Janë dy nga fytyrat më të bukura të ekranit shqiptar. Me çiltërsinë, buzëqeshjen e ravijëzuar në portret e me ëmbëlsinë që i shoqëron në çdo fjalë që thonë, ato janë kthyer me vite në motrat më të suksesshme të ekranit.

Nëse në muzikë mbahen mend duetet e Irma dhe Eranda Libohovës, në ekran është e sigurtë që do të mbahen mend gjithmonë motrat Marina dhe Luana Vjollca.

Si është të punosh me motrën në të njëjtën kompani, a ka xhelozi brenda llojit, apo kjo përjashtohet kur në mes hyn lidhja e gjakut? A i veshin sot, rrobat e njëra-tjetrës?

Çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon bukuroshet seksi? Si ka qenë për to puna në moshë të re dhe lidhja që kanë me femrat e tjera të familjes. Ju besojmë e dini që ato janë si një bandë muzikore, e përbërë vetëm nga femra. Janë 4 motra, njëra më e bukur se tjetra; kanë 3 mbesa po aq të hijshme dhe në krye kanë mamanë, që është edhe mbretëresha e jetës së tyre. Për marrëdhënien e krijuar brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë, si dhe për të marrë përgjigjet e pyetjeve të ngritura më lart, po ju lëmë nën shoqërinë e këtij rrëfimi, që jemi të bindur se do t’ju çojë në një tjetër botë, në atë ku jetojnë Marina dhe Luana.
Fytyra juaj shihet kudo, në postera, revista, televizor. A është e çuditshme kjo ndjesi?
Marina: Në fillim ka qenë e tillë. Është ndjesi e bukur dhe përkëdhelet sedra jote, kur shikon që puna disavjeçare është kurorëzuar me një punë produktive dhe objektivi ynë plotësohet kur publiku na vlerëson dhe na ndjek.
Luana: Po e ekzagjeron pak tani (qesh). Është ndjesi e bukur!
Ju gjithmonë shfaqeni me make up, vuani nga presioni për t’u dukur gjithmonë bukur edhe jashtë televizorit?
Marina: Kur je person publik duhet të jesh gjithnjë i kuruar. Është një privim ky, që na vendoset vetvetiu prej të qenit njerëz të njohur. Por në jetën e përditshme kurohemi në mënyrë që të jemi sa më të rregullta. Make up-i është i tepërt, e përdorim sa më pak të jetë e mundur. Edhe në televizion përpiqem të bëj një grim sa më afër origjinales dhe sa më pak të rënduar.
Luana: Është e domosdoshme të jesh e kuruar përherë, sepse edhe jashtë televizionit do jesh në kontakt me një pjesë të publikut, por gjithmonë varet nga puna. Ka raste kur dal edhe ashtu siç jam në shtëpi.

Ju kaloni shumë kohë bashkë, ju kap ndonjëherë paniku nëse nuk keni afër njëra-tjetrën?
Marina: (qesh) Pyetje interesante. Është e vërtetë që jemi thuajse kudo bashkë, në shtëpi, shkollë, klasë, punë. Jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën.
Luana: Deri më tani nuk më ka ndodhur të qëndroj larg Marinës për shumë kohë, prandaj nuk më ka kapur akoma paniku, por tani që po e mendoj filloi të më kapë.
Ju keni një karrierë që është katapultuar që në moshë të herët, ndiheni superiore me moshataret tuaja?
Marina: Superiore jo, por puna dhe kontakti me persona më të mëdhenj se vetja ka dhënë frytet e veta në pjekjen tonë. I kam sakrifikuar argëtimet, qejfet e moshës, pasi ndjekja e punës ishte mjaft rigoroze. Nuk jam penduar, pasi kam marrë kënaqësi të papërshkrueshme.
Luana: Superiore nuk do thoja, ndihem me fat.

