Aktore kinemaje, teatri, dubluese, për disa vjet zë zyrtar i një televizioni, sot jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, nga një casting në tjetrin, ku shpesh i thuhet “ndihet theksi i huaj”.

Si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Edhe pse me punët e deritanishme në Itali nuk është shumë e kënaqur, këmbëngul e bën durim, cilësi që ia ka mësuar emigracioni.

Dhe nuk heq dorë nga pjesëmarrja në projekte të ndryshme në Tiranë, filma e teatër. Emri i Luli Bitrit është përmendur shpesh këtë vit. Ajo është lavdëruar si aktore në rolin e Elsës në filmin Amnistia të regjisorit Bujar Alimanit, i cili ka fituar disa çmime deri tani. Bashkë me filmin është vlerësuar edhe ajo: në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Vernon (Francë), mori çmimin “Aktorja më e mirë”.

Luli si i keni hyrë aktrimit?
Të them të vërtetën, krejt rastësisht. Kisha përfunduar një vit studime për mjekësi dhe ndieja se nuk ishte ajo që dëshiroja të bëja. Mu desh një nxitje e një mikeshës sime dhe nisa një aventurë të re pa qenë e sigurt nëse do të isha e aftë. Fitova konkursin dhe u bëra pjesë e një tjetër realiteti. Në fillim mesa duket ishte kuriozitet, por ditë pas dite u kthye në një dashuri të madhe. Kjo dashuri për teatrin, kinemanë ose për artin në tërësi është një dashuri e zjarrtë por jo nga ato pasione që të bëjnë të humbasësh mendjen. Është dashuri nga ato që të rrit së brendshmi e të vë në paqe me veten. Kjo punë s’ka lidhje me asnjë punë të kryer mekanikisht. Aktori është çdo ditë në krijim, çdo ditë në vëzhgim.

Cilat personazhe nga ato që keni luajtur keni më për zemër?
Ndër personazhet që mbeten në zemër janë ata më të vështirët dhe sigurisht ata për të cilët të lavdërojnë se ke bërë punë të mirë. Nuk më pëlqen t’i ndaj sepse edhe ata role më pak të suksesshëm me siguri më kanë ndihmuar në rolet pasardhës. Gjithsesi si role sfidues do të përmendja Alisin tek shfaqja teatrale “Pak më afër”, vejushën Nejme tek “Gjoleka i biri i Abazit”, Kloen te “Më e vërtetë se e vërteta”, Elsën te “Amnistia”.

Ç’ju shtyu të emigronit në vitin 2006?
Në atë periudhë, Shqipëria më rrinte ngushtë mesa duket. Ëndërroja se do të bëja gjëra të mëdha nëse do të bëja një hap jashtë Shqipërisë, se ndoshta mundësitë do ishin më të mëdha. Ishte iluzioni i një bote më të mirë, i asaj bote që na ishte ndaluar e që na joshte pa e njohur. Por nga ana tjetër, ikja më ka bërë të shoh më qartë disa gjëra në Shqipëri, duke qenë se ndonjëherë nga larg duken më mirë. Këtu jam përballuar me vështirësi, me një konkurrencë të mirëfilltë por megjithatë vazhdoj të këmbëngul e ta dua pasion e përhershëm aktrimin. Në këtë aspekt do të thosha që ikja më ka bërë më të fortë.

E jeta si emigrante si është?
Një jetë e qetë, me përgjegjësi familjare dhe sigurisht me ambicie profesionale. Vështirësia më e madhe ishte të njihesha dhe të përshtatesha me realitetin e ri, të kuptoja se si funksiononin gjërat. Tani që e njoh, vështirësia ia lë vendin durimit dhe këmbënguljes. Jeta ime këtu është një jetë mëse normale, e ndarë mes detyrash dhe dëshirash, përgjegjësish dhe arratisjesh. Jetoj në një realitet të dyfishtë mes Torinos-Romës dhe Tiranës dhe përpiqem të marr më të mirat e mundshme nga të gjitha. Në Itali kam familjen time dhe një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj asaj.

