Askush nuk e kishte nuhatur një vajzë, e cila kishte konkurruar në një konkurs bukurie në TV 21 të organizuar nga Fadil Berisha.

Ajo ishte Marigona Dragusha. E gjatë, simpatike dhe sharmante, Gona as vetë nuk kishte besuar që ky vit do t’i sillte kaq shumë suksese.

Pas kësaj ajo nënshkroi një kontratë me njërin nga agjensionet më të suksesshme të modës, “Donald Trump Models”.

Pavarësisht kësaj, ajo vazhdon të jetë modeste, “single” dhe afër familjes së saj. Në këtë fundvit atë e gjen me prindërit e saj në Prishtinë.

Rozë: Mund të thuhet se ky ka qenë viti juaj. Keni qenë përcjellësja e dytë missit në spektaklin e bukurisë Miss Universe 2009. Na përshkruani emocionet atje?
Gona:
Po vërtet mund të konsideroj që ky ka qenë viti i sukseseve më të mëdha për mua. Ndihem shumë e lumtur që kam arritur ta prezantoj Kosovën në një eveniment të tillë dhe të shpërblehem me këtë çmim. Ishte përgjegjësi e madhe, por gjithsesi jam nisur të bëj më të mirën time. Me emocione shumë të mëdha besoj që ia arrita ta përfundoj misionin tim ashtu siç duhet.

Rozë: Kur jeni zgjedhur “Miss Kosova Universe 2009”, a e keni menduar se do të keni sukses edhe në arenën ndërkombëtare?
Gona:
Sigurisht që jam munduar të përgatitem sa më shumë që të kem një paraqitje sa më të mirë në Miss Universe. Por, nuk e kam pritur një çmim të tillë.

Rozë: Keni nënshkruar edhe një kontratë me Donald Trump. Si do t’ju shohim në të ardhmen, si modele apo çfarë?
Gona:
Po, tani jam pjesë e agjencisë se modeleve “Trump models”, ku do të punoj. Sigurisht si modele për një kohë.

Rozë: A do e pritni ndërrimin e motmoteve në Prishtinë?
Gona:
Po, për Vitin e Ri do të jem në Kosovë. Do të festojë me familjen time. Pastaj do të jem në udhëtim.

Rozë: Cili është urimi i juaj për Kosovën në Vitin 2010?
Gona:
Uroj që së pari të gjithë të kenë shëndet. Shpresoj që viti i ardhshëm të sjellë suksese më të mëdha për Kosovën.

Loboj edhe për Kosovën

Marigona Dragusha gjatë kohës sa ishte në Bahame shfrytëzoi arritjen e saj për të lobuar edhe për shtetin e Kosovës. Ajo, pas një takimi që kishte pasur me kryeministrin e këtij vendi, i kishte kërkuar njohjen e Kosovës. “Po. I kërkova njohjen e Kosovës dhe ai e priti mirë këtë lobim timin”, kishte thënë Dragusha më të ardhur në Prishtinë. Për këtë lobim kishte folur edhe Fadil Berisha, ndërkaq Gona nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të jetë një politikane.

Fakte për Gonën

Marigona (Gona) Dragusha në fillim të vitit 2009 kishte fituar titullin e “Miss Kosova Universe 2009”, që organizohet nga fotografi i njohur shqiptar në SHBA Fadil Berisha. Pas kësaj ajo kishte marrë pjesë në Miss Universe 2009, duke u bërë përcjellësja e dytë e missit, e renditur pas fitueses Stefania Fernandez nga Venezuela dhe Ada de la Cruz, përcjellësja e parë nga Republika Dominikane. Përpos gjuhës shqipe, Gona flet edhe spanjishten, të cilën gjuhë, siç thotë ajo, e ka mësuar nga telenovelat spanjolle që transmetohen nëpër telenovelat shqiptare./express/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here