Ç’do të thotë të fitosh para që në këtë moshë?
Marina & Luana: Mënyrë mbijetese, pavarësi, vlerësim.
Çfarë keni blerë në fillim me pagën e parë?
Marina: Nuk e mbaj mend, por kujtoj që kam qenë 15 vjeç dhe të gjithën e kam dorëzuar në shtëpi.
Luana: S’e mbaj mënd, ka kaluar shumë kohë, po me siguri këpucë meqë e kam akoma këtë ves, sa herë marr rrogën vrapoj të blej ndonjë palë këpucë të reja. Fiksim i imi ky.
Marrëdhëniet me motrat e tjera si janë? Na shuani dhe një kuriozitet, si është të jetosh në një shtëpi vetëm me femra?
Marina: Jemi shumë të lidhura! Ato dhe mami janë mrekullitë e kësaj bote për mua. Në çdo rast kontaktojmë me njëra-tjetrën dhe bëjmë të gjithë rezymenë e ditës. Të gjithë energjitë negative të akumuluara gjatë ditës çlirohen kur marr dashurinë e tyre.
Luana: E kemi thënë shumë herë që jemi të pandashme, jo për të përsëritur veten, por vërtet jemi një pesëshe e pandashme, përfshirë këtu edhe mamin.
E ndjeni ndonjëherë nevojën e një mashkulli?
Mamaja jonë ka qenë mburojë për ne. Ajo ka fortësinë e një mashkulli dhe dhembshurinë e dashurinë e nënës.
Ndani shtëpinë, jetën, ekranin me njëra-tjetrën, por jo vetëm, pasi kudo ju shohin bashkë, po çfarë kanë motrat Vjollca që i ndan nga njëra-tjetra (veç ngjyres së flokëve)?
Marina: Jemi tipa të ndryshëm që plotësojmë njëra-tjetrën.
Luana: Jemi shumë të ndryshme edhe në karakter, prandaj jemi edhe kaq shumë të lidhura.

