detyrimet familjare.

Është jeta reale si ajo e kopertinave?

Varet se si e koncepton jetën. Para disa kohës kam kaluar një moment të vështirë në jetën personale dhe mendova: unë nuk do të kaloj asnjë ditë të palumtur, do të kaloj çdo ditë të lumtur. Sigurisht që në një moment të caktuar mërzitja të mund, por në përgjithësi, kam fituar një lloj indiference ndaj problemeve dhe në këtë mënyrë çdo gjë kalon më kollaj. Varet pastaj nga lloji i problemit, por gjithsesi duhet të jesh i zoti i vetes tende e ta udhëheqësh atë. Unë jam fanse e ekzistencializmit që mbështet parimin që njeriu është në krye të gjithçkaje, ai mund ta bëjë jetën e vetë si të dojë. Nëse do të jetë i pasur mund të bëhet i pasur, nëse do të jetë i famshëm, mund të jetë i famshëm dhe e kundërta, nëse do të jetojë një jetë të bukur e të qetë, mund ta bëj.

Të është dhënë mundësia ta zgjedhësh jetën që bën?

Duke e ndërthurur edhe me fatin, që ta plotësojmë. Unë nuk them që e kam zgjedhur, por përpjekjet e mia për të bërë më të mirën e kanë drejtuar në një farë mënyrë. Në fund të fundit besimi është ai që të udhëheq kur nuk ke asnjë të dhënë tjetër e provë të madhe.

Ke lënë një shije të mirë me Top Festin. Ke ndonjë plan për këngë të re të atij niveli?

Keni shumë të drejtë, edhe unë e kam në një farë mënyrë si pikë në zemër që nuk kam krijuar këto kohë muzikë të re. Kam tre këngë të reja në dorë, por duhen lançuar rregulluar. Nuk e di çfarë më pengon, ndoshta dua të shijoj edhe pak këngën e Top Fest-it. Kur prodhoj, bëjë gjëra që më bëjnë të ndihem mirë. Planet janë të shumta, por nuk e kam shtysën e mëparshme, sepse kam diçka tjetër në dorë.

Lodhet Eneda?

Lodhet shumë. Në përgjithësi, unë lodhje quaj atë mendore, sepse lodhja fizike përballohet në moshën që jam. Mendorja është ajo që të pret gjithë fuqitë.

Si mendon ‘t’i shfrytëzosh’ dijet që ke marrë në shkollë?

Por në një të ardhme kur nuk do të kem zërin, bukurinë dhe Portokallinë (Qesh). Dmth është një shkollë e së ardhmes, është një profesion që ndoshta do ia ndjej shijen pak më vonë, jo tani që kam ende dëshirë për art.

Kur përfundon durimi juaj, kur thua stop?

Kur shoh që tjetrin nuk e ngushëllojnë fjalët e mia, ose nuk i hyjnë në vesh ato. Kur mendoj se loja është e kotë.

Kur nervozohesh ?

Nuk nervozohem shpejt, por kur e bëj, nervozohem mirë.

Në fillimet e tua ke bashkëpunuar me Erion Zaloshnjën. Çdo të thotë të punosh

me njeriun që jeton?

Vazhdoj të bashkëpunoj. Më parë ka qenë shumë e lodhshme se Erioni ishte shumë kërkues e unë një vajzë e vogël që nuk dija se çfarë ishte puna. Tani jemi të dy të rritur, jemi më të përgatitur për të kaluar momente të vështira për të arritur qëllimin.

I ndani punët nga jeta e përditshme?

Nuk është se e kemi marrë vërtetë rolin e bashkëshortit apo bashkëshortes. Akoma nuk e kemi bërë një ceremoni martesore. Megjithatë unë nuk e ngarkoj Erionin me gjëra të tepërta që mund t’i bëjë edhe vetë. Mashkulli duhet në shtëpi për ato gjëra që i takojnë dhe për punët që janë po punë meshkujsh. Mua nuk më lodh jeta në shtëpi fare. Nuk është se jam maniake në punët e shtëpisë, por nga ana tjetër nuk e dua as të çrregullt. Më pëlqen të gatuaj. Dua që dhe Erionit t’i pëlqejë, se në fund të fundit, po qe stomaku i ngopur është dhe mendja e shëndoshë.

Çfarë keni të përbashkët? Ai është rroker…

Është rroker por ka qenë shumë punëtor dhe nuk mundohet shumë për veten e vet. Kjo është një formë e shpejtë që mos të shkojë çdo dy javë te berberi. Nuk do të merret me veten, por me punët.

Ku takoheni?

Të fakti që punojmë shumë dhe që i ndjejmë gjerat të dy dhe sigurisht…. në intimitet.

Mendohesh gjatë për një vendim të caktuar?

Ndjek pak inistiktin, nuk më ka gënjyer deri më tani. Megjithatë, fjala e Erionit ka qenë vendimtare.

U mendove shumë për ‘Portokallinë’?

U mendova dy ditë dhe më pas mora Altinin dhe i thashë: “po” me të dyja këmbët.

E ke ëndërr fustanin e bardhë?

E kisha, tani nuk e kam më. Nuk është ndonjë kusht për mua. Është kaq e rëndësishme jeta në çift…. sa ai fustani, në një moment të caktuar të martesës, po të marrim si shembull martesat që nuk shkojnë mirë, nuk ka vlerë fare.

E keni në plan martesën?

Problemi është që jemi të dy tipa shumë të zënë dhe nuk është se kemi përcaktuar ndonjë datë. Unë them që gjerat kanë kohën e tyre. Për mua, më e rëndësishme është ajo që ngelet nga një lidhje. Është ndjenja.

“Jam njeri që dua të bëj shumë gjera”

“Kur të mos jem më e bukur e të mos kem këtë zë që kam, do të vë në punë dijet e mia që i kam marrë nga shkolla”, kështu pohon Eneda dhe tregon për rrugën që ka ndjekur për t’u shkolluar:

“Kam përfunduar sistemin katërvjeçar për Filozofi Sociologji. Në dhjetor të 2010-s kam përfunduar një master shkencor për sociologji politike, duke mbrojtur një temë për Bashkimin Evropian, në konceptin e legjitimitetit të tij”.

Politika

Eneda Tarifën e kemi parë shpesh në mbledhjet e Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tiranës. Tani jo më.

Ja sqarimi i saj: “Roli im atje ka qenë tërësisht publik e jo politik. Lë të themi që ka qenë një provë nga të shumtat që bën njeriu në jetë, por nuk u bë kaq e rëndësishme dhe e dashur sa kënga. Kam mësuar shumë sepse vura në përdorim disa dije të shkollës e të Filozofisë Politike”.

Filozofia e jetës

Ka përfunduar studimet e larta për Filozofi Sociologji. Nuk mund të mungonte pyetja se çfarë filozofie ndjek në jetë? Eneda përgjigjet:

“Njeriu është pak a shumë si ky libri i fundit që ka dalë në treg, “Sekreti”, por edhe si ligji i Mërfit në të njëjtën kohë. Ideje e ligjit të Mërfit është: Nëse ka një përqindje të vogël që ty mund të ecin keq gjerat, do të ecin keq. Kjo, në një farë mënyre, më bën shumë optimiste dhe kam e përgatitur veten për këtë. Nga ana tjetër, sekreti thotë se duhet të tërheqësh gjerat e mira dhe pozitive drejt vetes. Gjithçka është çështje durimi”./shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here