Lorik Cana: Nuk kam histori dashurie në Angli, Xhema mikja ime dhe e familjesPunë, punë dhe vetëm punë… Kështu e mbyll këtë intervistë Lorik Cana, që është edhe një mesazh për këdo…

Takimin me futbollistin e madh të Kombëtares shqiptare e kishim lënë pas darkës, në ambientet e Hotel Tirana International, ku Kombëtarja ishte vendosur për t’u përgatitur për ndeshjen e mbrëmshme me Malin e Zi. Ndërsa isha ulur te kafja e hotelit, në tavolinat përreth mjaft fansa prisnin daljen e yllit të Kombëtares. Mes tyre edhe një djalë adoleshent, i cili qysh fëmijë në Francë ndiqte me fanatizëm gjithë pjesëmarrjet e Canës… Sigurisht, Loriku është futbollisti më i suksesshëm shqiptar në botë. Krenari të cilën e gëzon çdokush. Përpos kësaj, patriotizmi i tij i vërtetë e ka bërë atë të adhuruar nga kushdo.

Në rrugëtimin e tij nga një skuadër botërore në tjetrën ka emocione, ngjarje, suksese, të cilat Loriku i rrëfen në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Mapo”. Skuadra e Lacio-s është sfida e radhës, të cilën Loriku e pret me mjaft ambicie. Jeta në Itali tregon gjithashtu se e josh… Ndërkaq Loriku shpreh edhe indinjatën e tij për një “histori rozë”, e dalë në faqet e shtypit shqiptar pak ditë më parë…

Lorik, së fundmi në mediat shqiptare është raportuar lidhja juaj me një angleze? Cila është e vërteta e kësaj historie?

Unë, së pakti, e jo vetëm unë por të gjithë, janë pak të çuditur, pasi ky lajm nëse mund ta quajmë lajm, ka mëse një vit që është përfolur. Dhe vetë titulli “zbulohet”… diçka bëhet nuk zbulohet një gjë e vjetër… Madje për gjërat që flitet aty nuk qëndrojnë. Unë nuk e kam problem të flas rreth jetës sime, nëse kam ndonjë gjë për të treguar ose për të thënë për jetën time private, nëse dua ta bëj publike do ta bëj vetë. Dhe që njerëzit duan të dinë për mua, dhe për shumë njerëz që janë personazhe, kjo është krejt normale, është pjesë e jetës sonë dhe nuk e kam problem këtë gjë. Por deri kur nuk denigrohet një person aty, e sidomos kur është një person i afërt… Personi në fakt që përflitet është një person i afërt, një mik i familjes sime, kemi biznese bashkë, kemi shumë gjëra bashkë dhe nuk më pëlqen aspak kur denigrohet. Nuk më pëlqen në përgjithësi kur flitet për gjëra të pavërteta. Unë nuk është se e ndjek vazhdimisht shtypin, por kam njerëz që më tregojnë dhe më vjen keq, pasi nuk është se s’respektohem unë këtë rast, por nuk respektohen njerëz të afërt të mi, dhe këtë nuk e lejoj. Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të duan, nuk është se s’jam dakord, por pa denigrim dhe gjëra të pavërteta. Mandej, sigurisht që gjërat që janë shkruajtur nuk janë absolutisht të vërteta.

Po ke një histori aktualisht?

Unë nuk jam me askënd për momentin. Kam kohë që nuk jam me askënd, ka ndoshta 10 muaj dhe do vazhdoj jetën time shumë qetë dhe mirë.

Kanë ndikuar lëvizjet e fundit profesionale në mungesën e një raporti konkret?

Sigurisht, madje shumë. Nëse je me dikë dhe lëviz, ai person mund të vijë me ty, por nëse nuk je me dikë dhe je në vazhdimësi në lëvizje është e vështirë për të krijuar një relacion. Megjithatë, nuk nxitohem. Gjërat ndonjëherë bëhen natyrale. Nëse do takoj dikë po në mënyrë natyrale do të më pëlqente. Kam dëshirë që të njoh dhe kem një marrëdhënie, pasi vitet po kalojnë, pavarësisht se nuk jam ende i moshuar (qesh), por dihet që vitet shkojnë dhe do mundohem të jem me dikë. Por pa nxitim, pasi ai është një vendim afatgjatë dhe nuk dua ta marr me ngut.

Pra, do tentoni të keni një marrëdhënie me perspektivë të gjatë…?