Ç’marrëdhënie keni me prindërit, vëllezërit? Vështirësitë në mërgim kanë forcuar edhe më shumë lidhjen tuaj?
Jam shumë e lidhur me familjen. Me babin dhe mamin, të cilët i kam si shokë tashmë dhe me dy vëllezërit e mi, Eduartin dhe Ledjon. Ata janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Pa ta, ndihem përgjysmë. Çdo arritje, çdo sukses, pa ata nuk është i plotë. Mbaj mend kur isha e vogël, kur dëgjoja se prindërit do plakeshin një ditë, rrija pa gjumë duke menduar si të gjeja një zgjidhje që ata të mbeteshin gjithmonë të rinj. Edhe sot në këtë moshë që jam, shpesh më mundon i njëjti mendim.

Keni ndryshuar këto vite në Itali?
Kam mësuar të dua veten dhe të jem përgjegjëse për dëshirat e mia. Ka një kohë për të punuar, për të projektuar, por ka edhe një kohë për të shijuar ç’ke bërë. Ndonjëherë ambicia e madhe të bën të mos shijosh asgjë, të kthen në një qenie që zihet edhe me veten. Ne shqiptarët, ndonjëherë, duam gjithçka dhe menjëherë. Unë përpiqem të eci ngadalë, të mos harroj nga vij dhe se për çfarë vlejnë ato që bëj. Por nuk pushoj as së qeni ambicioze.

Keni hapur një atelie me mamanë, pasion i vjetër?
Traditë familjare dhe pasion i vjetër! Hyja fshehur të qepja në makinën e mamit që kur isha 11-12 vjeçe. Pak nga pak u kthye në një pasion, tani është një profesion i dytë. Kemi hapur diçka modeste ku mami punon dhe unë kaloj kohën kur nuk bëj aktrim. Ka të bëjë me krijimin dhe është diçka shumë çlodhëse, përveçse një vend pune.

E për t’iu kthyer profesionit, çfarë vështirësish ka një aktor i huaj në Itali?
Në fillimet e mia këtu në Itali u përballa për herë të parë me casting të mirëfilltë, duke pritur në radhë të gjata për t’u provuar për të njëjtin rol dhe kjo ishte deprimuese derisa pak nga pak e kapërceva. Kam bërë disa role të vogla në filma televizivë që nuk ia vlen as t’i përmend. Kam qenë pjesë e një dokumentari televiziv, xhiruar në Torino “Kinemaja e parë”. Konkurrenca këtu është e shumëfishtë krahasuar me atë në Shqipëri dhe një realitet i mbyllur që nuk pranon këdo. Fakti që jam e huaj është edhe ky një “mangësi” më vete, të kufizon.

E ndërsa jetoni në Itali ruani lidhjet edhe me Shqipërinë?
Lidhjet me Shqipërinë nuk i kam shkëputur kurrë por pas disa vitesh jete në Itali, kur kthehesha të dubloja në Shqipëri më thonin se ndihej theksi italian. E bukura është se edhe nëpër casting në Itali më thonin se ndihej theksi i huaj. Ndihesha gjithandej e huaj. Vendosa të punoja që të paktën të mos isha e huaj në vendin tim. Tre vjet me parë mora pjesë në filmin “Gjallë” të Artan Minarollit, në rolin e vajzës së pishinës. Një vit më parë kisha përkthyer një pjesë teatrale dhe gjatë një bisede me një ish profesoreshën time vendosëm ta vinim në skenë. Bëhet fjalë për shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta” në rolin e Kloes. Rol me të cilin jam caktuar për aktoren e vitit në çmimet “Kult” në Shqipëri për këtë vit. Më kënaq shumë ky rezultat sepse ishte një rol me të cilin u riktheva në teatër./Gazeta Shqiptare/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here