Supertalenti kosovar, Ardian Bujupi, ka arritur që pa ndonjë problem të madh të futet në Top 5 më të mirët e spektaklit për talentë të këndimit në Gjermani, “Deutschland Sucht Den Superstar”.

Gjatë të shtunës mbrëma në spektaklin i cili në shqip do të quhej “Gjermania Kërkon Superyllin”, kandidatët është dashur të këndojnë dy këngë. Ardian Bujupi zgjodhi të performonte hitin “Glow” të Madcon, për të cilin mori vlerësime nga më të mirat.

“Ti je duke u ngritur gjithnjë e më shumë, je duke vallëzuar për mrekulli”, theksoi një prej anëtarëve të jurisë, Patrick Nuo, edhe ky me prejardhje shqiptare.

“Sonte diçka eksplodoi. Paraqitja e juaj ishte fantastike”, u shpreh anëtari kryesor i jurisë, legjenda e muzikës gjermane, Dieter Bohlen.

Këngën tjetër të cilën Ardiani e këndoi gjatë spektaklit të së shtunës ishte “I Need A Dollar” e Aloe Blacc, këngë për të cilën përsëri mori vlerësime pozitive, sidomos nga Patrick Nuo i cili e përshkroi si befasinë e mbrëmjes.

Me Ardian Bujupin që vazhdon tutje, garën së bashku me të do ta vazhojnë edhe Pietro Lombardi, Sarah Engels, Marco Angelini dhe Sebastian Wurth, ndërsa është eliminuar nga gara konkurrentja Zazou. /telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here