Meqenëse jemi tek ndarjet dhe tek jeta juaj, që është thuajse e përbashkët, si i ndani shpenzimet? P.sh, kush është më dorëlëshuar në kafe, dreka, darka…?
Marina: (qesh) Shoqëria gajaset me ne tek kjo pikë, pasi jemi të dyja që grindemi kurdoherë në momentin që vjen fatura, asnjëra nuk hap rrugë.
Luana: Mirëpo…Marina është më dorëlëshuar.
Për çfarë ziheni?
Marina: Aktiviteti i ngjeshur duket se na e ka marrë kohën e lirë dhe zënkat janë venitur. Por ndonjëherë për vogëlsira. P.sh Luana është shumë e dhënë pas çokollatave dhe i përlan kudo ku i sheh.
Luana: Shihni, thotë vetëm pjesën time, harron kur i ha vetë të gjitha dhe më lë mua pa gjë (qesh).
Kush e ngre zërin më shumë nga ju të dyja dhe kush tërhiqet më shpejt më pas?
Të dyja e ngremë zërin kur kemi të drejtë dhe asnjëra nuk tërhiqet kur ka faj. Eh, kokëfortësia është paksa e theksuar tek ne…
Merreni me punët e shtëpisë? Si i ndani?
Marina: Që të vogla i ndanim punët e shtëpisë. Një rutinë e tillë tani nuk është më aq e dukshme vetëm në rastet kur ndonjë e diel na kap pushim në shtëpi.
Luana: (qesh) Kjo pjesë është gallatë! Mua gjithmonë meqenëse kam qenë e vogla e shtëpisë më kanë lënë pluhurat.
Çfarë pune urreni?
Marina: Pluhurat!
Luana: Normal, se m’i ka lënë mua.
Po të gatuani, dini?
Marina: Aq sa për të mos lejuar urinë të na gllabërojë.
Luana: Unë për vete jam e shkëlqyer në kuzhinë.
Rrobat e njëra-tjetrës kushedi sa herë i keni veshur gjatë jetës. Ju vjen keq tani që s’e bëni dot më, duke qenë se gazetarët janë shumë të vëmendshëm ndaj jush?
Marina: Gjithmonë në jetën e përditshme vishemi me veshje të njëra-tjetër. Nuk ka ‘këto janë të Luanës apo këto të Marinës’, kompromis i theksuar në këtë pjesë. Ndërsa në daljet tona publike nuk mund të veshim as veshjet tona për të dytën herë ndaj jemi privuar edhe nga vetja edhe ndaj motrës.
Luana: Kush iu tha që se bëjmë më?! Le të jenë gazetarët sa të duan të vëmendshëm, unë pa e veshur gjënë më të re që blen Marina nuk e lë, në jetën e përditshme flas.
Mbetemi pak këtu dhe flasim për dukjen tuaj. Sa të fiksuara jeni pas markave, apo veshjeve të shtrenjta?
Marina: Aspak! Të tepërta më duken diskutimet e personave që janë të fiksuar për të përmendur marka, pa e ditur se si mund të jenë të dizenjuara. Kompleks i momentit që me kalimin e kohës mendoj se do të zbehet. Vishem me ato veshje që më rrinë bukur pa e ekzagjeruar në çmime.
Luana: Puna e veshjeve është diçka më praktike te unë. Nëse ndihem komode me një veshje, e marr pa e vënë re është ose jo firmë.
Marina, je e para që u shfaqe në publik, e pas teje Luana. A mund të themi se kemi të bëjmë me një rast tipik kur fëmija më i madh i hap derën të voglit?
Jemi në rastin kur fëmija i aftë i hap rrugë vetes.
Luana ti sa e ke ndjerë peshën e motrave më të mëdha, shembullin e të cilave duhej të ndiqje?
Jam e lumtur që jam më e vogla edhe pse për ne të vegjlit ka një shprehje jo shumë të këndshme. Vërtet jam e lumtur, sepse kam pasur përpara një shembull perfekt për të ndjekur.
Me cilën nga motrat shkoni më mirë?
Marina: Me të trija pa përjashtim, secila ka virtyte të çmuara.
Luana: Unë e preka pak më lart që ne jemi të katërta të pandashme, mirëpo besoj që të trija ne që jemi këtu jemi më të lidhura me motrën e madhe, duke qenë se jeton jashtë edhe na mungon më tepër.
Dimë që edhe mbesën e keni tashmë adoleshente. Po me të ç’relatë keni krijuar?
Marina: Mbesën e madhe e quajmë motra vogël. Kemi edhe dy mbesa më të vogla që janë binjake dhe i kemi ndarë, njëra është e Luanës e tjetra e imja. I duam pamasë!
Luana: Mbesat, sepse janë tre, pa diskutim janë pjesë e pandashme e jetës sonë.
Cilat janë gjërat që pëlqeni dhe nuk pëlqeni tek njëra-tjetra?
Marina: Luana është këmbëngulëse, i bën ballë çdo situate. Nuk më pëlqen impulsiviteti i saj.
Luana: Marinën e adhuroj për karakterin që ka, mirëpo kur dua të tërbohem nuk më mbështet. Kjo s’më pëlqen!
Sekretet më të mëdha individuale, kujt ia besoni?
Marina: Mbase tingëllon e çuditshme për ju, por vetë mënyra jonë e jetesës si një familje shumë e lidhur ka bërë që ne të ndajmë çdo gjë bashkë, rrezikun, gëzimin, kënaqësitë, gjithçka…Ndaj edhe sekretet gjithnjë ia shprehim njëra-tjetrës.
Luana: Pa diskutim njëra-tjetrës!

