Lumnije Thaçi, bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës Z.Hashim Thaçi, vjen në një rrëfim të veçantë për jetën e saj si bashkëshorte e kryeministrit të shtetit të dytë shqiptar.

Zonja Lumnije tregon se si i mban mend ajo aktoret e mëdha shqiptare në Kosovën “tjetër” atë të para pavarësisë, si qe vizita e saj e parë në Tiranë në vitin 1993, cila është jeta që bën sot mes kujdesit për djalin dhe punës në mësimdhënie apo takimet me diplomatet femra për të promovuar Kosovën…

Zonjën Thaçi e takuam pak ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Është e hijshme, por edhe e sjellshme e paçka pozicionin të të shoqit është mbi të gjitha e thjeshtë. Kur i kërkuam të na fliste për jetën e saj ajo pranoi, por na tha se fillimisht i duhej të takonte të pranishmit në aktivitet. Ajo pat ardhur në Tiranë me ftesë të zonjës Liri Berisha në datën 6 mars. Atë ditë, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar kishte vendosur që të nderonte aktoret më të njohura shqiptare me rastin e 8 marsit dhe në aktivitet pati ftuar edhe Lumnije Thaçin. Kjo e fundit pasi përshëndeti idhujt e artit shqip, e mbasi takoi edhe gratë diplomate të pranishme pranoi të bisedonte për veten. Duket e lumtur për praninë në kryeqytetin shqiptar dhe rrëfimin e bën buzagaz. Ëndrra e saj e hershme mban emrin Shqipëri, një ëndërr që pat lindur në kohë të turbullta mes krismave të një lufte që s’po mbaronte. Atëkohë televizioni shqip kishte një tjetër dimension sepse përcillte ëndrrën…
Jeni në Tiranë për festën e gruas, si ndiheni?
Ndihem shumë shumë mirë dhe madje nuk mund ta përshkruaj mënyrën se si ndjehem sa herë që vij këtu apo kënaqësinë e qetësinë shpirtërore që kam kur jam në Tiranë.
Kur keni ardhur për herë të parë në Tiranë?
Për herë të parë kam ardhur në vitin 1993 si studente. Asokohe erdhëm për të vizituar Universitetin Bujqësor të Tiranës. Jam ndjerë shumë e lumtur dhe gjithnjë e kam ëndërruar këtë çast të ardhjes në Tiranë lirshëm, e kam ëndërruar gjithnjë Shqipërinë dhe jam e lumtur që jam këtu.
Si ka ardhur ftesa për të marrë pjesë në nderimin e aktoreve më të mira shqiptare?
Ftesa më ka ardhur nga zonja Berisha e unë ndjehem e nderuar që jam ftuar sepse është nder për mua të jem në një aktivitet të tillë ku nderohen artistet më të mëdha shqiptare.

Të cilat ju i keni ndjekur në vegjëli e në rini…?!
Patjetër, i kam ndjekur shumë. Mund të them se jam rritur me Televizionin Shqiptar me shumë interes. Unë, aktoret shqiptare i ndjek ende sot me shumë kënaqësi dhe interes.
Sot i keni përballë, e jeni këtu për t’i nderuar, po në një kohë tjetër kur ju i shihnit nga ekrani, cilat donit më shumë?
Ne jemi rritur në një ambient ku e kishim të vështirë të dëgjonim shumë shqip, e ku televizionet tona mezi vepronin. Në këto kushte ne ishim shumë të etur për televizionet shqiptare ku flitej shqip dhe e them me bindje shumë të plotë se në një situatë të tillë ne edhe emisionet për fëmijë i ndiqnim me shumë kujdes. Kjo do të thotë që kur vinte puna për aktoret shqiptare, vëmendja jonë ka qenë gjithnjë maksimale. I kam dashur shumë ato, interpretimin e tyre nëpër filma dhe rolet e ndryshme.
Po ato që keni pasur më shumë përzemër?
Mund të përmend tani dy prej tyre, Tinka Kurtin dhe Margarita Xhepën pa dashur të anashkaloj të tjerat. Unë i dua të gjitha dhe iu uroj të gjithave jetë të gjatë dhe sa më shumë role të bukura.
Këtë herë jeni në Tiranë për femrat, ndërsa herë të tjera keni qenë duke shoqëruar kryeministrin e Kosovës, z.Thaçi…
Po kam ardhur edhe për të shoqëruar bashkëshortin, por edhe sot ndihem shumë mirë.

Sa ka ndryshuar jeta juaj tani si bashkëshorte e kryeministrit me jetën në fillesat e marrëdhënies suaj me z.Thaçi?
Ka ndryshim, por jo edhe aq të madh sepse Hashimi ka qenë gjithnjë i angazhuar me aktivitete. Nga ana tjetër unë jam përpjekur të adaptohem me ambientin e tij dhe këtë do vazhdoj të bëj edhe në të ardhmen, domethënë përshtatem me punën dhe angazhimet e tija, përgjegjësi ka shumë, por ia dal.
Jeta juaj ndahet mes mësimdhënies dhe angazhimeve?
Po jam lektore dhe pjesën tjetër të kohës mes angazhimeve dhe familjes. Unë që prej vitit 1995 kur kam përfunduar studimet e mia të larta në Fakultetin e Bujqësisë, kam pasur mundësinë të jem pjesë e institucioneve arsimore dhe kam dhënë mësim.
Ju pamë që takuat disa gra diplomate…
Po, edhe pse jam në Shqipëri përpiqem të kryej detyrën që më takon në të tilla raste.
Merrni pjesë shpesh në aktivitete për femrat?
Po, jam pjesë e tyre shpesh. Për disa kohë jam marrë edhe me aktivitetet që kanë pasur të bëjnë me çështjen e shtetit të Kosovës dhe më pas jam tërhequr për shkak se më është dashur të kujdesem më shumë për familjen time. Tani po përpiqem dhe po punoj për të themeluar një shoqatë për fëmijët në nevojë.
Pse për fëmijët?
Që të jap edhe unë kontributin tim personal për ta.
Kush merret më shumë me djalin tuaj? Kush po e edukon?
Duke qenë se Hashimi është shumë i zënë me angazhimet për shkak të detyrës, angazhime që janë të lidhura me politikën, në fakt kujdesem për edukimin e tij vetë në masën 100%.
Atëherë, ai do të ndjekë rrugën tuaj në jetë apo atë të të atit?
Atë do të jetë vete ai që do të vendosë, por tani për tani është ende i vogël. Kur të rritet do të jetë vetë ai që do të gjejë rrugën e jetës së vet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here