Është kjo këngëtarja e cila sakrifikon mjaftë për këngën. Lendita muaj më parë ka lansuar në treg këngën më të re “E vetmja gjë që dua” në bashkëpunim me këngëtarin Besart Halimin.

Edhe pse jeton në Slloveni, dëshirë e Lindës është që karrierën muzikore ta ndërtojë në Kosovë për shkak të adhuruesve që ka këtu. Angazhimi i saj për punë ka bërë që mos të gjejë kohë as për dashurinë. Ajo do të zbulojë më shumë rreth punës dhe jetës së saj në intervistën dhënë “Zëri-t”.

Çfarë ju shtyri të merreni me këngë?

Mua qysh në fëmijëri më ka pëlqyer muzika dhe pastaj vendosa që të merrem më shumë me të. Në fakt kur e pash që adhuruesit e mi më kanë pritur shumë mirë, atëherë vazhdova edhe më tutje me këngën dhe tani e disa vjet jam duke u marrë intensivisht me të.

Cila është kënga juaj e parë para publikut?

Kënga ime e parë ka qenë disa vite më parë dhe është quajtur “Bëhu fer”, ku dhe me këtë këngë unë jam pritur shumë mirë para publikut.

Çfarë zhanri të këngës kultivoni?

Kultivoj zhanrin e këngës zbavitëse, më pëlqejnë shumë edhe baladat, të them të drejtën mund të eksperimentoj edhe në disa rryma muzikore, mirëpo veten e kam gjetur në argëtuese.

Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në këngë?

Deri më tani kam bashkëpunuar me mjaftë krijues të njohur siç janë Arsim Bunjaku, Ilir Berani, ndërsa kohëve të fundit jam duke punuar më shumë me Korab Shaqirin. Së fundi e kam lansuar videoklipin tim të ri të këngës “E vetmja gjë që dua” që është në bashkëpunim me këngëtarin Besart Halimi dhe është pritur shumë mirë nga adhuruesit e mi.

Sa e keni pasur të vështirë fillimin e karrierës suaj, respektivisht depërtimin në skenën muzikore?

Në realitet si çdo fillim që është i vështirë, edhe unë kam pasur barriera të ndryshme. Mirëpo kur ke një publik të mirë që të përkrahë, atëherë mund t’ia arrish.

Cila është puna juaj jashtë këngës?

Natyrisht që hobi im është kënga, ndërsa punë tjetër kam studimet, që jam duke vijuar në drejtimin e ekonomisë këtu në Slloveni.. Ndërsa jam e angazhuar edhe në një ndërmarrje timen private që ka të bëjë me profesionin tim të ekonomisë.

Duke parë angazhimin tuaj në punë, si duket nuk mendoni për dashurinë, apo ndoshta keni dikë në krahë?

(Qesh), është e vërtetë se angazhimet e mia të mëdha, nuk më lënë kohë për dashuri, por me kalimin e kohës mendoj që do t’ia kushtoj një kohë edhe dashurisë. Për momentin nuk kam takuar ende personin ideal për mua.

Meqë jetoni në Slloveni, keni përshtypjen se mund të dashuroheni në ndonjë slloven?

Nuk e kam bindjen dhe nuk e kisha bërë një gjë të tillë edhe pse jetoj në Slloveni. Nuk dëshiroj që djaloshi i jetës sime t’i takoj nacionalitetit tjetër.

Keni menduar se si do të jetë e ardhmja juaj?

Nuk planifikoj shumë për të ardhmen, edhe pse preferoj që gjërat të rrjedhin ngadalë. Për momentin jam e angazhuar paksa në studime, por besoj që shumë shpejt do t’ua përgatis një surprizë adhuruesve të mi të cilët i falënderoj shumë që më përkrahin çdoherë. Gjithashtu ju falënderoj edhe juve që më bëtë pjesë të “Zëri-t”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here