Ka marrë fund një prej historive më të buku ra e më të gjata të dashurisë; Roland Hysi është ndarë nga bashkëshortja e tij, Irisi.

Në fakt, lajmi nuk është ende zyrtar, por miq nga të dyja palët e çiftit thonë se martesa e tyre ka marrë fund. Madje, Landi prej pak kohësh është larguar nga shtëpia ku jetonte me Irisin për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve.

Nuk dihen arsyet e kësaj ndarjeje të papritur, por duhet thënë se pavarësisht dashurisë së tyre e cila zgjati në kohë, çifti nuk e kishin provuar bashkëjetesën deri në momentin kur shpallën martesën. Megjithëse prej dhjetë vitesh bashkë, çifti mesa duket nuk e paskan njohur sa duhet njëri-tjetrin dhe bashkëjetesa me siguri duhet të ketë nxjerrë në dukje anë të karakterit që as Landi dhe as Irisi nuk kanë mundur dot t’i kapërcejnë. Çifti janë treguar shumë diskretë në lidhje me këtë ndarje të papritur. Madje, kaq i pamundur duket lajmi sa miq të çiftit shpresojnë në një rikthim të mundshëm.

“MESAZH” IRISIT
Edhe njëherë tjetër në fillim të lidhjes Landi u nda nga Irisi. Por ishte një ndarje që nuk do të zgjaste shumë. Madje pas kësaj ndarjeje, Landi dhe Irisi u rikthyen dhe lidhja e tyre u bë më e fortë se kurrë. Gjatë kësaj ndarjeje, Rolandi i bëri edhe një dedikim publik të dashurës së tij. Kënga “Mesazh”, me të cilën grupi “West Side Family” mori famë, ishte një dedikim që Landi i bënte pikërisht Irisit gjatë kohës që nuk ishin bashkë.

LIDHJA QË ZGJATI 8 VJET
Pas kësaj ndarjeje dhe pasi Landi deklaroi publikisht historinë e tij, lajmet për martesë filluan të qarkullonin gjatë vitit të tetë të lidhjes. Rolandi dhe Irisi, shiheshin gjithmonë së bashku në publik. Landi në çdo intervistë të tij e përmendte faktin që kishte një lidhje serioze. Pak nga pak, vajza misterioze filloi të fotografohej nga paparacët. Çuditërisht Irisi kishte pamjen e vajzës së thjeshtë me look-un ujë dhe sapun dhe nuk i përkiste fushës së artit. Madje, u përfol se ajo ishte ndër ato vajza që fundjavat në vend të night clubeve, i kalonte duke shkuar në kishë.

MARTESA
Më në fund çifti, të cilët qëndruan të lidhur për gati 8 vjet vendosën të lidhnin kurorë. Martesa e Landit u bë në një ceremoni tepër private në një nga resortet luksoze në periferi të Tiranës. Në ceremoninë martesore morën pjesë një grup tepër i ngushtë miqsh dhe shumë
pak persoanzhe publikë, mes të cilëve anëtarët e grupit West Side Family. Gjatë ceremonisë martesore, Irisi veshi një fustan të bardhë të kombinuar me një palë vëthë perlë dhe nuk vendosi vello. Asokohe u bë publik lajmi se çifti do të vendoseshin në shtëpinë e prindërve të Landit, pasi ky i fundit nuk duronte dot të jetonte pa përkujdesjen e vazhdueshme të nënës.

Pas martese, çifti janë fotografuar shpesh të lumtur në ambiente të ndryshme publike. Irisi e shoqëroi bashkëshortin e ri edhe gjatë pjesëmarrjes së tij në edicionin e parë të “Dancing with the Stars”. Madje, në një nga puntat e spektaklit, Landi në mes të shfaqjes u shkëput për t’i dhënë një të puthur nuses së tij. Duke pasur këto imazhe në mendje, është jo pak shokues lajmi që martesës së tyre i erdhi fundi. Landi dhe Irisi dukeshin si të destinuar për të jetuar përgjithmonë së bashku.

MUZIKA
Sakaq sa i takon muzikës, Landi, ish-vokalisti i “West Side Family” ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga kjo arenë. Siç është deklaruar tashmë, grupi është shkrirë dhe i vetmi që po vazhdon karrierën në muzikë është Dr.Flori. Landi aktualisht është i angazhuar si drejtor i një sektori të rëndësishëm në një nga kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri. Ndërkohë ish-solisti i grupit të famshëm është angazhuar prej disa sezonesh tashmë edhe si prezantues i programit “Mos e beso po deshe” në ekranin e “Vizion Plus”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here