Aktorja e dashur e humorit vjen në këtë intervistë të gjatë për të rrëfyer jetën e saj mes skenës dhe jetës si grua, nënë dhe bashkëshorte.

Marjana Kondi, e cila numëron plot 30 vjet karrierë, ka shumë për të treguar dhe jo vetëm si aktore. Të bësh art, sipas saj, është sa e bukur po aq edhe e vështirë, madje ajo vetë nuk është e mendjes se arti ta mban shpirtin të ri, përkundrazi, “Arti është i lodhshëm”, thotë ajo.

Marjana vjen ashtu siç është: e vërtetë, energjike dhe me një shpirt që duket se përherë do të mbetet i ri dhe pasionant për gjithçka që mban fjalën Art dhe Familje.

Som

Unë në shtëpi i bëj të gjitha vetë. Fillimisht e kam pasur shumë të vështirë pas humbjes së vjehrrës, kohë kur unë mësova të gatuaj. Pastaj u mësova dhe me këtë gjë, duke u kthyer në diçka normale.

Marjana, duket se për artistët e brezit tuaj nuk ka shumë aktivitet, siç ishim mësuar të shihnim kohë më parë. Ju vetë ku jeni fokusuar aktualisht?

Të jesh artist do të thotë t’i realizosh të gjithë këta komponentë. Edhe komedinë, edhe dramën, filmin, skeçin. Unë mendoj se deri diku i kam prekur këto të gjitha. Me modesti po e them këtë gjë, edhe pse brenda vetes mendoj se është goxha një karrierë e gjatë e zhvilluar me dinjitet nga ana ime, të gjitha rolet që kam luajtur. Humor kemi pasur më përpara, humor kemi edhe sot; drama kemi pasur më përpara, drama kemi edhe sot. Ne sot humorin e shohim në shumë vende. Unë kam bindjen se janë njerëzit më indiferentë dhe nuk i shohin këto gjëra. Realisht ka shfaqje dhe janë njerëzit ata që zgjedhin pastaj të shkojnë në teatër apo të shohin humor në televizion.

Duket sikur më parë kishte më tepër shfaqje sesa tani…

Në atë kohë kishte një Teatër Kombëtar, një Teatër Estrade, një Teatër Kukullash dhe kinematografia ku luanim. Fill pas këtyre vinte libri. Ne lexonim shumë libra dhe shihnim pak televizion.

Bëheni shpesh nostalgjike për ato vite?

Sigurisht që kam nostalgji, sepse në kafen e estradës zihej radha për të marrë bileta që në mëngjes herët. Kishte shumë publik, por unë paralel kam pasur nostalgjinë e Teatrit Kombëtar dhe kur kam luajtur për herë të parë te “Këngëtarja Tullace” mendoja që do të ishte diçka shumë e madhe. Po faktikisht ishte një skenë si ajo e Estradës së Tiranës. Ishin po ato emocione, po ajo ndjesi e artistit.

Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Mbaj mend që na kontrollonin shumë, për të parë shfaqjet me imtësi çfarë gabimesh kishin. Po ka pasur edhe ajo kohë të bukurën e vet, sepse arti nuk ishte vulgar. Duhet ta donin shokun dhe shoqen si motër dhe vëlla, gjë që nuk ndodhi asnjëherë, sepse çdokush kishte preferencat e veta. Mendoj se njeriu i mirë bën hajër në çdo sistem.

Kishte artistë që spiunonin njëri-tjetrin?

Te ne kjo ka qenë meritë e Skënder Sallakut, i cili në atë kohë ka shuar çdo problem apo gjë që mund të ndodhte në ato mbledhjet e zakonshme, të paktën kur shkova unë. Kemi qenë një grup mjaft i mirë dhe ka qenë kohë e qetë.

Nuk vë re ndryshim në intensitetin e krijimtarisë sot?

Sot ka shumë intensitet.

Prodhohet më shumë, po thua?

Po ka. Ka stacione si “T” që jep shfaqje që nga akademia, teatri, kinemaja etj.

Keni luajtur film, teatër, komedi, skeçe, dramë. Cilin nga këto zhanre keni bërë me më shumë dashuri, të themi?

