Martohet Dritani i "Big Brother" me juristen e burgjeveMartohet personazhi i parë i shtëpisë së “Big Brother”. Ceremonia e thjeshtë familjare, me praninë e miqve dhe të afërmve.

Dritani i “Big Brodher”-it e vendosi: do të martohet. Një nga personazhet më të spikatur të shtëpisë së “BB2”-shit, po përgatitet seriozisht për ceremoninë martesore, e cila do të jetë më datën 19 të këtij muaji.

Që Tani ishte i fejuar, këtë e dimë të gjithë, pasi gjatë qëndrimit tij në shtëpi, ajo (e fejuara) u bë personazh mediatik, për shkak të pranisë së të dashurit të saj në shown më të madh televiziv.

Një lidhje dashurie që ka nisur në bankat e fakultetit juridik, kur ata të dy ishin studentë, duket se po finalizohet me sukses, me një martesë familjare dhe jo vetëm.

Lidhja e çiftit në fjalë ka filluar dhe vazhduar në mënyrë më se të natyrshme. Në fillim shokë, por gjatë kafeve të shpeshta me njëri-tjetrin panë që ata të dy nuk mund të ishin vetëm miq. Për këtë arsye, pa më të voglin hezitim, guxuan për diçka më tepër dhe po t’i pyesësh tani, pranojnë me bindje se nuk kanë vepruar aspak keq.

Siguria te njëri-tjetri dhe besimi absolut në dashurinë që kanë, ka bërë që Tani dhe Eva të mos e zgjasin më. Një test prove për të dy ishte dhe pjesëmarrja e Shehajt në “Big Brother”. Nga eksperiencat e ndryshe, kur personat futen në atë shtëpi ka rrezik të mos dalin më me po atë mendje që kanë hyrë.

Ndërsa tek Dritani nuk ndryshoi asgjë. Gjatë qëndrimit nëntëjavor brenda mureve të asaj shtëpie, në survejimin 24 orë non stop të kamerave, ai nuk mohoi për asnjë moment se ishte i lidhur. Pjesa e dytë i përket daljes nga shtëpia. As pas kësaj, ai nuk u tundua nga fansat komplimentet e shumta që merrte.

Vlen të theksohet se këto gjera nuk e shqetësuan Evën. Kaq mjafton që ata të dy t’i jepnin fund beqarisë dhe të fillonin një jetë prej familjarësh. Kështu, vajza (Eva) që punon si juriste pranë Drejtorisë së Burgjeve dhe djali, i cili nuk është as më pak e as më shumë po plot 1.99 centimetra i gjatë, do të jenë tani burrë e grua.

Por të bërit i famshëm, pati edhe një të “mirë” tjetër për të: vendosjen e emrit në listat e kandidatëve për deputetë në vendlindjen e tij, Gjirokastër.Pas daljes nga shtëpia, ai ndërmori një fushatë të vrullshme politike për të treguar dhe bindur bashkëqytetarët të tij që ata t’i japin besimin më anë të votës së tyre.

Edhe pse ai nuk fitoi, ndihet i vlerësuar që në CV-në e tij, që tani e tutje do mund të shënohet “deputet i mbetur në tentativë”. Por ku i dihet, ndoshta në zgjedhjet e ardhshme, do të mund ta shohim në karriget e Parlamentit.
Kështu, Tanit iu desh të mbaronte disa punë të vogla, të kalonte dhe pushimet dhe të projektonte si periudhë më të favorshme për të kryere ceremoninë martesore stinën e vjeshtës.

Këto janë ditët e fundit. Dritani, ka prenotuar lokalin, ka bërë gati ftesat, që pas një jave të festojë ikjen e beqarisë. Sipas tij, dasma do të jetë një festë e thjeshtë me familjarët dhe të afërmit. Ndërsa, pas kësaj do të ketë edhe një ceremoni tjetër për shoqërinë dhe miqtë e çiftit, ku nuk do të mungojnë as miqtë më të rinj të tyre, ata të “Big Brother”-it.

Por një kontribut të veçantë në martesën e Dritan Shehajt ka edhe gazeta “Shekulli”. Do të thoni ju si? Në suplementin e datës 6 qershor 2009, në faqet e Sh2-shit është botuar një intervistë e Tanit me titullin: “Planet për martesë”. Kaq u desh që një lexues i rregullt i gazetës, por edhe një fans i Dritanit të telefononte në redaksi, duke u shprehur se, “në qoftë se personazhi i intervistës do pranonte fustanet e nuses së tij, ai do t’i jepte falas për të, pasi dispononte një dyqan me fustane nusërie. Kjo gjë iu komunikuar Shehajt nga ana jonë dhe ditën e dasmës Eva do të veshë fustanet që u gjendën me “mblesërinë” tonë. Ne i urojmë çiftit jetë të lumtur dhe me sa më shumë bebe!

I famshëm për një ditë!
Fama që të japin programet televizive, si ai tipit të “Big Brother”-it, janë si flluskat e sapunit. Për çdokënd që hyn në atë shtëpi, në qoftë se do të ketë diçka për të dhënë edhe pas daljes nga shtëpia është rasti më i mirë për t’u promovuar, në të kundërt, fama jote mund të jetë vetëm një ëndërr që e ke parë, je kënaqur dhe kaq.

Në rastin e Shqipërisë, por jo vetëm, janë të shumtë ata personazhe që kanë bërë bujë për shkak të bëmave apo të veprimeve “që bien në sy”, të kryera këto përballë kamerave. Ndërsa bota jashtë kërkon diçka tjetër: “standarde” për të qenë një njeri i pranueshëm në shoqëri. Të quhesh “VIP”, në më të paktën duhet të japësh një kontribut, “të jesh i dobishëm për shoqërinë.

Menaxhimi dhe vetëkontrolli do ishin ideale në raste të tilla. Të gjithë ata që e quajnë veten “VIP” duke e fituar këtë nga veshjet ekstravagante, blicet e aparateve, makinat luksoze, nuk janë gjë tjetër vetëm flluska që pëlcasin në të qindin e sekondës dhe aty për aty mund të jesh sërish “askush”.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here