Po, ashtu duhet ta mendoj, ta filloj me atë mendim, më tej si do shkojë askush nuk e di. Sigurisht që e mendoj me perspektivën e jetëgjatësisë.

Lorik, përsa i përket karrierës suaj, lëvizja te skuadra e Lazio-s është mirëpritur nga çdo tifoz shqiptar. Ju vetë, si e keni përjetuar?

E vërtetë, transferimit tim unë i kam kushtuar një vëmendje, se çfarë dëshiroja përveç karrierës sime që ka edhe interesat e mia personale, ka njerëz nga shoqëria ime këtu, familja ime, njerëzit e mi jashtë vendit në Kosovë, më kërkonin që të kthehesha në një kampionat më kryesor europian. Sigurisht që unë isha i lumtur me faktin që luaja me Galatasarayn, në Turqi, që është një klub me famë botërore, por pa Kupa Europiane dhe mosmundësia për t’u dhënë ca njerëzve kënaqësinë për të më parë në televizion, shikueshmëria e atij kampionati më ka shtyrë që të ndërroj skuadër dhe të jem pjesë e një kampionati, ku shihem dhe ku njerëzit më shohin. Dihet që për shqiptarët kampionati italian ka qenë pak më i veçantë se të tjerët. Kështu që tani jam në një klub të madh dhe me ambicie të mëdha.

Periudha në të cilën ju luanit për Galatasarayn nuk ishte më e lavdishmja. Ju vetë, si do ta cilësonit?

Për mendimin tim, vendimi për të kaluar nga Premier Liga në Galatasaray ishte për të ndenjur më shumë se një vit në këtë skuadër, pasi për te Galatasaray unë kam firmosur për 4 vjet dhe mendoja me të vërtetë që do ishim të suksesshëm dhe do të luanim në Champions League, gara europiane në një vend të jashtëzakonshëm siç është Stambolli, me një klub fantastik që gjithmonë më ka pëlqyer. Dhe në fakt patëm një sezon shumë të vështirë, me shumë probleme dhe kjo ndikoi shumë në vendimin tim për t’u larguar.

Me çfarë mbresa u ndave nga Turqia?

Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, megjithatë unë kam bërë shumë shoqëri, kam kaluar mjaft mirë me ta, me fansat, që më donin shumë. Është një vend që ka një miqësi me shqiptarët dhe të mirëpresin kur u thua që je shqiptar, dhe mua më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Kam mësuar për një vend që ka jashtëzakonisht shumë pasion futbollin dhe kisha mundësinë më shpesh për të ardhur në vendin tim dhe në Kosovë. Edhe pjesa e futbollit ka qenë e suksesshme, kështu që në aspektin njerëzor dhe të miqësisë kam takuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë.

Përveç kampionatit të famshëm italian, çfarë pëlqen tek Italia?

Sigurisht që së pari gjëja kryesore për të luajtur futboll është një vend shumë i mirë. Dhe për të jetuar është një vend fantastik. Italia së bashku me Francën shquhen në vendet më të mira për të jetuar dhe janë edhe njerëz ku ka një komunitet të madh shqiptar, ka një qytet si Roma, që mua që më pëlqen shumë historia është një qytet antik dhe ka shumë gjëra për të vizituar, kështu që në kohën që do të më lejojë futbolli kam kohë për ta shpenzuar në qytet. Ushqimi është i jashtëzakonshëm. Italia ka mjaft gjëra me vlerë, siç edhe thashë, nga arti e çdo fushë, por për futbollin, që është pikësynimi im, Italia është si Anglia, Spanja, Franca; janë në vendet kryesore që ne mund të kënaqemi që jemi në këto skuadra. Unë po e pres nisjen e këtij sezoni me shumë ambicie dhe dëshirë të madhe.

Lorik, ke luajtur në skuadra të mëdha dhe na ke bërë të ndihemi krenarë. Vetë kë vlerëson si eksperiencën, vendin që të ka bërë të ndihesh më mirë?

Në Francë unë kam jetuar dhe kam filluar të luaj me një ekip siç është Parisi, e mandej mund të them se kulmi ka qenë dhe vendi ku kam jetuar më së miri ka qenë Marseja. Kam kaluar mjaft kohë dhe ai u bë si vendi im dhe akoma kur kthehem ndihem si në vendin tim, njerëzit më mirëpresin shumë, kam arritur edhe në aspektin e futbollit në Champions League dhe sigurisht që ka qenë vendi më i mirë. Në Angli kam kaluar mjaft mirë dhe në aspektin e futbollit është kampionati më atraktiv, dhe nëse është një vend në të cilin dua të kthehem është sigurisht Marseja e Anglia për futbollin. Por shpresoj të kem fatin dhe shëndetin që të luaj edhe disa vite futboll dhe të provoj ndoshta edhe dy-tri eksperienca të tjera.

