Mariola është një këngëtare e afirmuar e muzikës shqiptare. Shumë aktive në jetën e natës, ku preformon “live” me zërin e saj melodioz.

Këndon kryesisht këngët e jugut, por repertori i saj është i pasur edhe me këngë të tjera. Kur është përballë publikut duke kënduar, për të ekzistojnë vetëm ata, fansat e saj, publiku i saj i dashur. Është aktive në Shqipëri, por edhe në diasporë. “Unë jam kudo ku ndodhen shqiptarët”, thotë Mariola.

Nuk keni dhënë shumë intervista. Një zgjedhje e juaja apo mendoni se u jepet më tepër rëndësi këngëtarëve që nuk merren me folkun?

Mendoj se interesi i gazetarëve është i njëjtë pavarësisht rrymës muzikore. Nëse ke diçka për të treguar, ke mundësitë. Është zgjedhja ime të qëndroj pak larg intervistave, sepse privatësia për mua është e shtrenjtë.

Të bëheshit këngëtare ka qenë ëndrra juaj që e vogël apo një rastësi falë zërit të bukur?

Sigurisht ka qenë ëndërr e imja. Kam lindur me këngën. Zëri dhe talenti janë arma ime më e fortë.

Ç’duhet të bëjë një këngëtare që të quhet e realizuar?

Që një këngëtarë të quhet e realizuar duhet të ketë në radhë të parë talentin, imazhin dhe të punojë shumë. Pa këto elemente është shumë e vështirë.

“Maratona e këngës popullore” duket si një shfaqje së cilës ju nuk i mungoni asnjëherë. E konsideroni si një lidhje shpirtërore?

“Maratona” është një festival i cili mirëpritet në çdo qytet të Shqipërisë, është i organizuar nga një staf profesionistësh. Në këtë festival kënga bëhet hit dhe është një reklame shumë e mirë për artistët.

Si u prit bashkëpunimi me vëllanë tuaj në këtë festival?

U prit shumë mirë. Madje fitova shumë fansa falë vëllait tim (qesh). Mund të bashkëpunojmë përsëri.

Prej sa vitesh merrni pjesë në klubet e natës? Ç’ndjesi ju jep të kënduarit “live” dhe publiku i prekshëm?

Kam shumë kohë që këndoj live, ndërsa si këngëtare e afirmuar kam 6 vite që këndoj. Të kënduarit “live” nxjerr në pah vlerat e një artisti. Në qoftë se ke zërin, atëherë mund të ecësh përpara. Nëse nuk këndon “live”, nuk arrin të ecësh gjatë në karrierën muzikore. Këto kohë ka shumë këngëtarë që këndojnë “live” dhe për këtë duhen përgëzuar edhe organizatorët. Në gjithë botën pëlqehet kjo mënyrë të kënduari. Edhe divat e muzikës botërore koncertet e tyre i organizojnë “live”. Të përçon shumë emocione, bën të mundur që publiku të njohë botën shpirtërore të artistit. Çdo moment është i gjallë, gjithçka vjen natyrshëm madje edhe ndonjë stonim i mundshëm mirëkuptohet nga publiku. Edhe ata që nuk janë fansa kur dëgjojnë të performojë një artist, ndalen e dëgjojnë dhe e vlerësojnë, bëhen adhurues të tij.

Është e vështirë të jesh këngëtare nëpër klabe?

Jo, për mua nuk është vështirë. Më jep një ndjesi shumë të këndshme.

Ju ka ndodhur ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje me pjesëmarrësit?

Jo, nuk më ka ndodhur…

…p.sh. kanë dashur të dëgjojnë një këngë jashtë repertorit tuaj.

I këndoj të gjitha këngët brenda dhe jashtë repertorit tim. Mbaj mend që kam qenë në veri dhe më kanë kërkuar të këndoj këngë të Fatmira Breçanit, dhe i kam kënduar. Për mua është kënaqësi të këndoj këngë të ndryshme nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Sa më shumë i pasur të jetë repertori i një këngëtari, aq më shumë vlera ka. Kam bashkëpunuar me këngëtarë të zonave të ndryshme.

Tashmë keni zgjedhur aktrimin. Keni luajtur ndonjë rol deri më tani?

Nuk kam luajtur asnjë rol, sepse kam qenë shumë e angazhuar me këngën. Por kam pasur kërkesa, psh nga një staf greko-shqiptar dhe nuk kam pranuar, sepse nuk mund të shkëputesha aq gjatë nga kënga. Parësore ka qenë gjithmonë kënga, shkolla e aktrimit më ka shërbyer për t’u formuar si artiste.

Bëni dot ndonjë paralelizëm mes jush dhe këngëtarëvë të huaja të mirënjohura që i përkushtohen edhe kinemasë?

