Marko Caka, në projektin e Scorseses e JaggeritAktori shqiptar, Marko Caka, i cili jeton në ShBA, do të luajë në serialin televiziv që producent ka Martin Scorsese dhe frontmenin e bendit “Rolling Stones” Mick Jagger.

Ky serial televiziv, i cili transmetohet nga HBO, mori dritën e gjelbër për transmetim tek në dhjetor të vitit të kaluar ani pse kërkesën për një gjë të tillë Scorsese dhe Jagger e kishin dërguar shumë vjet më parë. Seriali trajton skenën dhe zhvillimin e muzikës rock në vitet ‘70. Caka do të luajë përkrah aktorëve të njohur hollywoodianë, Bobby Cannavale, Ray Romano dhe Olivia Wilde.

Duke qenë se ky serial trajton ngjarje që kanë zënë vend katër dekada më parë dhe flet specifikisht për muzikën rock, aktorët duhet t’i përshtaten me dukje asaj kohe, shkruan sot Koha Ditore. Caka ka flokë të shkurtër dhe nuk ngjason me rockerët e asaj kohe, por thotë se është me fat që e ka marrë rolin. Një audicion për aktorët që të jenë pjesë e këtij seriali, ishte lansuar edhe në internet në prill të këtij viti.

“Ka qenë shumë e vështirë për ta marrë këtë rol për arsye të modelit të flokëve që nuk u përshtaten aspak flokëve të gjatë të viteve ‘70. Por falënderoj profesor Scorsesen që krijoi edhe një herë besimin tek unë”, ka shkruar Caka në rrjetin e tij social “Facebook”.

Por ky nuk është roli i tij i parë në mesin e aktorëve të njohur hollywoodianë. Ai është pjesë e filmit “Bridge of Spies”, histori biografike, dramë e cila flet për luftën e ftohtë. Regjinë e këtij filmi e ka bërë regjisori i njohur, Steven Spielberg, ndërsa skenarin e kanë shkruar Matt Charman, Ethan dhe Joel Coen. Rolin kryesor ka aktori i njohur Tom Hanks, ndërsa krah tij luajnë edhe Mark Rylance, Amy Ryan dhe Alan Alda. Bazohet në incidentin U-2 të vitit 1960 dhe romanin me emër të njëjtë të Giles Whittellit. E Caka luan rolin e një reporteri lajmesh, një rol që Cakës i përshtatet mirë, pasi ka kryer gazetarinë.

Marko Caka vjen nga Shkodra nga familja me prejardhje nga Ferizaj. Është rritur në Greqi, ku jetoi për 19 vjet, për të shkuar më pas në New York. Për një dekadë punoi si korrespodent për televizione e gazeta. Në vitin 2002 nisi të bashkëpunojë me median më të madhe greke. Gazetari befasoi producentët kur i besuan role të vogla. Për të fituar vetëbesim në këtë fushë padyshim se i ka ndihmuar bashkëpunimi me Martin Scorsese dhe Timothy Van Patten, ku falë tyre u bë pjesë e filmave dhe serialeve televizive në Hollywood. Pjesë e filmave hollywodianë është që nga viti i kaluar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here