Të dyja janë të vështira. Të dyja janë shumë të bukura dhe të dyja më duken shumë të thjeshta. Komedia ka një zbavitje, nuk ke pse të mendohesh shumë përpara se të hysh në skenë. Emocionet janë të mëdha, por nuk ke pse të futesh në botën e pjesës që ti do të luash. Sa futesh në skenë mendon për atë që do të luash dhe pastaj zbavitesh. Drama ka një teknikë tjetër; duhet pak përpara se të hysh në skenë të përqendrohesh tek ajo.

Mes filmit dhe teatrit?

Janë zhanre shumë të bukura. Filmi është fin, kurse teatri është pak më i zmadhuar. Duhet të të dëgjojë dhe të të shohë edhe publiku që është në rreshtin e fundit.

E keni nisur qysh në vitin 1982 karrierën tuaj si aktore dhe janë plot 30 vjet. Çfarë keni hasur më tepër gjatë kësaj rruge, mbështetje apo më shumë “shkopinj nën goma” dhe xhelozi profesionale?

Xhelozitë kanë lindur me ne dhe na shoqërojnë vazhdimisht dhe arti nuk bën përjashtim. Sa i përket mbështetjes, qysh kur i jam futur këtij profesioni deri tani çdo gjë e kam arritur me punën time.

Kur kanë qenë më të theksuara xhelozitë në punë para apo pas viteve ‘90?

Edhe atëherë ka pasur, por nuk kanë qenë shumë ballë për ballë, të themi, kurse sot njerëzit janë më të papërgjegjshëm. Atëherë mund ta sqaroje diçka, ndërsa sot ka shumë njerëz që flasin ose hedhin baltë mbi punën tënde pa pikë turpi dhe nuk denjon të përballet drejtpërdrejt me ty.

Ka pasur raste kur keni humbur rast, që keni humbur role për shkak të këtyre gjërave?

Po sigurisht. Po unë nuk jam natyrë që jam skllav i famës, skllav i profesionit tim, sepse nuk dua të ndyj veten time me ata lloj njerëzish. I lë të bëjnë çfarë të duan dhe mjaftohem me komoditetin që kam në jetën time, shtëpinë, librin… Sigurisht ka momente që më vjen inat, por pastaj mundohem ta nxjerr veten nga situata.

Keni thënë që do të hiqnit dorë nga komedia…

Nuk e kam thënë se do të heq dorë nga komedia. Unë faktikisht u largova nga “Portokallia” dhe thashë nuk do bëj më atë lloj humori, sepse në fakt “Portokallia” është një zhanër shumë i vështirë. Në këtë kuptim e kam thënë. Aktualisht sapo jam shkëputur nga një komedi e Ruzhdi Pulahës, me regjisor Fred Trebickën, “Fqinjët”, dhe mund të them se kam ndjerë një kënaqësi shumë të madhe. Ishte një pjesë shumë e bukur dhe një rol mjaft interesant.

Njerëzit ju kanë dashur më shumë si aktore humori. Mendon se vërtet rolet komikë janë ata që ju shkojnë më tepër?

Unë mendoj që kam fituar sharmin e skenës. Mund të jesh 100 vjet në skenë apo të vdesësh dhe mund të mos e kesh fituar këtë gjë. Unë mendoj se këtë gjë e kam dhe mendoj se artisti po nuk pati sharm nuk është artist. Dua të shtoj se kur luaja filmin “Gjoleka biri i Abazit”, kur kam qenë në premierë dhe kur pashë filmin në fillim, publiku bëri një gjest në skenën e parë, duke pritur se çfarë do të bëja unë. Pastaj nga ai moment e tutje salla nuk ka pipëtirë.

Thonë që aktorët më të mirë janë aktorë të këqij në jetë…

Është e vërtetë. Mua më është dashur ndonjëherë që për të dalë nga situata të aktroj, por nuk e kam bërë dot (qesh). Kjo është e vërtetë. Ndoshta kjo nuk ka të bëjë dhe aq me faktin nëse je aktor apo jo, por me karakterin e njeriut. Unë nuk luaj dot në jetë.

E mbani mend rolin tuaj të parë?

Po. Ka qenë “Tre dhëndurët”, me Pirro Manin. Atje kam qenë shtatzënë 6 muajshe edhe nga fillimi në fund shihja profesor Pirro Manin që rrinte gjithmonë në fund të sallës së provave. E kujtoj me shumë kënaqësi, vetëm se kur shoh veten në televizor me atë rol më vjen shumë keq që vitet kanë kaluar.

Jeta e një artisti, që është përherë në lëvizje, por njëkohësisht duhet të jetë prezent në shtëpi… Si ruhet kjo balancë?