P.sh. Xhenifer Lopez, edhe në Shqipëri ka shumë talente të tilla. E kam menduar t’i bëj të dyja, edhe këngën edhe aktrimin, por është e vështirë t’i bësh në të njëjtën kohë. Megjithatë, po të kesh talentin, ia del. Me këngën ia kam arritur, pse jo një ditë mund t’i përkushtohem aktrimit.

Ç’rol luan familja në vendimet e Mariolës?

Familja është gjithçka për mua. Përpara se të marr një vendim, gjithmonë konsultohem me ta dhe mendimet e tyre kanë shumë rëndësi për mua. I vlerësoj shumë. Ata më kanë mbështetur gjithmonë dhe unë i falënderoj pa fund.

Cili është njeriu më i rëndësishëm për ju në këto momente?

Vëllai im. Është shoku më i mirë për mua dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Me gjithë familjen, por atë e veçoj.

Krijimi i një familjeje është në planet tuaja të afërta apo mbetet ende në prespektivë?

Për momentin jo. Në fillim duhet një lidhje… është një rrugë e gjatë deri atëherë. Për momentin i jam përkushtuar karrierës sime, por sapo të marr një vendim të tillë do ta bëj publik (qesh)

Ç’kërkon Mariola tek një mashkull?

Vlerësoj shumë respektin. Po qe respekti, të gjitha të tjerat rrjedhin normalisht. Sepse mund të ketë edhe shumë dashuri, por nëse mungon respekti gjatë rrugës do të humbë edhe dashuria.

Shpesh herë thuhet se sinqeriteti vlerësohet shumë nga femrat, por ka raste kur vetë femrat nuk janë të sinqerta.

Si është karakteri i Mariolës?

Në përgjithësi jam shumë e drejtë, gati naive do të thosha. Për mua kur dikush është i çiltër, i drejtë, i sinqertë ka karakter. Dikush mund t’i marrë për dobësi, por për mua janë shumë të rëndësishme këto elemente, unë jam e tillë.

Një fundvit vetëm për dy javë. Ku do të jeni në ndërrimin e viteve?

Gjatë kësaj kohe do të jem në Greqi, Itali, Maqedoni dhe Shqipëri. Me 31 do të jem në Athinë.

Si është nata e Vitit të Ri për ju?

Kam vënë re se mbrëmja e Vitit të Ri po kthehet në një darkë të zakonshme. Por për mua, besoj edhe për të gjithë artistët e tjerë, është shumë bukur. Ku ka më mirë se të festoj aty ku janë shqiptarët, në diasporë. Ata e presin gjatë këtë festë dhe në mënyrë të veçantë faktin që do të dëgjojnë muzikë “live” nga këngëtarët shqiptarë. Kjo është më shumë se e mrekullueshme për mua. E ndiej se të gjithë ata vijnë të festojnë me mua dhe ndihem e vlerësuar.

A beson tek babagjyshi vitit të Ri?

Do doja shumë që të egzistonte.

Nëse për një moment do të mendoje se ekziston, çfarë do t’i kërkoje?

Shëndet për familjen time dhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Cila është ajo ëndërr që të ka ngelur në sirtar?

Të shkoj në Hollivud. Nuk është e pamundur, jeta është e gjatë… mund t’ia arrij, pse jo?!

Cili ka qenë idhulli juaj (në muzikën shqiptare)?

Aurela Gaçe. Është një këngëtare që këndon rryma të ndryshme muzikore. Nga këngëtarë të tillë mund të marrësh diçka pozitive.

Sa herë jeni penduar për veprimet tuaja dhe cila është gjëja për të cilën do të donit ta kthenit kohën pas?

Ka pendesa, por janë kalimtare. Njeriu dëshiron t’i prefeksionojë gjërat.

E besoni shprehjen: koha i shëron të gjitha plagët?

Po

Cila është motoja juaj?

“Mbaj afër miqtë dhe armiqtë”, këtë ua këshilloj të gjithëve. Kështu do të kishim vetëm miq.

Cilat janë planet për sa i përket muzikës?

Momentalisht jam e përqendruar tek festat, por më vonë do të realizoj një këngë të re të cilën dua ta lë surprizë.

Cili është urimi juaj për fansat?

Ju uroj që 2012 t’iu sjellë shëndet, para dhe çdo gjë të mirë të mundshme. I falënderoj që ekzistojnë dhe që janë fansat e mi, pa ta as unë nuk do të egzistoja. Gjithashtu dua të falënderoj edhe bashkëpunëtorët e mi, Adrian Hilën, tekstshkruesit Arben Duka, Melesh Kabllani, Armand Trebicka.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here