Sa ndikoheni nga dëshirat dhe tekat e njëra-tjetrës? Psh, kush vendos për kohën e lirë, për pushimet, apo këto s’është e rëndësishme t’i kaloni bashkë?
Marina: Apapa! Kjo është një pikë e dobët e familjes sonë. Duke qenë se ndryshojmë si tipa, edhe kënaqësitë i gjejmë në horizonte të ndryshme. I shfrytëzojmë ato ditë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ia plotësojmë njëra-tjetrës dëshirën duke kaluar pak ditë në një vend e pastaj tek një tjetër derisa themi u ngopëm. Në verë p.sh mblidhemi 8 femra, mami, tre motrat, tre mbesat dhe bëjmë një tur nëpër Shqipëri edhe më gjerë, derisa rraskapitemi.
Luana: Me pak fjalë, unë vendos, Marina prish planet.
Marina duket e qetë dhe disi e përmbajtur në skenë, ndërsa Luana tenton drejt ‘rebeles’ skenike në prezantim pa kaluar në kufijtë e ekstravagantes. Përpiqeni të merrni sadopak nga njëra-tjetra në këtë këndvështrim?
Marina: Kemi tipin, karakterin dhe stilin tonë. Ne plotësojmë njëra-tjetrën. Bashkëpunimi dhe harmonia jonë ka dhënë frytet e veta në punë, duke marrë në zotërim disa emisione.
Luana: Të përmenda më lart që jemi të ndryshme në karakter, dhe pikërisht për këtë e kisha fjalën. Ne e plotësojmë në mënyrë perfekte njëra-tjetrën kështu siç jemi.
Cili ishte reagimi juaj kur ju thanë se do të prezantonit bashkë “Top Festin”, vjet edhe këtë vit? Siguri apo një lloj konkurrence e fshehtë (qoftë edhe mes motrash)?
Marina: Ata që nuk kanë rastisur ndonjëherë të punojnë me një motër, ose një vëlla mund ta bëjnë mbase një pyetje të tillë. Kolegia më e mirë që një person mund të ketë është motra. Gjithmonë biem dakord, konkurrenca është zero, gjithmonë jemi krah për njëra-tjetrën. Fakti që na u besua për të dytin vit radhazi “Top-Fest-i”, na ka dhënë më shumë siguri e më shumë përgjegjësi mbi shpatulla.
Luana: Me një fjalë “Lumturi” që ishim bashkë!
Jeni prezantuese në “Top Fest”, ndërkohë që jeni të angazhuara edhe me të tjera projekte. Si është të kesh kaq shumë gjëra për të bërë (mbaj mend vjet keni qenë njëkohësisht në tri programe).
Marina: ‘Procesi sportiv’, ‘Top Fest’, ‘Select’, shkollë…Për shumëkënd tingëllon si e papërballueshme, por vitet e eksperiencës na kanë kalitur e është bërë një pjesë rutinë e jetës sonë.
Luana: Është përgjegjësi e madhe, sepse i tillë është vetë televizioni, do shumë punë, ka shumë lodhje por të sjell edhe kënaqësi të madhe!
“Top Fest” si po shkon? Sa komode ndiheni në prezantimin e këtij programi? Motin dhe sportin s’do ta lini ndonjëherë?
Marina: “Top Fest-i” mrekulli! Jemi në fazën e parë, ç’ka nënkupton që duhen edhe katër javë drejt mbarimit të kësaj faze, për të nisur pastaj vrullshëm gjysmëfinalen. “Top Fest” në këtë fazë është sportiv, argëtues dhe ka kaluar sa hap e mbyll sytë. Është një atmosferë mjaft e ngrohtë dhe komode që krijohet prej stafit dhe strukturës. “Procesi Sportiv” më afirmoi katër vite më parë si prezantuese dhe i jam mirënjohëse si program ndaj e quaj një pjesë të pandashme timen.
Luana: “Top Fest” shkon top! Është format që na përshtatet, unë personalisht ndihem shumë komode në prezantimin e tij. Jam krejtësisht vetja në këtë program, sepse jam shumë e lidhur me muzikën dhe ato minuta çdo ditë, derisa jemi në transmetim i shijoj në maksimum. Ndërsa moti është diçka tjetër, më vendos më tepër në kontakt me publikun edhe kjo më bën mos ta lë asnjëherë.
Thonë se bota e televizionit është shumë e ashpër dhe ka shumë bërryla. Ju sa e ndjeni ashpërsinë?
Marina: Është e ashpër, televizioni të krijon e të ngre shumë lart, ose të shkatërron. Po të ecësh në rrugën tënde duke mos justifikuar suksesin tënd me mossuksesin e të tjerëve atëherë do të jesh e çliruar nga kompleksi i inferioritetit dhe paaftësisë.
Luana: Kjo është e vërtetë, nuk mund të jesh pjesë e kësaj bote pa e ndjerë edhe ashpërsinë e tepërt që të rrethon. Ne mundohemi të ecim në rrugën tonë.
Sa e vështirë është të jesh pjesë e “Top Channel”?
Marina & Luana: Më mirë do të ishte, sa bukur është të jesh pjesë e “Top Channel”.
Marrëdhëniet me kolegët si i keni?
Korrekte, formale, të respektueshme.
/Bluetooth/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here