Në fillim është jeta e shtëpisë, pastaj profesioni. Nëse të shkon mirë ajo e shtëpisë, atëherë bëhet shumë mirë profesioni. Është shumë e kollajshme, sepse je më e qetë që të punosh. Unë mendoj se çelësi i suksesit për të kaluar një jetë shumë të mirë është në shtëpi, krijimi i familjes, që është gjëja më e bukur.

Çfarë sakrificash ke bërë për familjen?

Unë mbaj mend shumë sakrifica që kam bërë gjatë jetës sime, sa i përket profesionit, në lidhje me familjen. Në shtëpinë time përveç, meje nuk punon njeri në sensin që bashkëshorti të gatuajë apo gjëra të tilla. Unë në shtëpi i bëj të gjitha vetë. Fillimisht e kam pasur shumë të vështirë, pas humbjes së vjehrrës, kohë kur unë mësova të gatuaj. Pastaj u mësova dhe me këtë gjë, duke m’u kthyer kjo në diçka normale.

Po thua se ke pasur një familje tradicionale me shumë njerëz, vjehrra, vjehrri…

Më vjen shumë mirë që e preke këtë gjë. Dua ta jap edhe si një mesazh për brezin e ri, që të shkosh mirë me njerëzit e bashkëshortit është gjëja më e bukur që mund të bëjë një femër. T’i duash dhe t’i respektosh ata, s’ka asgjë të keqe.

Ke pasur fatin ku vjehrra kujdesej për gatimin apo fëmijët?

Jo. Vjehrra ime gatuante. Unë bëja gjithë punët e shtëpisë, ndërsa ajo gatuante dhe s’më linte kurrë të gatuaja. Më thoshte: “rri rehat, se do të vijë koha për ta bërë”. Unë kam kaluar shumë mirë me prindërit e burrit. Kanë qenë njerëz intelektualë dhe i kujtoj absolutisht me respektin më të madh.

Jeni një femër dhe një nënë tradicionale?

Po dhe nuk ka sesi të shkëputet njeriu nga vlerat tradicionale, sepse e gjitha bota është tradicionale. Nuk ndryshon asgjë në këtë botë; dashurohet njëlloj, urohet njëlloj, xhelozohet njëlloj, trysnitë janë njëlloj qysh kur ka lindur njerëzimi deri më sot.

Marjana, a ka qenë xheloz bashkëshorti juaj, duke pasur parasysh që kishte një artiste në krah?

Jo. Bashkëshorti im nuk bëhej xheloz. Unë bëhesha xheloze për të. Mbaj mend bashkëshorten e artistit Skënder Sallaku, që mundohej që unë të hiqja dorë nga xhelozia. Mua xhelozia më pëlqen, është shumë e bukur, por xhelozia e tepërt është shenjë inferioriteti. Me xhelozinë që ndieja nuk doja të ndihesha si inferiore dhe mundohesha të mos isha, por me kalimin e kohës u rregullua çdo gjë.

D.m.th. ka ndodhur e kundërta me ju?

(Qesh) Bashkëshorti im ka studiuar në Gjermaninë Perëndimore, një djalë tirane dhe e gjuanin shumë femra.

Si e keni njohur bashkëshortin?

Jemi njohur në plazh. Plazhi është gjëja më e bukur për mua (qesh). Kanë qenë kohëra shumë të bukura. Rrinim te “Breshka”, te hekurudha në Durrës. Bënim ato shëtitjet e famshme anës detit, rrinim me një veshje, kremra për trupin nuk kishim… Rrinim me kripën e detit se thoshim që na bën mirë, po na paska bërë mirë vërtet, sepse jemi pa celulit (qesh).

Çfarë ju bëri për vete?

Ah, ka qenë i mençur dhe një mashkull shumë simpatik. Që në atë kohë ka qenë me katër gjuhë të huaja. Kam pasur shumë kërkesa ndaj vetes sime dhe kam qëlluar.

Si është marrëdhënia mes një aktori dhe një ekonomisti, që është profesioni i bashkëshortit tuaj?

Gjithmonë kur ka një artist në këtë marrëdhënie që po thoni, muhabeti është më i lezetshëm dhe vetë lidhja më e këndshme.

Sot është trend që shumë artiste të bëjnë palestër apo lifting për t’u dukur sa më të reja. Ju çfarë bëni?

