Shpesh regjia e klipeve shqiptare s’ka lidhje me tekstin. Këngëtarët garojnë kush do ta ketë klipin më të mirë dhe më të shtrenjtë, e jo kush do ta ketë këngën më të mirë.

Kjo dukuri është bërë mjaft e pranishme në estradën tonë, kështu që pjesa dërmuese e këngëve që i këndojnë këngëtarët tanë nuk përputhen me videoklipin e paraqitur.

Fajtor, këngëtari e produksionet

Muzikologu Shefqet Hoxha për këtë fenomen negativ thotë që fajin më të madh për mospërputhjen e teksteve të këngëve me klipet e kanë produksionet. “Kohëve të fundit kjo ndodh shumë, në realitet unë kam vërejtur se te disa këngëtarë nuk është mirë edhe orkestrimi, në të vërtetë nuk harmonizohen njëra me tjetrën. Fajin për këtë e ka më shumë vet këngëtari e më pas edhe produksioni.

Mendoj se 90% e këngëtarëve nuk dinë çka është orkestrimi dhe teksti, prandaj ndodhë që kënga të mos harmonizohet me videoklipin, apo kur teksti nuk përputhet me vijën melodike dhe atëherë përzihen njëra me tjetrën” shprehet ai. Z. Hoxha shton se produksionet duhet shikuar më shumë, nuk duhet pranuar çdo lloj klipi. “Moskujdesi i produksioneve bënë që të jemi në këtë gjendje siç jemi në ditët e sotme. U kisha thënë që të korrigjohen më shumë”, thotë ai.

Teksti duhet të jetë artistik

Ndërsa Shkumbin Kryeziu nga produksioni “Labia” fajëson këngëtarët, të cilët nuk kanë ide për këngë dhe klipe. “Mungesa e mbikëqyrjes profesionale të këngëtarit bënë që të jenë të dobët. Mirëpo tek ne nuk ka tekste të mira, shpeshherë këngën e bëjnë pa asnjë kuptim, në realitet pa nota muzikore.

Unë mendoj që problem është edhe financimi, plasmani i këngës dhe mungesa e ligjit, i cili rregullon të drejtat mes autorëve dhe palëve tjera si TV, radio, etj.”, thotë ai. Shkumbini për mos përputhjen e teksteve të këngëve me klipet fajëson dobësinë e vet këngëtarit.

“Nga padituria ndodhë që nuk përputhen tekstet me klipin. Them që teksti duhet të jetë artistik dhe që i plotëson normat gjuhësore dhe artistike. Duhet cekur se ka edhe tekste të bukura, pasi që disa këngëtarë nuk hezitojnë të shpenzojnë për tekstin. Kemi autorë të mirë të teksteve, mirëpo vet këngëtarët nuk i kushtojnë shumë rëndësi tekstit dhe klipit”, thekson ai.

Vrapojnë pas parave

Disa këngëtarë për këtë fajësojnë produksionet. Këngëtarja Eliza Hoxha e cilëson këtë dukuri si shumë të pranishme në estradë, si tek këngëtarët ashtu edhe tek produksionet. “Tekstet e disa këngëve janë shumë të gjata pa ndonjë mesazh të caktuar dhe shumë të dobëta”, tha Eliza. Po ashtu edhe Leonora Poloska ndjen mungesë të vetëdijes së produksioneve e në disa raste edhe të vet këngëtarëve.

“Fillimisht do i kisha fajësuar produksionet, të cilat nuk u kushtojnë shumë rëndësi realizimit të klipeve, por vetëm vrapojnë pas parave. Një numër i produksioneve nuk kanë njohuri për përgatitje të një klipi, dhe në këtë rast kur edhe këngëtari është i pa ditur, atëherë lansohet një klip që nuk korrespondon me tekstin e këngës”, pohoi Leonora Poloska.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here