“Maçoku me çizme” i teatrit “Babec” nga Manastiri i Maqedonisë do të hapë të mërkurën (sonte) edicionin e dytë të Festivalit të Teatrove të Kukullave.

Për tri ditë teatri i qytetit të Prishtinës “Dodona” do të ketë repertor të ngjeshur për shikuesit e vegjël.

“Kjo është një ngjarje e veçantë për Kosovën”, ka thënë Agron Shala, drejtor i “Dodonës” në një konferencë për media një ditë para hapjes së festivalit. “Është e veçantë, sepse është festivali i vetëm për fëmijë”, ka shtuar ai. Këtë ia kanë miratuar edhe kolegët dhe bashkorganizatorët e festivalit.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, ka thënë se mbështetja e Komunës për këtë festival është 100 për qind.

“Vetë fakti që Komuna është themeluese, mbështetja është 100 për qind. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe financimi i vitit bëhet nga Komuna, kështu që ne jemi së bashku në këtë rrugëtim”, është shprehur ajo. Sipas Dumoshit, ata janë mjaft të përgatitur për t’i pritur mysafirët që do të vijnë me shfaqje të ndryshme. “Urojmë që të vijnë sa më shumë fëmijë që t’i shikojnë këto pjesë që do të jenë sigurisht të mira dhe të dashura për ta”, ka thënë Dumoshi.

Aktorja veterane Melihate Qena ka shëtitur nëpër programin e edicionit të sivjetmë. Përveç nikoqirit, Teatri Kombëtar i Fëmijëve nga Tirana, teatri i kukullave “A.Z. Çajupi” nga Korça, Teatri i Dramës dhe i Kukullave nga Vraca e Bullgarisë, do të japin shfaqje në kuadër të festivalit. Edhe trupa nga Zagrebi pritet të jetë aty, përderisa mysafirët specialë do të vijnë nga Pogradeci dhe Elbasani.

Temat e shfaqjeve kryesisht janë përralla popullore. “Mendoj se përralla popullore të ngërthen në vete, sepse nuk është diçka të cilën e shkruan shkrimtari, por është përvoja e jetës”, është shprehur ajo. Sipas Qenës, për shkak të kohës së shkurtër, gjatë këtij festivali nuk do të ketë ndonjë aktivitet tjetër. “Kemi menduar që të kemi një shëtitje, por është dashur të zgjedhim mes shëtitjeve dhe shfaqjeve. E duke e pasur parasysh se do të ketë nga dy shfaqje në ditë dhe se skena duhet të ndërrohet, nuk kemi kohë për ndonjë gjë tjetër”, ka shtuar ajo.

Qena ka përmendur edhe premtimin e kryetarit të Prishtinës për ndërtimin e një teatri të ri, pasi që në këtë rast salla është e vogël, ndërsa shikues ka shumë.

Edicioni i dytë i Festivalit të Teatrove të Kukullave që mbahet nën patronazhin e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, do të zgjasë tri ditë. Shfaqjet që do të marrin pjesë përveç asaj që do të hapë këtë edicion, janë edhe “Peshkatari dhe peshku”, “Shtriga e vogël”, “Gjyshi dhe rrepa”, “3 Gjigantët kryeneçë”, “Ina Patatina” dhe shfaqja përmbyllëse “Sirena e vogël”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here