Këngëtari i lindur në Prizren, Mark Marku, sonte, pra të mërkurën mbrëma, do të paraqitet në festivalin e muzikës argëtuese, i cili tradicionalisht mbahet në kryeqytetin e Kroacisë, “Zagrebfest”.

Në edicionin e 59-të të këtij festivali të njohur Marku do të interpretojë këngën e titulluar “Dal i tebe”, të kompozitorit Miro Buljan.

“Autori i këngës më ka ftuar që të interpretoj këngën e tij dhe ky është një nder i madh për mua”, ka thënë Marku një natë para paraqitjes në skenën e sallës koncertale “Vatroslav Lisinski”. Në këtë interpretim Marku do të përcillet nga orkestra revyale e Zagrebit me dirigjent Josip Cvitanoviq.

“Jam shumë i emocionuar, ngase në historikun 59-vjeçar të këtij festivali do të jem shqiptari i parë që marr pjesë në konkurrencën garuese”, ka deklaruar Marku, pak minuta para se të hyjë në provën finale. Ai ka theksuar se nuk ka pritje të veçanta, porse shpreson që të ketë një paraqitje të mirë të mërkurën mbrëma, me qëllim që mos t‘i zhgënjejë adhuruesit e tij, si në Kosovë ashtu edhe në Kroaci.

“Zagrebfest” njihet si bastion i muzikës së lehtë argëtuese, që nga viti 1953. Bashkë me festivalet e muzikës së Opatisë dhe të Splitit njihet si njëri prej festivaleve më të vjetra dhe më prestigjioze në Kroaci. Në të është kultivuar prej kohësh tingulli urban dhe shumë emra të njohur të muzikës në ish-Jugosllavi kanë garuar në “ZagrebfestÇ, si: Arsen Dediq, Hrvoje Hegedushiq, Gabi Novak, Tereza Kesovija, Oliver Dragojeviq, Kemal Monteno, e shumë të tjerë.

Mark Marku ka depërtuar në skenën muzikore kroate gjatë vitit të kaluar në saje të paraqitjeve në shoun televiziv “Hrvatska trazi zvijezdu” (Kroacia kërkon yllin), ku ai kishte mbërritur në pragun e finales, për t’u eliminuar pak para fundit të garës. Megjithatë në saje të talentit të tij dhe me pasionin e treguar Marku ka arritur që të hyjë nën ‘përqafimin’ e ekspertëve të muzikës, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe bashkëpunëtorët e afërt të Tony Cetinskit. Marku ka realizuar edhe videon e parë për singlin “Da si htjela”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here