Nëse kampanja “Kosovo – The Young Europeans” përpiqet ta paraqesë imazhin e Kosovës Europiane, me një spot 60 sekondash, në mediat më të rëndësishme të Botës, një njeri i vetëm e bën këtë çdo javë, me nga 90 minuta, në një fushë ku ndalojnë sytë nga mbarë Globi.

Për të parën, është kujdesur Shteti.Për të dytën, Lorik Cana, fillikat vetë.

Të gjithë ndjehen mirë kur ai hyn në derë, kur e lë zemrën në fushë dhe nxjerr djersën në ballë, kur buzëqesh dhe kur bërtet. Të gjithë janë të lumtur që ai është Kapiteni.

Rojet, bashkëlojtarët, trajnerët, tifozët, Presidenti i Klubit. Flasin për të në mbledhje, në punë, nëpër kafene, kudo. Mediat, po ashtu, e vëzhgojnë me interesim.

Asnjë kosovar tjetër nuk ka gëzuar reputacion të tillë në Europë.
Asnjë kosovar tjetër nuk ka shënuar këtë vit më shumë se Lorik Cana, të cilin, Gazeta Express e konsideron Njeriun e Vitit 2009.

Ky ishte viti kur ai rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve në futbollin anglez. Sot, ai është një idhull i tifozëve të Sunderland’it, në ligën më prestigjioze në botën e futbollit, e po ashtu edhe kosovari më i njohur.

Rrëfimi për Lorik Canën nuk është vetëm një tregim me lule dhe sukses.

I lindur në Prishtinë, në vitin 1983, ai u detyrua largohej nga vendlindja duke qenë vetëm 9 vjeçar, pasi luftërat po e gllabëronin Ballkanin Perëndimor. Familja Cana, nga Gjakova, u largua në drejtim të Zvicrës. Ai ishte një refugjat politik që kishte vetëm një copë letër, e cila i mundësonte atij qëndrimin për gjashtë muaj në shtetin helvetik. Fatmirësisht, nuk ka humbur shumë nga familja e tij gjatë luftës. Por, miqtë dhe ish fqinjët po. Kjo ka bërë që ai mos ta ketë të lehtë të luajë futboll, duke pasur mendjen tek lufta.

Në vitin 2000, ai sërish ndërroi shtetin. Kaloi në Francë. Atje iu bashkua ekipit Paris St. Germain. Në vitin 2005, u transferua në klubin rival Marseille, ku lidhi në krah shiritin e kapitenit, dy vjet më vonë.
Ka zhvilluar më shumë se 200 ndeshje në elitën e futbollit francez, por lidhjet e tij me vendlindjen asnjëherë nuk janë dobësuar.

Në Kosovë, ai është zgjedhur Ambasador i Vullnetit të mirë të UNDP’së, në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Dy legjendat e futbollit Ronaldo dhe Zinedine Zidane, janë gjithashtu ambasadorë të këtij projekti. Së fundi, në nëntor të 2009, Cana ndihmoi 500 familje të varfra në Gjakovë me pako humanitare.

Ai thotë se energjinë e merr nga ajo çfarë i ka ndodhur shqiptarëve në Kosovë.

“Gjatë gjithë kohës dua ta jap më të mirën nga vetja, që familja dhe populli im të jenë krenarë”.
Kjo fjali e tij zbërthen gjithçka.

Ky angazhim dhe lidershipi natyral në fushë, kanë bërë që Lorik Cana t’i fitojë rrëmbyeshëm zemrat e tifozëve, kudo që është shfaqur. Shumë shpejt, nga një futbollist që shquhej me ndërhyrjet e ashpra, madje duke e marrë nofkën “Shkatërruesi”, arriti ta përmirësojë lojën, duke u bërë njëri nga më mirët në Ligue 1. U transformua në një lojtar modern. Për 9 vjet me radhë mbrojti ngjyrat e dy klubeve më të mëdha dhe më me traditë në Francë.
Por, kishte nevojë për diçka të re.

Premierliga edhe për Lorik Canën ishte më e mira në Botë. Zbarkoi në Angli. Në Sunderland prapë u bë hero. Dominoi në sondazhet për lojtarin më të mirë të ekipit, në pothuajse të gjitha ndeshjet. Tifozët e votuan 11 herë si futbollistin më të mirë të ekipit, nga 16 paraqitjet e tij, në 2009.

Nuk e ka harruar asnjëherë vendin e vet. Konsideron se lojën me fanellën kuqezi e ka për detyrë, pasi është e rëndësishme të japë një imazh të mirë të shqiptarëve.

“Futbolli ndihmon që njerëzit t’i ndërrojnë mendimet. Nëse shqiptarët janë në gjendje të jenë të suksesshëm në futboll, njerëzit fillojnë të mendojnë për ta me një sy më pozitiv”.

Kjo fjali është bindja e Lorik Canës. Dhe, është e vërtetë. Ai ka ndryshuar imazhin e Kosovës me lojën e tij. Më mirë se ambasadorët dhe më bukur se reklamat, ai e dërgon mesazhin e kosovarit europian. Bota e Kosovës është më e mirë dhe më e njohur me emrin e tij./aexpress/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here