Si do ta vlerësoni ndeshjen miqësore të sotme (djeshme)? Cila është pritshmëria juaj?

Po ne jemi në rrugën tonë. Është një ndeshje siç është një ndeshje miqësore e rëndësishme për ne, sepse ne jemi një skuadër që kemi një potencial dhe shumë gjëra për të përparuar, për të rregulluar dhe sigurisht ndeshja miqësore është një mundësi e madhe edhe për të provuar lojtarë të tjerë, për të parë formën e lojtarëve dhe për të përgatitur në ndeshjet e ardhshme zyrtare me Francën dhe Luksemburgun. Luajmë në Shkodër dhe unë jam shumë i lumtur për këtë fakt. E di që shkodranët kanë qenë gjithmonë të flaktë ndaj ekipit kombëtar, do ketë edhe pushues që janë në Velipojë, do ketë shumë kosovarë, kështu që besoj do vijnë njerëz për të na mbështetur, kështu që unë do mundohem së pari që të luaj mirë, të jem i përgatitur dhe t’i kënaq njerëzit që do vijnë.

Lorik, në këndvështrimin tuaj, pas kaq vitesh që luani me Kombëtaren, si do ta vlerësonit ecurinë e saj?

Sporti shqiptar po ecën… avash – avash. Për mendimin tim, mund të kishte ecur më shpejt, por ka ecur dhe vetë fakti që nuk jemi më në fazën e 6-të, ku kemi qenë dhe ndodhemi në fazën e 4-t tregon që kemi përparuar. Sigurisht, që njerëzit nga dëshira e madhe pretendojnë më shumë, por është një rrugë e gjatë për mundësitë që kemi, për vendet ku luajnë lojtarët tanë, për shumë lojtarë shqiptarë që nuk luajnë për vendin tonë, e këto janë gjëra që nuk na ndihmojnë, por ne jemi shumë krenarë që luajmë për këtë vend, mundohem që të përparojmë. Kemi shumë për të bërë, por jemi në rrugën e duhur dhe e di që një ditë edhe ne do të arrijmë të kualifikohemi.

Gjatë këtyre ditëve në Shqipëri keni takuar edhe aktoren hollivudiane Eliza Dushku, duke u bërë edhe ju pjesë e dokumentarit që ajo po realizon në Shqipëri. Ç’mund të na thoni rreth këtij takimi?

U bë në minutën e fundit, në fakt. Unë jam shumë mik me Fadil Berishën dhe me aktorin Blerim Destani dhe ata më kontaktuan dhe më propozuan nëse mund të isha pjesë e këtij dokumentari, si njeri i sportit në vendin tonë dhe në skenën ndërkombëtare. Sigurisht që e pranova me gjithë qejf. Është diçka shumë e rëndësishme, pasi janë raste të tilla kur vendi ynë mund të pasqyrohet me vlera të jashtëzakonshme dhe në kanale kombëtare në Amerikë, i ndjekur nga miliona-miliona njerëz. Dhe kur ke njerëz të vendit tonë që kanë arritur në rrugën e tyre, sigurisht që Eliza është e njohur jo vetëm në Amerikë por edhe në Europë, është një mënyrë e mirë për t’i treguar. Unë Elizën e takoja për herë të parë dhe i dhurova një fanellë të ekipit kombëtar, që nuk simbolizon vetëm futbollin, fanella e ekipit kombëtar simbolizon ushqimin e shpirtit tonë dhe kjo është një gjë e veçantë. Asaj i pëlqeu shumë. Biseduam së bashku dhe ishte shumë kënaqësi që dy persona, ose disa persona, siç është Fadili, Blerimi, Inva Mula e mjaft të tjerë, secili në degën e vet që ka arritur në karrierën e tyre personale dhe që përfaqësojnë një vend të tërë, është një gjë e jashtëzakonshme.

Lorik, së fundi, ke pushuar këtë verë të nxehtë?

Këtë verë u kryen pushimet. Ne i kemi në qershor dhe kaq. Kam pasur një pushim të shkurtër, kam ardhur për të takuar familjen në Kosovë, pjesën e familjes që është në Francë dhe kaq. Pjesa tjetër punë, punë dhe vetëm punë!!! (nga Ilda Lumani /  Mapo)

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here