Ai është një prej djemve më të pashëm të ekranit, por jo vetëm. Duket sikur ka lindur për të bërë televizion, dhe këtë e provojnë të gjitha sipërmarrjet që ka realizuar.

Është shumë i dashur për publikun dhe këtë e ka arritur falë karizmës dhe elokuencës që shpërfaq në ekran. Çdo mëngjes ju bën zgjimin me “Wake Up” në “Top Channel”, ku së bashku me Eno Popin përcjell informacione të shpejta, të duhurat për një zgjim të mirë.

Sapo ka përfunduar një projekt gjigant dhe shumë të suksesshëm siç ishte “The Voice”, talent show, i cili u kthye në zakonin e përjavshëm të shqiptarëve. Por sot, s’do të vijë për të rrëfyer asnjë nga sipërmarrjet e tij televizive (këto dhe të tjera detaje nga karriera e tij ia ka besuar revistës AS, ku do të shfaqet këtë muaj). Do të vijë për të rrëfyer një pjesë shumë të veçantë të jetës, siç është gjimnazi. Si e ka kaluar Ledion Liço këtë periudhë? Rebelimet e adoleshencës, mësimet, pasionet dhe dëshirat e tij. Reagimin që pati e ëma kur e pa me flokë të lyer. 20%-shat e lëndëve mësimore si pasojë e mungesave. Dëshira për të filluar një punë dhe ‘injorimi’ që i bënë si pasojë e moshës së vogël, derisa fati vendosi për të…Pas konkurrimit në “Poleposition”, merr telefonatën që do t’i ndryshonte jetën. Telefonata që do ta shndërronte në një prej meshkujve më të suksesshëm të ekranit. Rrëfehet Ledioni…
Si e kujtoni adoleshencën tuaj? Keni qenë një gjimnazist rebel?
Një periudhë e bukur, si për të gjithë të tjerët. Me qejfe, pasione të ndryshme, të larmishme. Sa i takon rebelizmit, po, unë kam qenë një adoleshent rebel. Për herë të parë i kam lyer flokët në klasë të tetë.
Pa lejen e prindërve?
Absolutisht. Madje imë më, më ka takuar në rrugë atëherë dhe kemi bërë edhe një skenë në publik mesa mbaj mend. Kemi qenë një grup rebel, por jo në llojin e atyre që fillojnë cigaren apo gjëra të kësaj natyre. Ne kemi dashur të angazhoheshim, të dëgjonim muzikë të mirë.

A keni qenë në grupin e atyre nxënësve që mblidheshin për të lënë orët e mësimit?
Unë i lija edhe vetë orët, p.sh. mua më është dashur që të bëja dy 20%-sha dhe kjo ndodhte vazhdimisht. Në gjimnaz ka pas ndodhur dendur dhe dilja mirë. Unë kam një gjë, që edhe sikur t’i lë për disa kohë gjërat, mjafton që t’i përkushtohem dhe arrij t’i përvetësoj. Në këtë kuptim kam bërë gjithmonë gjërat që kam dashur për momentin. Nuk është se i kam menduar gjatë.
Keni qenë në radhët e nxënësve të mirë d.m.th.?
Po, kam qenë nxënës i mirë.
Në këtë kohë ju keni nisur edhe angazhimin me aktivitete artistike…
Në gjimnaz, po, në gjimnaz. Që në vit të parë. U gjenda në një klasë ku ishin të shumtë njerëzit e angazhuar, pastaj edhe me një mik, me të cilin i kemi humbur paksa marrëdhëniet, por që ai falë punës që kishte lidhje me teatrin, na angazhonte dhe bënim koncerte. Nuk është se kishte vetëm një aktivitet, siç ishte “Rinfesti”, por merreshim edhe me gjëra të tjera. Pasioni im për muzikën që atëherë, jo aq për prezantimin se sa për muzikën, më shtynte që të angazhohesha. Vitet e gjimnazit për mua kanë qenë: shkollë, pak orë në shtëpi dhe gjatë gjithë kohës jashtë, fillimisht për të kërkuar një punë. Nuk e mendoja që puna ime e parë do të ishte në televizion apo në radio, thjesht doja një punë, mund të ishte çfarëdo.
Për çfarë e donit këtë punën?
Doja të kisha një punë, për t’u ndjerë i pavarur. Doja të punoja, doja të kisha ca para më shumë, të kisha një mundësi për t’u takuar me njerëz të rinj. Atëherë, duke qenë se isha shumë i vogël, nuk më merrte njeri seriozisht qoftë për t’u punësuar edhe si kamerier, apo edhe si recepsionist. Pastaj u desh kohë, nisur nga dëshira ime e madhe për t’u marrë me muzikën dhe artin në përgjithësi, që pa ardhur në “Top”, nisa të frekuentoja ambiente me njerëz që kishin punuar dhe kishin arritur diçka. Thjesht doja të bëja diçka. Nuk e dija çfarë do të bëja, por doja të isha i angazhuar në diçka. Rasti ishte pastaj që, menjëherë pas finales së “Poleposition”, unë isha mes 9 finalistëve. Edhe pse nuk u ndava me një çmim, më telefonoi Bojken Lako pas 3 javësh dhe më tha që hajde të bësh një provë për tek “Select”-i. Nuk është se e kisha provuar ndonjëherë, po thashë, unë flas, pse jo. Erdha e bëra provën dhe pastaj sa më shumë kalonte koha, aq më shumë u përfshija brenda.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here