Unë jam tradicionale, nuk merrem fare me këto gjëra (qesh). Po, unë merrem me trupin tim, bëj pishinë në dimër dhe në verë. Momentalisht sapo jam kthyer nga pishinat.

A ta mban vërtet shpirtin të ri arti?

Arti është i lodhshëm. Unë nuk jam tifoze e kësaj shprehje, se ta mban shpirtin të ri. Shpirtin e ri ta mban sinqeriteti, dashuria, palestra apo sporti, punët e shtëpisë, që janë antistres i jashtëzakonshëm, gatimi, kujdesi për veshjen. Të gjitha këto janë motive të bukura për çdokënd që të ndihet i ri, por e para është dashuria. Po e pate këtë gjë, jeta shkon shumë mirë.

Dukeni shumë pasionante kur flisni për dashurinë…

Fjala dashuri ka një kuptim shumë të madh. Nëqoftëse unë flas për dashurinë, nuk flas vetëm për atë të bashkëshortit, por edhe dashuria e fëmijës apo edhe dashuria, afeksioni, që kam për qenin tim.

Meqë jemi te dashuria, si i keni marrëdhëniet me vajzën tuaj?

Marrëdhëniet e mia janë nënë-vajzë, jo shoqe-vajzë. Asnjëherë shoqe.

Pse jo shoqe?

S’ka lidhje. Fëmija mbetet fëmijë tërë jetën.

Marjana, tani fillon sezoni i ri i shfaqjeve. Cilat janë projektet tuaja? Ku do t’ju shohin teleshikuesit?

Nuk para më pëlqen që të flas për projektet, por në Teatër ndoshta do të rifillojmë sërish shfaqjen me Henrikun. Aty nuk është se kisha ndonjë rol të madh. Ishte një rol i vogël, por ishte kënaqësia e madhe, sidomos pasi shkuam në Londër. Ishte privilegj të shkelje në atë skenë dhe mund të them se ishte një shfaqje e mirë, pavarësisht se këtu u kritikua nga njerëz që janë xhelozë. Ishin të njëjtët njerëz që kanë inate dhe nuk ishte çudi për ne të lexonin në gazeta të flitej keq. Ne këtë gjë e kemi kaluar me shaka dhe duke qeshur, pasi nuk ishte surprizë.

Ju ka ngelur ndonjë rol peng në jetë, të cilin e keni dëshiruar po nuk keni mundur ta keni?

Pengje artisti ka gjithmonë, por s’më vjen ndërmend diçka konkrete. Po të rri t’i kujtoj rolet që kam luajtur kohët e fundit janë të shumta, mund të them se janë shumë, goxha. Kam luajtur “Venecian” dhe “Këngëtarja tullace” me Spiro Dunin, “Shqetësimet e obezit” me Pluton Vasin, “ Maya”, “Draka e gabuar” e Kadaresë, te serialet “Një dado për babin” dhe “Wanted”. Janë shumë dhe artisti do të luajë gjithë kohën. Po unë e thashë që nuk jam skllave e famës. Unë dua të bëj pak edhe saktë.

A është e vërtetë që arti nuk paguhet dhe artistët janë të varfër?

Nuk ma do mendja të ketë ndonjë artist të varfër këtu te ne. Artistë të varfër nuk ka, edhe pse mendoj se këtu bëhen krahasime gjithmonë me artistët në vendet e tjera të botës.

A ka monopol në artin shqiptar?

Sigurisht që ka dhe këtë nuk e eviton dot, sado luftë që të bësh.

Ç’mendim ke për aktorët e rinj?

Unë kam gjithë këtë kohë që punoj me të rinjtë dhe them që ka talente goxha premtuese. Unë i vlerësoj jashtë mase të rinjtë dhe mendoj që të rinjtë duhet të trajtohen me respekt.

Miqtë e tu më të mirë artistë, cilët janë?

Unë kam shumë miq, por miqtë e mi të vërtetë nuk janë dhe aq në botën e artit. Kam shumë miq aktorë dhe do të ishte e vështirë të përmendja emrat e të gjithëve tani.

Çfarë të bezdis te njerëzit?

Më bezdisin shumë njerëzit që nuk lexojnë dhe vulgariteti.

Koleksionon ndonjë gjë?

Jo. Vetëm mund të them se jam shumë e dhënë pas librave. Në aq metra katrorë sa është shtëpia ime, ka vetëm libra. Lexoj shumë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here